2014
Pyetje e Përgjigje
Tetor 2014


Pyetje & Përgjigje

“Po përpiqem t’i kontrolloj mendimet e mia, por ka kaq shumë tundime. Si mund të kem mendime më të pastra?”

Kontrollimi i mendimeve tuaja është i vështirë, por është i mundshëm dhe sjell bekime: “Ndërsa mësoni t’i kontrolloni mendimet tuaja, ju mund të mposhtni zakone, madje zakone shkatërruese vetjake. Ju mund të merrni kurajë, ta mposhtni frikën dhe të keni një jetë të lumtur.”1

Merrni parasysh edhe këto bekime:

  • Mendimet e pastra do ta ndihmojnë “të forcohet vetëbesimi yt në prani të Perëndisë” dhe “Fryma e Shenjtë do të jetë shoqëruesi yt i vazhdueshëm” (DeB 121:45–46).

  • Mendimet e pastra do t’ju ndihmojnë ta dalloni frymëzimin, sepse Fryma e Shenjtë i flet zemrës dhe mendjes suaj (shih DeB 8:2–3).

  • Mendimet e pastra do t’ju ndihmojnë t’i bindeni urdhërimit të parë të madh: ta doni Perëndinë me gjithë zemrën, shpirtin dhe mendjen tuaj (shih Mateu 22:37).

Ka shumë gjëra që mund të bëni për të pasur mendime më të pastra, sikurse do ta shihni nga idetë në këto faqe. Por një prej gjërave kryesore që mund të bëni – dhe ajo është një proces i shkallëzuar – është të mposhtni “njeriun e natyrshëm”. Burri ose gruaja e natyrshme pëlqen mendime të papastra. Ja se si ta mposhtni atë: “Njeriu i natyrshëm është një armik ndaj Perëndisë … dhe do të jetë gjithmonë e përgjithmonë, nëse ai nuk dëgjon thirrjet e Frymës së Shenjtë dhe nuk zhvesh njeriun e natyrshëm dhe nuk bëhet një shenjtor nëpërmjet shlyerjes së Krishtit Zot, dhe nuk bëhet si një fëmijë, i nënshtruar, i bindur, i përulur, i duruar, plot me dashuri” (Mosia 3:19).

Çfarë është një gjë që mund të bëni sot për ta ftuar Shlyerjen e Shpëtimtarit që ta sjellë këtë ndryshim në jetën tuaj?

Mjetet Mediatike dhe Miqtë

Një vend i mirë për ta filluar është të zgjidhni filma, muzikë dhe letërsi që lartësojnë moralisht. Zgjidhni miq në shoqërinë e të cilëve ju mund të mbani bashkëbisedime të denja dhe veprimtari të drejta. Ndërsa keni më shumë gjëra të mira për të menduar, shkallë-shkallë ju do ta shihni më të lehtë që t’i largoni mendimet e këqija dhe ato do të bëhen më pak të shpeshta.

Amber S., 18 vjeçe, British Kolumbia, Kanada

Lutja

Lutja më sjell më pranë Atit tonë Qiellor dhe më ndihmon të përqendrohem në mendime të mira. Studimi i përditshëm i shkrimeve të shenjta e forcon vetëbesimin tim në kapërcimin e tundimeve; në shkrimet e shenjta mund të shoh shembuj të dishepujve besnikë të Krishtit. Dhënia e dëshmisë sime gjithashtu më ndihmon t’i mbaj mendimet e mia të pastra.

Dasha M., 17 vjeçe, Kiev, Ukrainë

Shkrimet e Shenjta

Leximi i shkrimeve të shenjta çdo mëngjes përpara shkollës ndihmon. Sapo më lind një mendim i keq, unë menjëherë e zëvendësoj me diçka më të mirë. Në vend që të them: “Jo, mos e mendo atë” (e cila është një gjë e mirë për ta bërë), unë e zëvendësoj atë me një mendim të mirë. Mbani mend, ju e keni kontrollin e mendjes suaj, jo Satani. Ne jemi bij dhe bija të guximshme të Atit Qiellor dhe jemi në një mision të vazhdueshëm për ta përmirësuar veten.

Nik C., 16 vjeç, Arkansas, SHBA

E Mirë apo e Drejtë?

Ju nuk mund të kontrolloni gjithmonë nëse vjen një mendim, por ju mund të kontrolloni nëse ai qëndron. Ju mund të pyesni: A do të më sjellë ky mendim ndonjë të mirë? A do të më ndihmojë të eci në drejtimin e duhur? Kur një mendim tundues ngre krye, këndoni një këngë të mirë, mendoni për një kujtim të dashur ose lutuni. Gjithçka është rreth zëvendësimit të mendimeve të këqija me diçka të mirë.

Lisa P., 17 vjeçe, Danimarkë

Shembulli i Lehit

1 Nefi 15:27, Nefi u thotë vëllezërve të tij se ati i tyre, në vegimin e tij për pemën e jetës, u rrethua nga fëlliqësia. Por Lehi nuk e vuri re fëlliqësinë ngaqë “e përpirë [ishte] mendja e tij në gjëra të tjera”. Kjo mbetet e vërtetë për ne sot. Nëse dëshirojmë të mbushemi me drejtësi, lutemi për të dhe përqendrohemi në gjëra të drejta, atëherë mendja jonë do të jetë kaq e mbushur me drejtësi dhe virtyt sa mendimet e papastra nuk do të kenë fuqi për të qëndruar.

Heti W., 16 vjeçe, Arizonë, SHBA

Himnet

Himnet mund të na ndihmojnë të kemi mendime më të pastra. Muzika e mirë e lartëson shpirtin. Kur kam mundësi të dëgjoj himne, ato gjithmonë më lartësojnë drejt një sfere më të qetë dhe çelestiale. Ato më ndihmojnë të kujtoj dashurinë që Ati Qiellor ka për secilin prej nesh dhe bëhet më e lehtë që ta shmang tundimin.

Amanda A., 18 vjeçe, Amazonas, Brazil

Studimi Familjar i Shkrimeve të Shenjta

Kur mendime të papastra më vijnë në mendje, unë përpiqem të kujtoj shkrimet e shenjta që familja ime dhe unë lexuam në mëngjes. Çdo mëngjes në orën 6:00, familja ime i lexon së bashku shkrimet e shenjta. Është herët, por është një bekim dhe më bën të ndihem më e fortë gjatë ditës.

Elena W., 16 vjeçe, Zvicër

Sakramenti

Lutja e sakramentit thotë se, nëse marrim mbi vete emrin e Krishtit, zbatojmë urdhërimet e Tij dhe gjithmonë e kujtojmë Atë, ne vërtet do ta kemi gjithmonë Shpirtin e Tij me ne. Duke e kujtuar Atë, ne bëjmë përpjekjen për t’i larguar mendimet tokësore dhe për t’u përqendruar në mendime të përjetshme. Kur e kujtojmë Atë vazhdimisht, mendimet, dëshirat dhe veprimet tona do të ndryshojnë për më mirë.

Mekej M., 18 vjeçe, Juta, SHBA

Shënim

  1. Boyd K. Packer, “Worthy Music, Worthy Thoughts”, Liahona, prill 2008, f. 31.