2014
Historia Familjare – Unë Po e Bëj
Tetor 2014


– Historia Familjare – Unë Po e Bëj

Fillimi mund të jetë i lehtë dhe zbavitës. Të rinjtë në mbarë botën po bëjnë histori familjare dhe po sjellin ndryshim.

Pamja
Two boys looking at family photo albums

Ku ta filloj? Ndoshta mendoni se të afërmit tuaj e kanë bërë tashmë të gjithë punën që mund të bëhet. Ose ndoshta jeni pa përvojë në historinë familjare dhe ju duket shumë e mbingarkuar. Pavarësisht nëse e filloni duke mbajtur një ditar personal, duke përgatitur emra për në tempull ose duke mësuar nga të afërmit tuaj të gjallë, ju mund të merrni pjesë në historinë familjare në mënyra zbavitëse dhe domethënëse.

Mbajtja e një Ditari Personal: Të Kujtuarit e Bekimeve Tona

Mbajtja e një ditari nuk është e lehtë. Ne shpesh i themi vetes se jemi shumë të zënë me punë ose shumë të lodhur, apo që jeta jonë nuk është mjaft emocionuese për të shkruar për të. E kuptova pak vite më parë se mbajtja e një ditari nuk kishte për qëllim të ishte e vështirë dhe se unë mund të arrija ta pëlqeja atë.

Fillova të shkruaja një gjë në ditë. Nuk kishte rëndësi nëse ishte vërtet e gjatë apo emocionuese; thjesht shkruaja atë që më vinte në mendje apo çfarëdo që kishte ndodhur atë ditë. Ajo tashmë ma ka bekuar jetën.

Një ditë dikush në familjen time po ndeshej me vështirësi dhe unë nuk isha e sigurt se çfarë t’i thoja asaj, por atëherë u nxita t’i lexoja një prej shkrimeve të ditarit tim. Isha në gjendje të ndaja një pjesë të vogël të vetes sime, të cilën e kisha shënuar në atë ditar të vogël, të zi dhe e pashë mënyrën se si më ndihmoi ta lehtësoja zemrën e saj.

Ua them me siguri se, nëse do të filloni të shkruani një gjë çdo ditë, ajo do t’ua bekojë jetën tuaj. Pavarësisht nga sa i gjatë apo i shkurtër, të shkruarit e bekimeve në jetën tuaj mund t’ju ndihmojë t’i kujtoni ato.

Xhentri W., Juta, SHBA

Gjetja e Gëzimit te Puna për Historinë Familjare: Kërkimi i Paraardhësve

Pamja
A young woman and elderly woman looking at family history papers.

Kur u pagëzova, dëgjova shumë rreth historisë familjare, por nuk dija se si ta bëja ose nëse mund ta bëja atë. Vendosa të lutem rreth saj dhe e ndjeva se duhej të filloja të punoja me të menjëherë. E ndjeva se paraardhësit e mi mezi prisnin që unë të filloja dhe që ata do të më ndihmonin ta gjeja informacionin e nevojshëm për t’i kryer ordinancat.

Fillova duke ndjekur një kurs të historisë familjare dhe pak kohë më pas u thirra të isha këshilltari për historinë familjare. Isha i shqetësuar ngaqë nuk dija shumë rreth saj, por e pranova thirrjen.

Një ditë i bëra vizitë motrës së gjyshes sime, e cila kishte dokumente rreth stërgjyshes sime. Ajo nuk donte të më jepte shumë informacion, sepse e kishin traditë të mos flisnin rreth të afërmve të vdekur. Ajo më tha se të nesërmen ishte përvjetori i vdekjes së stërgjyshes sime dhe se ajo do t’i digjte dokumentet. E pyeta nëse mund të gjeja ca informacion prej tyre fillimisht dhe ajo më la. E dija se Ati Qiellor do të më ndihmonte ta vazhdoja kërkimin tim.

Ndërsa shërbeja në qendrën e historisë familjare pranë tempullit, vazhdova të zbuloja më shumë rreth familjes sime. Mësova se dy prej gjyshërve të stërgjyshes sime ishin emigrantë italianë, të cilët kishin një fermë pranë San-Paolos në Brazil. Familja ime i kishte humbur kontaktet me të afërmit në fermë, por unë gjeta një kushëri që po shkruante një libër rreth gjenealogjisë së familjes sonë. Ma dha librin, të cilin i ishte dashur nëntë vjet që ta shkruante. Ai tha se nuk e dinte përse duhej ta shkruante atë, por e ndiente se do të ndihmonte dikë në të ardhmen. Unë e di se ishte shpirti i Elijas që e frymëzoi atë.

Përvojat e mia më mësuan se po bëjmë një punë të shenjtë. Paraardhësit tanë po presin për ndihmën tonë dhe ndodhen pranë nesh për të na ndihmuar.

Gabriel D., Brazil

Bërja e Punës në Tempull: Ordinancat e Shenjta

Pamja
Youth at the Preston England Temple.

