2014
Përgatitja për të Shërbyer, Shërbimi për t’u Përgatitur
Prill 2014


Duke u Përgatitur për të Shërbyer, Duke Shërbyer për t’u Përgatitur

Pamja
Dejvid L. Bek

Perëndia jua dha Priftërinë Aarone, sepse Ai ka një punë për ju – tani dhe në të ardhmen.

Pamja
A man and young man talking to a woman who is walking a dog.

Ilustrimet nga Taia Morley

Xhonatani është një mik i imi që u bashkua me Kishën katër vjet më parë. Ai është i vetmi anëtar i Kishës në familjen e tij. Pasi mori Priftërinë Aarone, ai filloi t’iu shërbente të tjerëve ashtu siç nuk u kishte shërbyer kurrë më parë. Xhonatani e dinte se që të shërbente, ai duhej të mësonte shumë. Ai gjithashtu dëshironte që të ishte i denjë e më i besueshëm, ndaj studioi ungjillin, u lut dhe ndoqi mbledhjet e së dielës dhe seminarin. Ai punoi fort për t’i mbajtur urdhërimet dhe standardet e Kishës. Ai i përmbushi me zell detyrat e tij të priftërisë, përfshirë të qenit një mësues i shkëlqyer shtëpie. Libri i tij Detyrë ndaj Perëndisë e ndihmoi t’i kuptonte ato detyra dhe të mësonte se si t’i përmbushte ato.

Shërbimi besnik i Xhonatanit si prift i dha atij forcë shpirtërore. Kjo e mbrojti atë nga ndikimet e liga. Ai u rrit jashtëzakonisht teksa shërbente dhe përgatitej për të ardhmen e tij. Vitin që shkoi, ai mori denjësisht Priftërinë Melkizedeke dhe indaumentin në tempull. Tani ai po shërben në mision në Brazil.

Priftëria Aarone quhet shpesh “priftëria përgatitore”. Perëndia jua dha Priftërinë Aarone, sepse Ai ka një punë për ju – tani dhe në të ardhmen. Shërbimi juaj besnik në Priftërinë Aarone ju përgatit për mundësi akoma më të mëdha për të shërbyer në vitet që do të vijnë. Sikurse Xhonatani, ju po përgatiteni që të “m[errni] Priftërinë Melkizedeke, të m[errni] bekimet e tempullit, të shërbe[ni] në një mision kohëplotë, të je[ni] një bashkëshort dhe baba i dashur dhe që të vazhdo[ni] gjithë jetës në shërbim të Zotit” (Të Vërtetë ndaj Besimit: Një Referim për Ungjillin [2004], f. 131).

Ju mund të mos i dini të gjitha hollësitë e mundësive të mrekullueshme që Ati Qiellor ruan për ju, por jam i sigurt se do të jeni të përgatitur t’i përmbushni ato nëse kujtoni të bëni sa vijon si mbajtës të Priftërisë Aarone.

Ndiqni Jezu Krishtin

Si mbajtës të priftërisë, ju jeni përfaqësues të Jezu Krishtit. Kjo do të thotë se ju kërkohet ta ndiqni Atë dhe të bëni atë që Ai do të bënte. Çfarë do të bënte Ai? Në çdo situatë, Ai ia përkushtoi jetën e Tij shërbimit dhe bekimit të të tjerëve. Kështu duhet të bëni dhe ju. Jepeni veten tuaj në shërbimin ndaj të tjerëve – dhe më pas rrituni e përmirësohuni që të keni më shumë për të dhënë nga vetja! Kujtoni se si u rrit Jezusi në rininë e Tij: Ai “rritej në dituri, në shtat dhe në hir përpara Perëndisë dhe njerëzve” (Lluka 2:52).

Pjesë e ndjekjes së Shpëtimtarit është të qenit të urtë e të shëndetshëm fizikisht në rininë tuaj. Kjo kërkon që të punoni fort dhe të bëni gjithnjë më të mirën tuaj (shih DeB 4:2). Ju merrni admirimin e Perëndisë teksa afroheni më pranë Tij përmes lutjes së përditshme, studimit të përditshëm të ungjillit, bindjes dhe shërbimit të përditshëm. Ju merrni admirimin e të tjerëve teksa tregoheni të sjellshëm e besnikë ndaj familjes suaj dhe një mik si Krishti për të gjithë.

