2014
Nga e Dinin Ato?
Prill 2014


Nga e Dinin Ato?

Gejl Ashkroft, Arizona, SHBA

Presidenti Diter F. Uhtdorf, Këshilltar i Dytë në Presidencën e Parë, u dha një mesazh motrave të Shoqatës së Ndihmës gjatë mbledhjes së përgjithshme të Shoqatës së Ndihmës për vitin 2011, që më preku në zemër dhe më dha paqe. Ai foli rreth lules së vockël mosmëharro dhe mënyrës se si pesë petalet e saj përfaqësojnë pesë gjëra që ne duhet t’i mbajmë mend përherë.1

Pas mbledhjes, ime bijë Alisa, më tregoi një histori për shoqen e saj, Xhesin, që ka një biznes të vogël që shpërndan ushqime me porosi. Xhesit iu kërkua nga udhëheqëset e Shoqatës së Ndihmës të kunjit të saj që të bënte një ëmbëlsirë që do të shërbehej pas mbledhjes së përgjithshme të Shoqatës së Ndihmës. Xhesi i tha Alisës se e dinte menjëherë se çfarë duhej të bënte – 250 kekë të vegjël. Alisa doli vullnetare që të ndihmonte për transportin e kekëve të vegjël deri te qendra e kunjit.

Dita e mbledhjes erdhi dhe, kur Alisa shkoi për të dhënë ndihmë, e gjeti Xhesin pothuajse në lot. Kekët e vegjël ishin gati, por Xhesi i kishte dërguar një fotografi të tyre një të afërmeje, e cila tha se nuk ishin aq të sofistikuara sa duhej për mbledhjen.

Xhesi filloi të vinte veten në dyshim. Ajo arriti në përfundimin se udhëheqëset e Shoqatës së Ndihmës do të prisnin diçka më të ngritur sesa kekët e saj të vegjël e të thjeshtë. Ajo po përpiqej si e xhindosur të gjente një mënyrë për t’i rizbukuruar kekët, por nuk kishte kohë. Ajo dhe Alisa i morën kekët siç ishin, me Xhesin që ndiente se i kishte zhgënjyer motrat – derisa foli Presidenti Uhtdorf.

Teksa ai foli për lulen e vogël mosmëharro, një fotografi e një luleje të vogël blu u shfaq në ekran. Ishte një lule aq e thjeshtë, por aq e bukur me petalet e saj të vijëzuara në mënyrë të brishtë. Mesazhi i Presidentit Uhtdorf ia preku zemrën gjithsecilës, ndërkohë që ai na u lut të mos hutohemi nga lulëzimet e mëdha ekzotike rreth nesh aq sa të harrojmë pesë të vërtetat e thjeshta, por të vërteta, që ai po na mësonte.

Pas lutjes së mbylljes, motrat shkuan për te salla kulturore. Kur hynë Alisa dhe Xhesi, ato i gjetën të gjitha gratë rrotull tryezës së ëmbëlsirave duke pyetur: “Nga e dinin ato?”

Çdo kek i vogël ishte mbuluar me krem të bardhë dhe ishte zbukuruar me një lule mosmëharro, të thjeshtë, të brishtë, me pesë petale.

Shënim

  1. Shih Diter F. Uhtdorf, “Mosmëharro”, Liahona, maj 2011, f. 120.