2014
Zemra e Lizoçkës
Tetor 2014


Shtëpitë Tona, Familjet Tona

Zemra e Lizoçkës

Autorja jeton tani në Belgjikë.

Pamja
Mother holding a baby.

Ilustrimi nga Annie Henrie

Bashkëshorti im dhe unë u bashkuam me Kishën në Rusi në vitin 1995 dhe u vulosëm vitin vijues në Tempullin e Stokholmit në Suedi. Dy bijat tona të vogla gjithashtu u vulosën me ne. Dy vjet më vonë, ne u bekuam të kishim një tjetër bijë, Lizoçkën, që na u lind. Jeta jonë shkonte mirë. Ne ishim të gjithë të lumtur. Por dy ditë pas lindjes së saj, e vogla jonë filloi të kishte vështirësi në frymëmarrje. Për një muaj ajo shtoi vetëm 300 gram.

Punonjësit në qendrën mjekësore të fëmijëve na thanë ta ushqenim më shpesh. E shihja që ajo donte të hante, por nuk mundej. Më së fundi, burri im e çoi atë te spitali i qytetit. Doktori menjëherë na e dha diagnozën – e lindur me një defekt në zemër. Një valvul e zemrës nuk punonte dhe rrjedhja e paktë e gjakut drejt mushkërive të saj e bënte të vështirë për të që të merrte frymë ose të hante.

Asaj i nevojitej një operacion, por në Rusi fëmijët më të vegjël që e bënin këtë operacion, ishin dy vjeç. Bija jonë ishte vetëm njëmuajshe. Doktori na dha një recetë për mjekimin e saj dhe tha se më vonë, kur ajo të ishte më e madhe, ata do ta kryenin operacionin.

Një muaj më vonë, shëndeti i Lizoçkës u keqësua jashtëzakonisht dhe ne shkuam me të shpejtë në spital. E mbajta në duar ndërsa shkuam me makinë. Ajo më shihte sikur të më përgjërohej për ndihmë. Po të mos kisha qenë anëtare e Kishës, nuk e di se çfarë do të kisha bërë. Por unë dhe bashkëshorti im i mirëbesonim Zotit dhe besonim në mënyrë të palëkundshme se gjithçka do të ishte mirë. U përpoqa ta qetësoj, duke thënë: “Mos ki frikë për asgjë, e vogla ime. Perëndia na do. Ai do të na ndihmojë dhe gjithçka do të jetë në rregull.”

Më së fundi arritëm. Duke e mbajtur pranë vetes, vrapova drejt repartit të pranimit. Sytë e Lizoçkës filluan të mbylleshin. Ajo mezi po merrte frymë. Pothuajse pa mundur që të flisja, i tregova një mjeku rreth fëmijës sime dhe trupi mjekësor e çuan atë drejt repartit të reanimacionit. Mjeku tha se mushkëritë e saj kishin filluar të fryheshin dhe se ata e vendosën te një makinë për frymëmarrje artificiale.

Të nesërmen folëm me drejtorin e repartit të operacioneve të zemrës. Ai tha: “Unë kam bërë operacione të tilla, por vetëm në fëmijë më të rritur. Sa është ajo tani?”

“Dymuajshe”, i thamë atij.

“Ajo që tani ka shumë dhembje. Është kaq e vogël dhe enjtja e mushkërive të saj po i ndërlikon gjërat, por ne nuk duhet ta shtyjmë këtë më gjatë. Unë kurrë nuk kam bërë një operacion të tillë te një fëmijë i vogël. Do të përpiqem të bëj gjithçka që mundem. Ju do të duhet të blini një valvul të dyfishtë artificiale, por është shumë e shtrenjtë – rreth 2.100 dollarë. Operacioni do të jetë pas katër ditësh.”

Çfarë duhej të bënim ne? As ne dhe as dikush që njihnim, nuk kishte aq shumë para. Megjithatë, gjendja jonë u mësua prej të tjerëve dhe, nëpërmjet bujarisë së tyre dhe mëshirës së Zotit, ne ishim në gjendje t’i siguronim fondet. Burri im e bleu valvulën që na nevojitej për ta shpëtuar jetën e fëmijës sonë.

Jo vetëm që të gjithë vëllezërit dhe motrat e degës sonë u lutën dhe agjëruan për bijën tonë të vogël, por kështu bënë edhe misionarët dhe shumë shenjtorë të ditëve të mëvonshme anembanë qytetit. Ne e ndiem mbështetjen e tyre. Të ulur në korridor në ditën e operacionit, ne e ndiem praninë e Frymës së Shenjtë dhe i ndiem lutjet e vëllezërve dhe motrave tona. E dinim se ata ishin pranë nesh! Dhe Perëndia ishte me ne, duke i udhëhequr kirurgët. Ai nuk do të largohej prej nesh dhe gjithçka do të shkonte në rregull.

Kur kirurgu erdhi pas operacionit, ai, disi i mahnitur, na tha: “Çdo gjë shkoi në rregull. E vendosëm valvulën. Nuk e di se si, por doli me sukses.” Por ne e dinim se si doli me sukses. Ati Qiellor e bekoi atë.

Lizoçka qëndroi në spital tri ditë më shumë, ndërkohë që u ul enjtja e zemrës dhe e mushkërive të saj. Ajo kishte një prerje të hapur dhe të vulosur në mbyllje vetëm nga një membranë e hollë dhe, pak ditë më pas, ata e operuan përsëri që t’i mbyllnin kraharorin dhe organet e saj. Pothuajse asnjë prej mjekëve nuk e priste që ajo të mbijetonte. Por ne besonim tek Ati Qiellor dhe te fuqia e Tij, dhe ne besonim se, në qoftë se ishte vullneti i Tij, ajo do të shërohej.

Vetëm Perëndia mund të na e kishte dhënë përsëri Lizoçkën tonë. Me çdo ditë që kalonte, ajo bëhej më mirë. Ajo qëndroi në spital edhe për një muaj dhe tani është në shtëpi me ne.

Perëndia është një Perëndi mrekullish. Ai i dëgjon lutjet tona dhe, gjatë kohëve tona të vështira, Ai na mbart vetë. Sprovat na e forcojnë besimin tonë dhe na mësojnë të besojmë, të shpresojmë dhe të duam.