2014
Gjetja e Shpresës në të Ardhmen
Prill 2014


Kur Prapë të Takohemi

Gjetja e Shpresës në të Ardhmen

Autori jeton në Arizonë, SHBA.

Të njëjtat erëra që godasin dhe kërcënojnë për të na mposhtur, mbjellin edhe farat e ndryshimit dhe të rritjes.

Më 12 shtator 2001, unë dhe bashkëshortja ime po matnim me hapa dyshemenë e një spitali në Tuson të Arizonës, SHBA, duke kaluar orë plot ankth ndërsa prisnim që djali ynë të vinte në jetë. Nga televizori ynë dhe nga çdo televizor në ndërtesë, ne u bombarduam nga pjesët filmike të një dite më parë në qytetin e Nju-Jork-ut – pamje të dy kullave që dikur ishin spiranca e horizontit të atij qyteti, duke rënë në rrënoja dhe pluhur. Pamjet, transmetimi me orë të tëra, na lanë me një ndjenjë dëshpërimi. Dukej koha më e keqe e mundshme për të sjellë një foshnjë në botë – një botë që dukej kaq e errët dhe kërcënuese.

Herët në mëngjes, djali ynë foshnjë u lind. Ndërsa e mbajta në krahë foshnjën e vockël, mendova për ngjarjet shkatërruese të pak ditëve të fundit, ngjarje që më bënë të rikujtoja zjarrin në Parkun Kombëtar të Jelloustounit në vitin 1988. Flakët kishin djegur pothuaj 800.000 akra (323.750 ha) të pyllit. Shkatërrimi i parkut dukej i vërtetë. Pamjet në lajme treguan vetëm tokën e djegur dhe tymin e dendur të zi në qiell. Asnjë përpjekje njerëzore nuk mund ta rikthente shpejt atë që humbi. Dukej sikur edhe ripërtëritja e palodhur dhe vrulli i natyrës nuk mateshin dot me forcën shkatërruese të zjarrit.

Sidoqoftë, pranverën tjetër ndodhi një mrekulli e padëgjuar – bimë dhe lule të vogla filluan të rriteshin nëpër tokën e përcëlluar. Pak nga pak, akoma më shumë lule dhe shkurre e pemë çelën nga toka. Rilindja e parkut ishte e ngadaltë dhe e mbushur me hollësi imcake, të lavdishme dhe me kalimin e kohës rezultatet ishin të ndjeshme.

Në çastet e frikës që duket të na shkrumbojë si flakët flakëruese të Jelloustounit, kur besimi dhe shpresa jonë kanë arritur fundin e tyre, ne duhet të kujtojmë se ekziston një themel i qetë e i palëkundur poshtë nesh, shumë më i fuqishëm sesa çdo forcë e ligë që vërtet do të ndeshim. Helamani shpjegon se ky themel është “shkëmbi [i] Shëlbuesit tonë që është Krishti, biri i Perëndisë”. Nëse e hedhim spirancën tonë tek Ai, atëherë “kur djalli të çojë erërat e tij të fuqishme, po shigjetat e tij në shtjellë të erës, po, kur i gjithë breshëri i tij dhe furtuna e tij e fuqishme do të lëshohen mbi ju, nuk do të ketë fuqi mbi ju, që t’ju tërheqë në humnerën e mjerimit dhe të vuajtjes së pafund, për shkak të shkëmbit mbi të cilin jeni ndërtuar, që është një bazë e sigurt, një bazë mbi të cilën në qoftë se njerëzit ndërtojnë, nuk mund të bien” (Helamani 5:12).

Për shkak të forcave të tërbuara të së ligës dhe tundimit në botë, mund të mendojmë se ndikimi i vogël e i thjeshtë i ungjillit nuk matet me to dhe tronditet. Ne mund të ndiejmë dyshim dhe dëshpërim ndërsa presim më kot që e keqja të ndreqet, dhembja të lehtësohet dhe dyshimet të zgjidhen. Sidoqoftë, pikërisht ato erëra që na godasin, mbjellin fara të ndryshimit e të rritjes dhe fuqia e pamasë e ungjillit vepron qetësisht nën dheun e ekzistencës tokësore, duke përgatitur mijëra fara të vogla shprese dhe jete.