2014
Puna Misionare, e Historisë Familjare dhe në Tempull
Tetor 2014


Puna Misionare, e Historisë Familjare dhe në Tempull

Nga një bisedë e dhënë në seminarin për presidentët e rinj të misioneve më 25 qershor 2013.

Pamja
study

Në një asamble solemne të mbajtur në Tempullin e Kirtlandit më 6 prill 1837, Profeti Jozef Smith tha: “Pas gjithçkaje që është thënë, detyra më e madhe dhe më e rëndësishme është të predikojmë Ungjillin”1.

Pothuajse pikërisht shtatë vjet më vonë, më 7 prill 1844, ai shpalli: “Përgjegjësia më e madhe në këtë botë që Perëndia ka vendosur mbi ne, është që të kërkojmë të vdekurit tanë. Apostulli thotë: ‘Ata të mos arrinin në përsosje pa ne’ [shih Hebrenjve 11:40]; sepse është e nevojshme që fuqia vulosëse duhet të jetë në duart tona për të vulosur fëmijët tanë dhe të vdekurit tanë për plotësinë e periudhës së kohërave – një periudhë ungjillore kjo për të plotësuar premtimet e bëra nga Jezu Krishti përpara krijimit të botës për shpëtimin e njeriut.”2

Disa njerëz mund të vrasin mendjen se si që të dyja, predikimi i ungjillit dhe të kërkuarit e të vdekurve tanë, mund të jenë në të njëjtën kohë detyrat dhe përgjegjësitë më të mëdha që Perëndia ka vendosur mbi fëmijët e Tij. Qëllimi im është të sugjeroj se këto mësime vënë në dukje të qenit të bashkuar dhe unitetin e punës së ditëve të mëvonshme për shpëtimin. Puna misionare, puna e historisë familjare dhe puna në tempull janë aspekte të ndërthurura dhe që e plotësojnë njëra-tjetrën, të një pune të madhërishme, “që, kur të plotësoheshin kohërat, t’i sillte në një krye të vetëm, në Krishtin, të gjitha gjërat, ato që janë në qiejt dhe ato që janë mbi dhe” (Efesianëve 1:10).

Unë lutem që fuqia e Frymës së Shenjtë do t’ju ndihmojë ju dhe mua, ndërkohë që marrim parasysh punën e mrekullueshme të ditëve të mëvonshme për shpëtimin.

Zemrat dhe Ordinancat e Priftërisë

Predikimi i ungjillit dhe kërkimi i të vdekurve tanë janë dy përgjegjësi të caktuara në mënyrë hyjnore, të cilat lidhen si me zemrat edhe me ordinancat e priftërisë. Thelbi i punës së Zotit është ndryshimi, kthimi dhe dëlirja e zemrave nëpërmjet besëlidhjeve dhe ordinancave të kryera nga autoriteti i duhur i priftërisë.

Fjala zemër përdoret mbi 1.000 herë në veprat standarde dhe simbolizon ndjenjat e brendshme të një individi. Pra, zemrat tona – shuma e përgjithshme e dëshirave, ndjenjave, qëllimeve, synimeve dhe sjelljeve tona – përkufizojnë se kush jemi dhe përcaktojnë atë që vërtet do të bëhemi.

Qëllimi i Zotit për punën misionare është që t’i ftojë të gjithë të vijnë te Krishti, të marrin bekimet e ungjillit të rivendosur dhe të durojnë deri në fund me anë të besimit te Krishti.3 Ne nuk e ndajmë ungjillin thjesht për të rritur madhësinë numerike dhe forcën e Kishës së ditëve të mëvonshme. Përkundrazi, ne kërkojmë të plotësojmë përgjegjësinë e caktuar në mënyrë hyjnore për ta shpallur realitetin e planit të Atit për lumturinë, natyrën hyjnore të Birit të Tij të Vetëmlindur, Jezu Krishtit, dhe efektshmërinë e flijimit shlyes të Shpëtimtarit. Të ftuarit e të gjithëve “të vi[jnë] te Krishti” (shih Moroni 10:30–33), të përjetuarit e “ndryshimi[t të] madh” të zemrës (shih Alma 5:12–14) dhe të ofruarit e ordinancave të shpëtimit individëve në vdekshmëri, që nuk janë ende në besëlidhje, janë synimet thelbësore të predikimit të ungjillit.

