2014
Ne Jemi Duart e Zotit
Prill 2014


Ne Jemi Duart e Zotit

Kërkimi i të varfërve dhe shërbimi ndaj atyre që vuajnë janë të domosdoshme për atë që do të thotë të jesh një dishepull i Jezu Krishtit.

Gjatë ditëve të para të Depresionit të Madh, gjashtë presidentë kunji nga lugina e Solt-Lejkut u mblodhën së bashku për t’u kacafytur me retë e ngrysura të varfërisë dhe urisë që kërcënonin të pushtonin kaq shumë anëtarë të Kishës.1 Edhe pse kriza ekonomike i preku njerëzit kudo, Juta në veçanti, qe rrënuar.2

Në atë kohë, udhëheqësit e Kishës kishin burime të pakta për t’i ndihmuar njerëzit nevojtarë. Ata mundën të përdornin ofertat e agjërimit, sigurisht, por nevoja e vazhdueshme ishte e pakrahasueshme me çdo gjë që kishin përjetuar ndonjëherë. Nën drejtimin e Peshkopatës Kryesuese, ishte themeluar një Zyrë Punësimi Deseret në fillim të viteve 1900. Por ajo nuk ishte pajisur siç duhej që të përballonte një nevojë kaq të stërmadhe.

Këta gjashtë udhëheqës priftërie e dinin se nëse njerëzit e kunjeve të tyre duheshin ndihmuar, ata nuk mund të prisnin. Duhej të merrnin masa të menjëhershme. Ata ia nisën duke i vënë njerëzit të punonin. I organizuan burrat dhe i çuan në fusha ku mund të mblidhnin të korrat. Në shkëmbim të punës së tyre, fermerët mirënjohës u dhuruan burrave ushqim me bujari. Teprica u çua në një depo dhe iu shpërnda të tjerëve që ishin të uritur. Ndërkohë që dhurimet shtoheshin, shenjtorët filluan ta vendosnin ushqimin në konserva për ta ruajtur. Ky qe fillimi i programit të mirëqenies të kohës së sotme.

Tetë dekada më vonë, udhëheqësit e Kishës të kohës së sotme anembanë botës përkujdesen për bashkësitë e tyre dhe ndiejnë të njëjtën vendosmëri për t’iu ardhur në ndihmë njerëzve nevojtarë.

Në konferencën e përgjithshme të tetorit 2011, Presidenti Diter F. Uhtdorf, Këshilltar i Dytë në Presidencën e Parë, tha: “Shumë shpesh ne i vëmë re nevojat që ka rrotull nesh, duke shpresuar se dikush nga larg do të shfaqet në mënyrë magjike për t’i plotësuar këto nevoja. Ndoshta ne presim që probleme të caktuara t’i zgjidhin ekspertë me njohuri të specializuar. Kur e bëjmë këtë, ne i mohojmë të afërmit tonë shërbimin që mund t’i bënim dhe i mohojmë vetes mundësinë për të shërbyer. Megjithëse nuk ka asgjë kundër ekspertëve, le të jemi të vërtetë: nuk do të ketë kurrë ekspertë të mjaftueshëm për t’i zgjidhur gjithë problemet. Në vend të tyre, Zoti e bëri priftërinë e Tij dhe organizatën e saj lehtësisht të gjindshme në çdo vend të botës ku Kisha është ngritur.”3

Kjo thirrje për udhëheqësit dhe anëtarët që të marrin masa sikurse frymëzohen nga Fryma e Shenjtë, i ka bërë shumë anekënd botës që, siç tha Presidenti Uhtdorf “ta zbulo[jnë] vetë [ç’të bëjnë]”4. Ata i kanë përveshur mëngët dhe morën vendimin t’i “kujto[jnë] në gjithçka të varfërit dhe nevojtarët, të sëmurët dhe të brengosurit” (DeB 52:40).

Ekuadori

Teksa peshkopi Xhoni Morante in Guajakil të Ekuadorit, kujdesej për anëtarët e lagjes së tij, atij i pikonte në zemër. Shumë prej familjeve mundoheshin shumë për të plotësuar edhe nevojat më të domosdoshme të jetës. Ai dëshironte t’i ndihmonte, ndaj u këshillua me udhëheqësit e lagjes dhe iu lut për çështjen Zotit.

Duke qenë se mundësitë e punësimit në zonë ishin të pakta, ai filloi të punonte me një grup prej 11 motrash, duke i nxitur ato të ndiqnin mundësinë e një rasti për biznes të vogël. Këto motra vunë re se ishte nevoja për produkte cilësore, me kosto të ulët për pastrimin e shtëpisë dhe vranë mendjen nëse mund t’i prodhonin e t’i shisnin në komunitetin e tyre. Por si do të mësonin ato t’i bënin këto produkte?

