2014
Burrat dhe Gratë në Punën e Zotit
Prill 2014


Burrat dhe Gratë në Punën e Zotit

Nga një fjalim në një takim shpirtëror dhënë më 20 gusht 2013 në Universitetin “Brigam Jang”. Për tekstin e plotë në anglisht, vizitoni speeches.byu.edu.

Pamja
Plaku M. Rasëll Ballard

Në planin e mrekullueshëm të Atit tonë Qiellor që u jep burrave fuqinë e priftërisë, burrat dhe gratë kanë role të ndryshme por njësoj të vlerësuara.

Pamja
Woman talking to a group of Church members sitting around a table.

Unë besoj se ka disa të vërteta që si gratë, ashtu edhe burrat duhet të kuptojnë rreth rolit thelbësor që gratë kanë në forcimin dhe ngritjen e mbretërisë së Perëndisë mbi tokë. Gratë janë zemra e Kishës në kaq shumë mënyra. Ndaj me ndihmën e Zotit, do të dëshiroja të shprehja nderim për gratë dhe të rejat besnike të Kishës. Ju motra të dashura, kudo që jetoni në botë, ju lutem që të keni dijeni për ngrohtësinë e madhe dhe mirëbesimin që Presidenca e Parë dhe të Dymbëdhjetë Apostujt kanë për ju.

Më lejoni të filloj me një rikujtim të asaj që po bëjmë këtu në tokë.

Ne jemi bij dhe bija të dashur shpirtërorë të Atit tonë Qiellor. Ne jetuam me Të në mbretëritë para lindjes. Në mënyrë që të përmbushej misioni i të bërit “të ndodhë pavdekësia dhe jeta e përjetshme e njeriut” (Moisiu 1:39), Ati Qiellor krijoi një plan të hartuar për t’i ndihmuar fëmijët e Tij të arrijnë potencialin e tyre përfundimtar. Plani i Atit tonë kërkonte që njeriu të binte dhe të veçohej prej Tij për një kohë duke lindur në vdekshmëri, duke marrë një trup e duke hyrë në një periudhë prove e vënieje në provë. Plani i Tij siguroi një Shpëtimtar që ta shëlbonte njerëzimin nga Rënia. Shlyerja e Zotit tonë Jezu Krisht siguron mënyrën për t’u kthyer në praninë e Perëndisë përmes ordinancave të ungjillit dhe besëlidhjeve të shenjta. Për shkak se ne do të jetonim në një mjedis vdekjeprurës, të mbushur me rrezik dhe gjëra që do të na e largonin vëmendjen, Ati Qiellor dhe Biri i Tij e dinin se do të na duhej mundësia për të përdorur një fuqi më të madhe se tonën. Ata e dinin se do të na duhej të përdornim fuqinë e Tyre. Ungjilli dhe doktrina e Krishtit u japin të gjithë atyre që do t’i pranojnë ato, fuqinë për të marrë jetë të përjetshme dhe fuqinë për të gjetur gëzim tek udhëtimi.

Ka nga ata që e vënë në dyshim vendin e grave në planin e Perëndisë dhe në Kishë. Jam intervistuar mjaft nga media kombëtare dhe ndërkombëtare për t’ju thënë se, shumica e gazetarëve me të cilët kam pasur të bëj, kanë pasur pikëpamje të paramenduara rreth kësaj teme. Përgjatë viteve, shumë njerëz kanë bërë pyetje duke nënkuptuar se gratë janë qytetare të dorës së dytë në Kishë. Asgjë nuk mund të jetë më larg nga e vërteta.

Më lini të sugjeroj pesë pika kyçe për ju që t’i përsiatni lidhur me këtë temë të rëndësishme.

