2014
Premtimi Më Dha Shpresë
Prill 2014


Premtimi Më Dha Shpresë

Xhuliana Fajehun, Lagos, Nigeri

Pak kohë pasi bashkëshorti im dhe unë u martuam, ne u bekuam me një djalë. Ku e pashë buzëqeshjen e tij dhe e hodha vështrimin tek sytë e tij, u ndjeva në borxh me Atin Qiellor. Biri im m’u duk i përsosur. Bashkëshorti im dhe unë e falënderonim Zotin çdo ditë për një dhuratë kaq të çmuar.

Më 19 shkurt 2009, po bëja gati plaçkat që të kthehesha në shkollë për vitin tim të fundit të klasave mësimore. Burri im dhe unë nuk e dinim se të nesërmen birin tonë të dashur do ta zinte një ethe dhe ai do të largohej nga kjo jetë në vdekshmëri.

Ishte një përvojë e vështirë për mua për ta duruar. Anëtarët e lagjes sonë na erdhën në shtëpi për të na ngushëlluar me shkrime të shenjta e himne dhe për t’u lutur me ne. Ma ngrohnin zemrën ngushëllimet e tyre të dhembshura, por më vazhdonte hidhërimi për birin tim. Sa herë që mendoja për të, sytë më mbusheshin plot me lot.

Katër ditë pas vdekjes së tij, u frymëzova të studioja Mësimet e Presidentëve të Kishës: Jozef Smith. Ndërsa e mbaja librin, ai m’u hap në duar te kapitulli i titulluar “Fjalë Shprese dhe Ngushëllimi në Kohën e Vdekjes”. Fillova të lexoja dhe u preka thellësisht nga humbjet tragjike që Jozefi dhe Ema patën vuajtur kur filluan familjen e tyre. Kur arrita te një pjesë e shkëputur nga një fjalim që Profeti e dha në varrimin e një vajze dyvjeçare, ndjeva sikur ujë i ftohtë më ishte derdhur mbi kokë, duke m’i qetësuar mendimet e mia të pushtuara nga hidhërimi.

E thirra burrin tim. Së bashku lexuam: “Kam bërë pyetjen … përse foshnjat, fëmijët e pafajshëm, merren prej nesh. … Zoti merr shumë me vete, madje në foshnjëri, që ata të mund t’i shpëtojnë … dhimbjeve e të ligave të kësaj bote të tashme; ata qenë tepër të pastër, tepër të dashur, që të jetonin në tokë; prandaj, nëse gjykohet si duhet, në vend që të mbajmë zi, ne kemi arsye të gëzojmë pasi ata janë çliruar nga e liga dhe ne do t’i kemi ata përsëri së shpejti.”

Profeti shtoi: “Mund të bëhet një pyetje – ‘A do t’i kenë nënat fëmijët e tyre në përjetësi?’ Po! Po! Nëna, ju do t’i keni fëmijët tuaj; sepse ata do të kenë jetë të përjetshme, sepse borxhi i tyre është paguar.”1

Që kur i lexuam ato fjalë të bukura, lutjet tona familjare kanë qenë plot falënderim për premtimin që, nëpërmjet Shlyerjes së Jezu Krishtit, ne vërtet do të jemi me birin tonë përsëri.

Sot kemi tre fëmijë të mrekullueshëm, që e kanë vëlla birin tonë të vdekur. Ne po u mësojmë atyre ungjillin e vërtetë dhe të përjetshëm, i cili do t’i udhëheqë ata drejt Atit të tyre Qiellor dhe Shpëtimtarit të tyre, Jezu Krishtit.

E di se mesazhi i Profetit Jozef Smith për jetën pas vdekjes është i vërtetë. Do të jem përherë mirënjohëse për shpresën, paqen, gëzimin dhe lumturinë që ai i sjell familjes tonë – në të dyja anët e velit.

Shënim

  1. Mësimet e Presidentëve të Kishës: Jozef Smith (2009), f. 184-185.