Kujtoni se Jezusi bëri gjithnjë vullnetin e Atit. Ju e ndiqni Krishtin kur kërkoni vullnetin e Perëndisë gjatë gjithë ditës që t’i tregojë udhën shërbimit tuaj dhe kur veproni sipas nxitjeve shpirtërore që merrni.

Administroni Ordinanca Priftërie

Ordinancat e priftërisë janë të nevojshme për të gjithë fëmijët e Perëndisë dhe i bekojnë si bijtë, ashtu edhe bijat e Tij në mënyrë të barabartë. Nga çasti që bëheni dhjakë, ju ndihmoni për të administruar në një ordinancë priftërie duke shpërndarë sakramentin. Ju do të vazhdoni të administroni ordinanca priftërie në Priftërinë Aarone më vonë, teksa përgatiteni dhe bekoni sakramentin, pagëzoni dhe merrni pjesë në shugurimin e mbajtësve të tjerë të Priftërisë Aarone.

Për të marrë pjesë në ordinancat e shenjta, ju duhet të jeni të pastër. Pastërtia juaj morale mund t’iu shtojë fuqi të madhe shpirtërore ordinancave që administroni. Mundohuni të jeni të denjë në çdo mënyrë që të mbani enët e shenjta të sakramentit të Zotit (shih DeB 38:42). Kur jeni të denjë, ju mund të qëndroni përpara lagjes ose degës suaj si përfaqësues të vërtetë të Jezu Krishtit. Ata do të bekohen nga vendosmëria juaj për t’i mbajtur besëlidhjet, të cilat po ndihmoni që ata t’i përtërijnë.

Jepni Gjithnjë Shërbesë

Si mbajtës të Priftërisë Aarone, ju jepni shërbesë. Në çdo kohë, kërkoni mundësi për t’i dhënë shërbesë familjes, miqve, anëtarëve të kuorumit tuaj dhe të tjerëve. Çdo gjë që bëni në priftëri, ju ndihmon t’iu jepni shërbesë të tjerëve si fizikisht, ashtu edhe shpirtërisht. Për shembull, kur e ndihmoni peshkopin ose presidentin e degës suaj duke i shërbyer një familjeje ku jeni mësues shtëpie, ju po mësoni si t’i dalloni nevojat e të tjerëve dhe të kujdeseni për to. Ju do t’iu jepni shërbesë të tjerëve edhe kur shkoni për të forcuar anëtarët tuaj të kuorumit dhe për të shpëtuar më pak aktivët, kur mblidhni ofertat e agjërimit për të ndihmuar të varfrit dhe nevojtarët, kur kryeni punë fizike për të sëmurët e njerëzit me paaftësi, kur jepni mësim e dëshmoni për Krishtin dhe ungjillin e Tij dhe kur ua lehtësoni barrat të shkurajuarve.

Ju jepni shërbesë kur jepni mësime në mbledhjet e kuorumit tuaj dhe në mbrëmjet tuaja familjare. Ju jepni shërbesë kur i ftoni të gjithë të vijnë te Krishti (shih DeB 50:29) – në shtëpi, në kuorumin tuaj, në shkollë, me misionarët kohëplotë dhe kudo ku jeni.

E Ardhmja Juaj

Diskutoni me prindërit ose këshilluesit tuaj se çfarë do të kërkohet prej jush në rolet tuaja të ardhshme si mbajtës të Priftërisë Melkizedeke, misionarë, bashkëshortë e baballarë. Shkruajini në hapësirën e dhënë disa prej atyre përgjegjësive të shenjta dhe mënyrën si mund të përgatiteni për to sot, ndërkohë që shërbeni në Priftërinë Aarone. Mund të duket punë e rëndë tani, por kujtoni se mënyra më e mirë për t’u përgatitur është thjesht të bëni atë që Ati Qiellor ju ka kërkuar të bëni sot. Gjetshi lumturi ndërkohë që shërbeni tani dhe që përgatiteni për të ardhmen tuaj të lavdishme.