1. Perëndia Ka një Plan që të na Ndihmojë të Arrijmë Jetë të Përjetshme

Ati ynë Qiellor krijoi si gratë edhe burrat, që janë bijat dhe bijtë e Tij shpirtërorë. Kjo do të thotë se gjinia është e përjetshme. Ai ka një plan të hartuar për t’i ndihmuar të gjithë ata që zgjedhin ta ndjekin Atë dhe Birin e Tij, të arrijnë fatin e tyre si trashëgimtarë të jetës së përjetshme.

Nëse ekzaltimi ynë përfundimtar është synimi dhe qëllimi i Tyre thelbësor dhe nëse Ata janë të gjithëditur dhe të përsosur, siç e dimë se janë, atëherë Ata e kuptojnë më së miri si të na përgatisin, mësojnë dhe udhëheqin që të kemi mundësinë më të madhe për t’u kualifikuar për ekzaltim.

Pothuajse çdo njeri ka familje ose miq që janë ngatërruar në probleme të ndryshme shqetësuese shoqërore. Debatimet rreth problemeve përgjithësisht nuk sjellin ndonjë zgjidhje dhe, në fakt, mund të krijojnë grindje. Ka disa pyetje rreth qëndrimit të Kishës mbi çështje delikate që janë të vështira për t’u dhënë përgjigje që do t’i kënaqin të gjithë. Sidoqoftë, kur e kërkojmë Zotin në lutje për të ditur se si të ndihemi dhe çfarë të bëjmë në këto situata, vjen mbresa: “A beson te Jezu Krishti dhe a e ndjek Atë dhe Atin?” Unë besoj se pothuajse kushdo në Kishë në një kohë apo një tjetër do ta pyesë veten nëse mund të bëjë gjithçka që i kërkohet të bëjë. Por nëse besojmë me të vërtetë te Zoti, vjen përsëri sigurimi: “Unë besoj te Jezu Krishti dhe jam i gatshëm të bëj çfarëdo që Ai ka nevojë që unë të bëj”. Kështu ne bëjmë përpara. Sa të fuqishme janë fjalët: “Unë besoj te Jezu Krishti”!

Dëshmitë tona, paqja jonë e mendjes dhe mirëqenia jonë fillojnë me gatishmërinë për të besuar se Ati ynë në Qiell e di me të vërtetë çfarë është më e mira.

2. Kisha Qeveriset nëpërmjet Çelësave të Priftërisë

Kisha e Jezu Krishtit e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme është Kisha e Zotit dhe Kisha e Tij qeveriset nga autoriteti i priftërisë e çelësat e priftërisë dhe nëpërmjet tyre. “Çelësat e priftërisë janë autoriteti që Perëndia u ka dhënë udhëheqësve të priftërisë për të drejtuar, kontrolluar dhe qeverisur përdorimin e priftërisë së Tij në tokë.”1

Ai që i ka çelësat e priftërisë – qoftë nëse është një dhjak që ka çelësa për kuorumin e tij ose një peshkop që ka çelësa për lagjen e tij, apo Presidenti i Kishës që i mban të gjithë çelësat e priftërisë – e bën të mundur me kuptimin e plotë të fjalës, për të gjithë që shërbejnë besnikërisht nën drejtimin e tyre që ta ushtrojnë autoritetin e priftërisë dhe të kenë mundësi të përdorin fuqinë e priftërisë.

Të gjithë burrat dhe të gjitha gratë shërbejnë nën drejtimin e atyre që kanë çelësat. Kjo është mënyra se si Zoti e qeveris Kishën e Tij.

Më lejoni të përsëris diçka që pohova në konferencën e përgjithshme të prillit 2013: “Në planin e mrekullueshëm të Atit tonë Qiellor që u jep burrave fuqinë e priftërisë, burrat kanë përgjegjësinë e vetme për të administruar priftërinë, por ata nuk janë priftëria. Burrat dhe gratë kanë role të ndryshme por njësoj të vlerësuara. Ashtu si një grua nuk mund të krijojë një fëmijë pa një burrë, edhe një burrë nuk mund ta ushtrojë plotësisht fuqinë e priftërisë për të krijuar një familje të përjetshme pa një grua. … Në këndvështrimin e përjetësisë, si fuqia krijuese edhe fuqia e priftërisë janë të përbashkëta për një bashkëshort dhe një bashkëshorte.”2

