2014
Një Ekip Familjar
Tetor 2014


Një Ekip Familjar

Autorja jeton në Alberta të Kanadasë.

Është më e lehtë të fitosh kur të gjithë punojnë së bashku.

“When we’re helping, we’re happy” [“Kur Ndihmojmë, Jemi të Lumtur”] (Children’s Songbook, f. 198).

Amoni psherëtiu kur ai dhe babi u larguan nga loja e futbollit. “Nuk e kuptoj”, tha ai. “Ne kemi kaq shumë lojtarë të mirë. Përse nuk bëjmë gol?”

Babi ishte një futbollist i mirë. Ndoshta ai mund t’i ndihmonte.

“Mendoj se ju keni nevojë të mësoni të punoni si ekip”, tha babi. “Gjithçka që ju doni është të bëni gola, apo jo?”

“Po”, tha Amoni. “Por goli nuk bëhet nga të gjithë. Kjo është ajo që do të thuash?”

Babi tundi kokën. “Nuk mundësh ta bësh golin vetëm. Së pari, mbrojtësit duhet ta marrin topin nga ekipi tjetër, apo jo?”

Amoni qeshi. “Është e vështirë të bësh gol nëse nuk e ke topin.”

“Po”, tha babi. “Pastaj mbrojtësit ia japin dikujt që mund ta bëjë golin. Askush nuk mund ta bëjë atë vetëm.”

“Me sa duket”, tha Amoni.

Kur arritën në shtëpi, mami po mbante foshnjën ndërsa po bënte darkën. “Si shkoi loja?” pyeti ajo.

“Humbëm sërish”, tha Amoni. “Por do të dalim më mirë herën që vjen.”

“Ky është një qëndrim i mirë”, tha mami.

“Po vdes urie!” bërtiti Migeli ndërsa ai, Samueli dhe Lukasi vrapuan brenda.

“Djema, a mund të ndihmoni për ta shtruar tryezën dhe për t’i hequr lodrat?” pyeti mami.

Të katër djemtë psherëtinë.

“Por unë nuk luajta me lodrat”, tha Samueli.

“Do të duhet shumë kohë!” bërtiti Migeli.

Babi qeshi. “Mendoj se familja jonë ka të njëjtin problem si ekipi i Amonit.”

“Ç’problem ishte?” pyeti Samueli.

“Ne nuk po punojmë së bashku”, tha Amoni. “Ne të gjithë duam të shënojmë një gol duke ngrënë darkë. Por po ia lëmë të gjitha mamit.”

“E drejtë!” tha babi. “Si mund të punojmë si një ekip?”

Amoni pati një ide. “Po sikur unë dhe Samueli të shtrojmë tryezën? Djemtë e tjerë mund të mbledhin lodrat.”

“Ide e shkëlqyer!” tha babi.

Shpejt darka ishte gati. Amoni kryqëzoi krahët e tij për lutjen. Ai ishte i lumtur që familja e tij kishte punuar si një ekip. Ai shpresonte që ekipi i tij i futbollit do të mund të bënte të njëjtën gjë.

Ilustrimi nga Mark Jarman