2014
Misioni Hyjnor i Jezu Krishtit: Shpëtimtari dhe Shëlbuesi
Prill 2014


Mesazhi i Vizitave Mësimore

Misioni Hyjnor i Jezu Krishtit: Shpëtimtari dhe Shëlbuesi

Studiojeni me lutje këtë material dhe kërkoni të dini se çfarë të thoni prej tij. Si do ta rrisë besimin tuaj te Shpëtimtari të kuptuarit e jetës dhe të misionit të Tij dhe si do t’i bekojë ato për të cilat kujdeseni nëpërmjet vizitës mësimore? Për më tepër informacion, shkoni te reliefsociety.lds.org.

Besim, Familje, Ndihmë

“Një nga titujt më kuptimplotë që e përshkruajnë Jezu Krishtin, është Shëlbues”, tha Plaku D. Tod Kristoferson, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve. “Shëlboj do të thotë të shlyesh një detyrim ose borxh. Shëlboj mund të ketë gjithashtu kuptimin të shpëtosh ose të çlirosh me anë të pagimit të një shpërblese. … Secili prej këtyre kuptimeve shfaq aspekte të ndryshme të Shëlbimit të madhërishëm, të kryer nga Jezu Krishti me anë të Shlyerjes së Tij, që përfshin, sipas fjalëve të fjalorit, ‘të çlirosh nga mëkati dhe ndëshkimet e tij, me anë të një sakrifice të bërë për mëkatarin’.”1

Linda K. Barton, presidente e përgjithshme e Shoqatës së Ndihmës, ka thënë: “Ati … Qiellor … dërgoi Birin e Tij të Vetëmlindur dhe të përsosur që të vuante për mëkatet tona, pikëllimet tona dhe gjithçka që duket e padrejtë në vetë jetën tonë vetjake.

… Një grua, që kishte kaluar vite mundimesh dhe hidhërimesh, tha mes lotëve të saj: ‘Kam arritur të kuptoj se jam si një kartmonedhë e vjetër 20-dollarëshe – e zhubrosur, e grisur, e pistë, e shpërdoruar dhe me shenja. [Por] … përsëri unë vlej plot 20 dollarë.’ Kjo grua e di se … ajo ishte aq e vlefshme për [Perëndinë] saqë të dërgonte Birin e Tij për të shlyer për të, veçan. Secila motër në Kishë duhet ta dijë atë që di kjo grua.”2

Nga Shkrimet e Shenjta

2 Nefi 2:6; Helamani 5:11–12; Moisiu 1:39

Nga Historia Jonë

Dhiata e Re përfshin tregime për gra që ushtruan besim te Jezu Krishti, që i mësuan e i jetuan mësimet e Tij dhe që dëshmuan për shërbesën, mrekullitë dhe madhështinë e Tij.

Jezusi i tha gruas te pusi:

“Kush pi nga uji që do t’i jap unë nuk do të ketë më kurrë etje përjetë; por uji që unë do t’i jap do të bëhet në të një burim uji që gufon në jetë të përjetshme.

Gruaja i tha: ‘Zot, më jep këtë ujë, që unë të mos kem më etje. …

Unë e di se do të vijë Mesia, që e quajnë Krisht; kur të ketë ardhur, ai do të na kumtojë çdo gjë.’

Jezusi i tha: ‘Unë jam, ai që po të flet!’”

Ajo “atëherë … e la kovën e saj” dhe dha dëshmi për të në qytet. (Shih Gjoni 4:6–30.)

Shënime

  1. D. Tod Kristoferson, “Shëlbimi”, Liahona, maj 2013, f. 109.

  2. Linda K. Barton, “A Është Besimi në Shlyerjen e Jezu Krishtit i Shkruar në Zemrat Tona?”, Liahona, nëntor 2012, f. 114.