Unë jam një i kthyer në besim dhe i vetmi anëtar i Kishës në familjen time. Kam mësuar se një nga ordinancat e shenjta është pagëzimi për të vdekurit. Shkova tek tempulli për një vizitë dhe, ndërsa dëgjoja prezantuesin të fliste rreth ordinancave, unë ndjeva një zë të qetë, të ulët, të më thoshte që të shkoja te qendra e historisë familjare për të dorëzuar një kërkesë për ordinanca tempulli për nënën time, e cila kishte vdekur. Isha kaq i lumtur kur më vonë dokumenti i FamilySearch vërtetoi se u krye puna e saj në tempull. Ma forcoi dëshminë time dhe unë e di se një nga arsyet përse jemi këtu në këtë tokë, është që ne t’i ndihmojmë paraardhësit tanë për të marrë ungjillin e vërtetë të Jezu Krishtit.

Marvin S., Filipine

Ndjekja e Nxitjes: Të Mësuarit prej të Afërmve të Gjallë

Pamja
Family members together at a table looking at a photo album.

Pasi mora diplomën e shkollës së mesme, ndieva mbresën që të vizitoja që të katër gjyshërit dhe gjyshet e mia. Pata pak kohë të lirë dhe e kuptova se mund të mos e kisha këtë mundësi përsëri, prandaj kalova një javë me secilin çift të gjyshërve të mi.

Harxhova kohë duke kërkuar nëpër kuti të vjetra, duke lexuar letra dhe duke parë fotografi të vjetra. Regjistrova ngjarje nga jeta e gjyshërve dhe e gjysheve të mia, eca nëpër varreza dhe vizitova vende ku kishin jetuar e punuar gjyshërit e gjyshet e mia dhe të afërmit e tyre. Ishte zbavitëse! Mësova kaq shumë rreth paraardhësve të mi, gjyshërve e gjysheve të mia, prindërve të mi dhe vetes sime. E kuptova se nuk do të kisha jetën që kam, në qoftë se nuk do të ishte për paraardhësit e mi.

Pas udhëtimit tim, u ktheva me rreth 1.000 emra të paraardhësve të mi dhe kam qenë në gjendje ta bëj punën në tempull për shumë prej tyre. Ndjekja e nxitjeve të Frymës së Shenjtë dhe vizita te gjyshërit dhe gjyshet e mia ishin një nga vendimet më të mira që kam marrë ndonjëherë.

Shenli P., Kaliforni, SHBA

Të Ndierit si në Shtëpi: Çuarja e Emrave në Tempull

Pamja
Indexing, UK Army war records screen, Wales, UK

Kur i kërkova babait tim ide për historinë familjare me qëllim që të plotësoja Përparimin tim Personal, ai shpjegoi se kishte gjetur disa emra të familjes disa vite më parë, por nuk kishte qenë në gjendje t’i bënte emrat gati për t’i çuar në tempull vetë për shkak të detyrimeve të tjera që kërkonin kohën e tij. Ndihma ime arriti të bënte të mundur që këta anëtarë të familjes t’i merrnin bekimet e tempullit.

Për disa muaj të ardhshëm, unë i kalova pasditet dhe mbrëmjet e të dielave duke shtuar emra në kompjuter dhe duke mësuar histori familjare nga babi im. Ne porositëm edhe mikrofisha për të gjetur më shumë informacion. Nganjëherë, kur ishte e vështirë t’i lexonim filmat e vjetër, unë do të thoja një lutje në heshtje dhe më pas do ta nxirrja letrën për t’i gjurmuar imazhet. Nga terri, emrat u shfaqën.

Përfundimisht unë mblodha një koleksion të madh të emrave të familjes dhe rinia e lagjes sonë ndihmoi për t’i kryer pagëzimet. Prindërit e mi dhe anëtarë të tjerë të lagjes më pas i morën kartat e emrave për të plotësuar ordinanca të tjera tempulli.

U duk se kaloi veçse një kohë e shkurtër përpara se ta gjeja veten duke u përgatitur për të shkuar në tempull për vetë indaumentin tim. Isha e emocionuar, por edhe e shqetësuar.

Ndërsa u drejtuam për tek tempulli, babi im shpjegoi se ai kishte gjetur disa nga kartat e emrave të familjes, të cilat i kisha përgatitur gjatë projektit të Përparimit tim Personal. Disa nuk ishin vënë në vendin e duhur, kështu që i solli kartat e emrave për nënën time, të fejuarin tim dhe për vete për t’i përfunduar. Më tregoi emrat e tyre dhe ata m’u kujtuan nga projekti im.

Ndërsa bëra besëlidhje të shenjta në tempull, ndjeva se u rrethova nga njerëzit e mi të dashur në të dyja anët e velit. Ndjeva një paqe të thellë që e dija se mund të isha e bashkuar përjetësisht me familjen time.

Holli P., Ajdaho, SHBA