Bërja e mundur e ekzaltimit të të gjallëve dhe të vdekurve është qëllimi i Zotit për ndërtimin e tempujve dhe për kryerjen e ordinancave mëkëmbëse. Ne nuk adhurojmë në tempuj të shenjtë vetëm që të kemi një përvojë mbresëlënëse vetjake apo familjare. Përkundrazi, ne kërkojmë të përmbushim përgjegjësinë e caktuar në mënyrë hyjnore për t’u ofruar ordinancat e shpëtimit dhe të ekzaltimit mbarë familjes njerëzore. Mbjellja në zemrat e fëmijëve e premtimeve të bëra etërve, madje Abrahamit, Isakut dhe Jakobit; kthimi i zemrave të fëmijëve tek etërit e tyre; dhe kryerja e kërkimit të historisë familjare dhe e ordinancave mëkëmbëse në tempull janë vepra që i bekojnë individët në botën e shpirtrave, të cilët nuk janë ende nën besëlidhje.

Pamja
temple

Ordinancat e priftërisë janë shtegu drejt fuqisë së perëndishmërisë:

“Dhe kjo priftëri më e madhe administron ungjillin dhe mban çelësin e mistereve të mbretërisë, madje çelësin e diturisë së Perëndisë.

Si rrjedhim, në ordinancat e saj, fuqia e perëndishmërisë manifestohet.

Dhe pa ordinancat e saj dhe pa autoritetin e priftërisë, fuqia e perëndishmërisë nuk u manifestohet njerëzve në mish” (DeB 84:19–21).

Ju lutem merrni parasysh rëndësinë qartësuese të këtyre vargjeve. Një individ së pari duhet të kalojë përmes portës së pagëzimit dhe të marrë dhuratën e Frymës së Shenjtë – dhe më pas të shtyhet përpara përgjatë shtegut të besëlidhjeve dhe ordinancave që çojnë drejt Shpëtimtarit dhe besëlidhjeve të Shlyerjes së Tij (2 Nefi 31). Ordinancat e priftërisë janë thelbësore që të vijmë tërësisht “te Krishti dhe [të] përsos[emi] në të” (shih Moroni 10:30–33). Pa ordinancat, një individ nuk mund t’i marrë të gjitha bekimet e bëra të mundshme nëpërmjet flijimit shlyes, të pafundëm dhe të përjetshëm të Zotit (shih Alma 34:10–14) – madje fuqinë e perëndishmërisë.

Puna e Zotit është një punë e mrekullueshme, e përqendruar te zemrat, besëlidhjet dhe ordinancat e priftërisë.

Pasojat

Kjo doktrinë hyjnore sugjeron dy pasoja të rëndësishme për punën tonë në Kishë.

Së pari, ne shpesh mund të mos u japim theksimin e duhur kategorive të veçanta të punës së shpëtimit dhe rregullave e procedurave të lidhura me to. Kam frikë se shumë prej nesh mund të përqendrohen në mënyrë të vetme dhe të tepruar në aspekte të veçanta të punës së Zotit, sa nuk arrijmë të mbledhim fuqinë e plotë të kësaj pune tërësore të shpëtimit.