Përse në detyrat e priftërisë shugurohen burrat dhe jo gratë? Presidenti Gordon B. Hinkli (1910–2008) shpjegoi se ishte Zoti, jo njeriu “që përcaktoi se burrat në Kishën e Tij duhet të mbanin priftërinë” dhe se ishte përsëri Zoti që iu dhuroi grave “aftësi që e plotësojnë këtë organizim të madh e të mrekullueshëm, që është Kisha dhe mbretëria e Perëndisë”. …3 Kur gjithçka është thënë dhe bërë, Zoti nuk ka zbuluar arsyen përse e ka organizuar Kishën e Tij ashtu siç ka bërë.

Le të mos e harrojmë se përafërsisht gjysma e të gjithë mësimdhënies që ndodh në Kishë, bëhet nga motrat. Shumë prej udhëheqjes bëhet nga motrat tona. Shumë mundësi shërbimi dhe veprimtari planifikohen dhe drejtohen nga gratë. Këshillat dhe pjesëmarrjet e tjera të grave në këshillat e lagjes, të kunjit dhe në këshillat e përgjithshëm në selinë qendrore të Kishës japin mendjemprehtësinë, urtësinë dhe drejtpeshimin e nevojshëm.

Nevojiten si burra që i respektojnë gratë dhe dhuratat e tyre të dallueshme shpirtërore, ashtu edhe gra që i respektojnë çelësat e priftërisë të mbajtur nga burrat për të ftuar bekimet e plota të qiellit në çdo përpjekje në Kishë.

3. Burrat dhe Gratë Janë Njësoj të Rëndësishëm

Burrat dhe gratë janë të barabartë në sytë e Perëndisë dhe në sytë e Kishës, por të barabartë nuk do të thotë që ata janë njësoj. Përgjegjësitë dhe dhuratat hyjnore të burrave dhe grave ndryshojnë për nga natyra, por jo për nga rëndësia ose ndikimi. Doktrina e Kishës sonë i quan gratë të barabarta e prapëseprapë të ndryshme nga burrat. Perëndia nuk e konsideron asnjërën nga gjinitë më të mirë apo më të rëndësishme se tjetra. Presidenti Hinkli u deklaroi grave se “Ati ynë i Amshuar … nuk ka pasur kurrë për qëllim që ju të jeni më pak se lavdia kurorëzuese e krijimeve të Tij”4.

Burrat dhe gratë kanë dhurata të ndryshme, fuqi të ndryshme dhe pikëpamje e prirje të ndryshme. Kjo është një nga arsyet themelore përse kemi nevojë për njëri-tjetrin. Nevojitet një burrë dhe një grua për të krijuar një familje dhe nevojiten burrat e gratë për ta kryer punën e Zotit. Një bashkëshort dhe një bashkëshorte që punojnë së bashku drejtësisht, e plotësojnë njëri-tjetrin. Le të jemi të kujdesshëm që të mos përpiqemi të ndërhyjmë në planin dhe qëllimet e Atit tonë Qiellor në jetën tonë.

4. Të Gjithë Bekohen nga Fuqia e Priftërisë

Kur burrat dhe gratë shkojnë në tempull, ata e marrin indaumentin të dy nga e njëjta fuqi, që është fuqia e priftërisë. Ndërkohë që autoriteti i priftërisë drejtohet përmes çelësave të priftërisë dhe çelësat e priftërisë mbahen vetëm nga burrat e denjë, mundësia e përdorimit të fuqisë dhe bekimet e priftërisë janë në dispozicion të të gjithë fëmijëve të Perëndisë.