Në këtë kohë, peshkopi Morante u vu në dijeni për një motër të papunë në lagjen e tij që kishte punuar si kimiste farmaceutike. Kur 11 motrat e pyetën atë nëse do t’i ndihmonte, ajo i mësoi me kënaqësi ato se si të bënin produkte të sigurta e cilësore.

Ato krijuan një plan biznesi, përcaktuan zonat e komunitetit që do të mbulonte çdo motër, zgjodhën produktet që do të bënin dhe bënë projektin e paketimit dhe të etiketave.

Në pak muaj, ato kishin ndërtuar një rrjet klientësh dhe po mblidhnin të ardhura të mjaftueshme për ta lehtësuar varfërinë e tyre dhe për të ndihmuar në plotësimin e nevojave të familjeve të tyre.

Kur administruesit e një kompanie farmaceutike vendore mësuan për këtë sipërmarrje, atyre iu ngjalli kureshtje historia e kimistes farmaceutike të papunë. Në fund, ata e intervistuan dhe e punësuan atë që të drejtonte vetë prodhimin e tyre.

Rusia

Në lagjen Reknoj të Moskës në Rusi, Galina Gonkarova, e cila po shërbente si historiane e lagjes, rrëshqiti në akull dhe theu të dy krahët. Ajo u çua në spital, ku ia vunë krahët në allçi. Ajo nuk mund të ushqehej apo vishej vetë. Nuk mund t’i krihte flokët ose madje t’i përgjigjej telefonit.

Kur anëtarët e lagjes së saj mësuan për atë që kishte ndodhur, ata reaguan sakaq. Mbajtësit e priftërisë i dhanë një bekim dhe punuan me motrat e Shoqatës së Ndihmës për të krijuar një program për të kontrolluar si ishte kjo motër e mirë dhe për t’u kujdesur për nevojat e saj.

Vladimir Nekiporovi, udhëheqësi i misionit të lagjes, tha: “Na u kujtua një bisedë e dhënë në konferencën e përgjithshme rreth një statuje të Krishtit që nuk i kishte duart.5 Poshtë statujës dikush kishte vendosur një pllakë ku lexohej: ‘Ju jeni duart e mia’. Për ato pak javë që kjo motër ishte e paaftë, anëtarët e lagjes Reknoj ndien një ngjashmëri me atë histori. Ne u bëmë duart e saj me kuptim e plotë të fjalës.”

Filipinet

Kur stuhia tropikale Uoshi ra mbi Filipinet në 2011, ajo e përmbyti zonën me një rrebesh uji dhe ere. Afro 41.000 shtëpi u dëmtuan dhe më tepër se 1.200 njerëz humbën jetën.

Përpara përmbytjes, Maks Savedra, presidenti i kunjit të Kagajan de Oro të Filipineve, kishte ndier nxitjen për të krijuar një skuadër reagimi ndaj urgjencave. Ai organizoi komitete që të përmbushnin detyra të ndryshme – gjithçka nga kërkimi dhe shpëtimi deri te ndihma e parë dhe sigurimi i ushqimit, ujit e veshmbathjeve.

Kur ujërat u tërhoqën deri në një nivel të sigurt, udhëheqësit dhe anëtarët e Kishës u vunë në lëvizje. Ata u bënë përgjegjës për sigurinë e çdo anëtari dhe për vlerësimin e dëmit. Një anëtar solli gomone për t’i çuar anëtarët e bllokuar te një vend i sigurt. Shtëpitë e mbledhjeve u hapën për t’u dhënë strehim të gjithë atyre që kishin nevojë për ushqim, veshmbathje, batanije dhe një vend të përkohshëm ku të qëndronin. Uji i pastër ishte një nevojë e ngutshme, ndaj Presidenti Savedra u lidh me një biznes vendor që zotëronte një kamion zjarrfikësish dhe ata transportuan ujë të pastër në qendrat e evakuimit të shtëpive të mbledhjeve. Anëtar me përvojë profesionale mjekësore ndihmuan ata që ishin lënduar.

Pasi u siguruan anëtarët e Kishës, Presidenti Savedra dhe skuadra e tij vizituan qendra të tjera të evakuimit në qytet dhe u ofruan ndihmë. U sollën atyre ushqim dhe furnizime të tjera. Shumë prej anëtarëve, edhe pse kishin humbur vetë shtëpitë e tyre, iu shërbyen me vetëmohim të tjerëve menjëherë pas stuhisë. Kur shirat pushuan dhe toka u tha, vullnetarët e Duarve Ndihmëtare Mormone nga tre kunje shkuan të punonin në shpërndarjen e furnizimeve, duke ndihmuar edhe për pastrimin.