Ati ynë në Qiell është bujar me fuqinë e Tij. Të gjithë burrat dhe gratë kanë mundësinë e përdorimit të kësaj fuqie për ndihmë në jetën tonë vetjake. Të gjithë ata që kanë bërë besëlidhje të shenjta me Zotin dhe që i respektojnë ato besëlidhje, kanë të drejtë të marrin zbulesë personale, të bekohen nga shërbesa e engjëjve, të bisedojnë me Perëndinë, të marrin plotësinë e ungjillit dhe, përfundimisht, të bëhen përkrah Jezu Krishtit trashëgimtarë të gjithçkaje që Ati ynë ka.

5. Ne Duhet ta Dimë Doktrinën dhe të Japim Dëshmi për Të

Pamja
A Sunday school class of teenagers. One of the youth is in front talking to the class while the teacher is standing to the side.

Ne kemi nevojë që gratë e Kishës ta dinë doktrinën e Krishtit dhe të japin dëshmi për Rivendosjen në çdo mënyrë që të munden. Nuk ka pasur kurrë një kohë më të ndërlikuar në historinë e tokës. Satani dhe pasuesit e bindur të tij i kanë përsosur armët në arsenalin e tyre për mijëvjeçarë dhe ata kanë përvojë në shkatërrimin e besimit dhe të mirëbesimit te Perëndia dhe te Zoti Jezu Krisht mes familjes njerëzore.

Të gjithë ne – burra, gra, të rinj në moshë madhore, të rinj, djem e vajza – kemi Zotin dhe Kishën e Tij për ta mbrojtur, për ta përkrahur e për ta përhapur nëpër të gjithë tokën. Ne kemi nevojë për më tepër nga zërat e dalluar e ndikues të grave dhe për besimin e tyre. Ne kemi nevojë që ju ta mësoni doktrinën dhe të kuptoni se çfarë besojmë, që të mund të jepni dëshmi rreth së vërtetës së të gjitha gjërave – qoftë nëse ato dëshmi jepen rrotull zjarrit në një kamp për Të Rejat, në një mbledhje dëshmish, në një faqe vetjake interneti apo në Facebook. Vetëm ju mund t’ia tregoni botës se si duken dhe çfarë besojnë gratë e Perëndisë të cilat kanë bërë besëlidhje.

Motra, sfera juaj e ndikimit është një sferë e pashoqe – një sferë që nuk mund të kopjohet nga burrat. Askush nuk mund ta mbrojë Shpëtimtarin me më shumë bindje apo fuqi nga sa mund ta bëni ju, bijat e Perëndisë, – ju që keni forcë të brendshme dhe bindje të tillë shpirtërore. Fuqia e zërit të një gruaje të kthyer në besim është e pamatshme dhe Kisha tani ka nevojë për zërat tuaj më shumë se kurrë.

Ju lë dëshmimin tim dhe dëshminë time se ne jemi në një kohë kur duhet të qëndrojmë të bashkuar. Ne duhet të qëndrojmë së bashku – burra dhe gra, të rinj dhe të reja, djem dhe vajza. Ne duhet të ngrihemi në këmbë për planin e Atit tonë Qiellor. Ne duhet ta mbrojmë Atë. Ai po lihet mënjanë. Ne nuk mund të rrimë me përtaci si anëtarë të Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme dhe ta lejojmë atë që të vazhdojë të ndodhë pa qenë aq guximtarë sa t’i bëjmë zërat tanë të dëgjohen.

Ju bekoftë Perëndia që të keni guximin për t’i studiuar dhe njohur të vërtetat e thjeshta të ungjillit e më pas t’ua tregoni të tjerëve në çdo rast që t’ju jepet.

Shënime

  1. Manuali 2: Administrimi i Kishës (2010), 2.1.1.

  2. M. Rasëll Ballard, “Kjo Është Vepra Ime dhe Lavdia Ime”, Liahona, maj 2013, f. 19.

  3. Gordon B. Hinckley, “Women of the Church”, Ensign, nëntor 1996, f. 70.

  4. Gordon B. Hinckley, “Stand Strong Against the Wiles of the World”, Ensign, nëntor 1995, f. 98.