Brazil

Brenda qytetit të Sete Lagoasit në Brazil ka një strehë për gratë me paaftësi, jeta e të cilave është prekur nga abuzimi me drogën. Çdo ditë ato luftonin për të mbijetuar. Kishin një sobë të vogël që e përdornin për të bërë rreth 30 bukë në ditë. Megjithëse gratë kishin marrë një farë ndihme nga një shoqatë humanitare vendore, ato zor se kishin mjaftueshëm për të ushqyer veten. Kur udhëheqësit e Kishës nga kunji i Sete Lagoasit në Brazil mësuan për nevojat e këtyre grave, ata dëshironin të ndihmonin.

Folën me gratë rreth nevojave të tyre. Gratë thanë se, nëse mund të bënin më tepër bukë, ato jo vetëm që do ta ushqenin më mirë veten, por ndoshta edhe të mund të shisnin disa bukë dhe të fitonin disa të ardhura që iu nevojiteshin kaq shumë.

Udhëheqësit dhe anëtarët e Kishës punuan me policinë ushtarake të vendit dhe një shkollë vendore për t’ua përmirësuar kushtet këtyre grave. Me ndihmën e një dhurimi humanitar nga Kisha dhe të vullnetarëve të Kishës e komunitetit, ato mundën të krijonin një furrë të re – një furrë që u lejonte grave të prodhonin 300 bukë në ditë.

Me përfitimet që kanë marrë, gratë në furrën e bukës kanë mundur të marrin në punë punonjësen e tyre të parë – një nga gratë e strehës.

Puna e Mirëqenies

Sikurse ata udhëheqës të frymëzuar të Kishës disa dhjetëvjeçarë më parë që panë nevojën e madhe përreth tyre dhe nuk pranuan të kthenin shpinën, udhëheqësit dhe anëtarët e Kishës anembanë botës sot po bëjnë të njëjtën gjë në zonat e tyre dhe në mënyrën e tyre vetjake.

Kur Presidenti Uhtdorf i foli Kishës për përkujdesjen ndaj të tjerëve, ai tha: “Mënyra e Zotit nuk është të ulemi buzë përroit të problemeve dhe të presim sa të thahet uji përpara se të kalojmë. Mënyra e Zotit është që të mblidhemi së bashku, të përveshim mëngët, të shkojmë të punojmë dhe të ndërtojmë një urë ose një barkë që të kalojmë ujërat e sfidave tona.”6

Kërkimi i të varfërve dhe shërbimi ndaj atyre që vuajnë, janë të domosdoshme për atë që do të thotë të jesh një dishepull i Jezu Krishtit. Është puna që Jezu Krishti Vetë bëri kur Ai u shërbeu njerëzve të kohës së Tij. “Kjo punë e ndihmës sipas mënyrës së Zotit nuk është thjesht një artikull tjetër në listën e programeve të Kishës”, përfundoi Presidenti Uhtdorf. “Ajo nuk mund të mos përfillet apo të lihet mënjanë. Ajo është qendrore për doktrinën tonë, është thelbi i besimit tonë.”7

Shënime

  1. Katër nga këta presidentë kunji – Hju B. Braun, Harold B. Li, Henri D. Mojli, dhe Marion G. Romni – u thirrën më pas si Apostuj dhe që të katërt shërbyen më vonë në Presidencën e Parë të Kishës. Harold B. Li u bë Presidenti i 11-të i Kishës.

  2. Në vitin 1930, Juta ishte shteti i dytë për normën më të lartë të papunësisë në Shtetet e Bashkuara. Shih Garth L. Mangum dhe Bruce D. Blumell, The Mormons’ War on Poverty: A History of LDS Welfare 1830–1990 (1993), f. 95.

  3. Diter F. Uchtdorf, “Ndihma sipas Mënyrës së Zotit”, Liahona, nëntor 2011, f. 54.

  4. Diter F. Uhtdorf, “Ndihma sipas Mënyrës së Zotit”, f. 55.

  5. Shih Diter F. Uhtdorf, “Ju Jeni Duart e Mia”, Liahona, maj 2010, f. 68.

  6. Diter F. Uhtdorf, “Ndihma sipas Mënyrës së Zotit”, f. 55.

  7. Diter F. Uhtdorf, “Ndihma sipas Mënyrës së Zotit”, f. 55–56.