Ndërsa Zoti kërkon t’i mbledhë të gjitha gjërat së bashku në Krishtin, ne shpesh mund të ndahemi dhe veçohemi në mënyra që e kufizojnë kuptueshmërinë dhe vegimin tonë. Kur çohet deri në ekstrem, përparësi i jepet drejtimit të programeve dhe rritjes së statistikave përmbi të ftuarin e individëve që të hyjnë në besëlidhje dhe t’i marrin besëlidhjet me denjësi. Një drejtim i tillë i ndrydh dëlirjen, gëzimin, kthimin e vazhdueshëm në besim dhe fuqinë e mbrojtjen shpirtërore që vijnë prej “dhënies së zemrave [tona] Perëndisë” (Helamani 3:35). Thjesht kryerja dhe përfundimi me besnikëri i të gjitha gjërave në listën tonë të gjatë të gjërave “për t’u bërë” në ungjill, nuk na aftëson domosdoshmërisht për të marrë shëmbëlltyrën e Tij në pamjen tonë ose për të sjellë ndryshimin e madh të zemrës (shih Alma 5:14).

Së dyti, shpirti i Elijas është qendror dhe thelbësor në punën e shpalljes së ungjillit. Ndoshta Zoti po e theksonte këtë të vërtetë në vetë rendin e ngjarjeve që ndodhën kur plotësia e ungjillit u rivendos në tokë në këto ditë të mëvonshme.

Në Korijen e Shenjtë, Jozef Smithi pa dhe foli me Atin e Përjetshëm dhe Jezu Krishtin. Ky vegim shënoi fillimin e “[periudhës kur] plotësoheshin kohërat” (Efesianëve 1:10) dhe e aftësoi Jozefin që të mësonte rreth natyrës së vërtetë të Kreut-Perëndi dhe për zbulesën e vazhdueshme.

Afërsisht tre vjet më vonë, në përgjigje të lutjes së sinqertë në mbrëmjen e 21 shtatorit 1823, dhoma e fjetjes e Jozefit u mbush me dritë derisa “ishte më e shndritshme se në mesditë” (Joseph Smith – Historia 1:30). Një personazh iu shfaq në anë të shtratit, e thirri djaloshin me emër dhe tha se “ishte një lajmëtar i dërguar nga prania e Perëndisë … dhe se emri i tij ishte Moroni” (Joseph Smith – Historia 1:33). Ai e udhëzoi Jozefin lidhur me ardhjen e Librit të Mormonit. E më pas Moroni citoi nga libri i Malakias në Dhiatën e Vjetër, me pak ndryshim në gjuhën e përdorur te Varianti i Mbretit Xhejms:

“Vini re, unë do t’ju zbuloj Priftërinë, nga dora e Elijas profetit, përpara ardhjes së ditës së madhe dhe të tmerrshme të Zotit. … Dhe ai do të mbjellë në zemrat e fëmijëve premtimet e bëra etërve dhe zemrat e fëmijëve do të kthehen tek etërit e tyre. Në qoftë se nuk do të ishte kështu, e tërë toka do të shkatërrohej plotësisht në ardhjen e tij” (Joseph Smith – Historia 1:38–39).

Udhëzimet e Moronit për profetin e ri në fund të fundit përfshinin dy tema thelbësore: 1) Librin e Mormonit dhe 2) fjalët e Malakias që parathoshin rolin e Elijas në Rivendosjen e “të gjitha gjërave, për të cilën Perëndia ka folur nëpërmjet gojës së gjithë profetëve të tij të shenjtë, që nga fillimi i botës” (Veprat e Apostujve 3:21). Kështu, ngjarjet parathënëse të Rivendosjes zbuluan një kuptim të saktë për Kreun-Perëndi, themeluan realitetin e zbulesës së vazhdueshme, theksuan rëndësinë e Librit të Mormonit dhe parashikuan punën e shpëtimit dhe të ekzaltimit si për të gjallët edhe për të vdekurit.

Ju lutem tani të merrni parasysh rolin e Librit të Mormonit në ndryshimin e zemrave – dhe shpirtin e Elijas në kthimin e zemrave.

Libri i Mormonit, i ndërthurur me Shpirtin e Zotit, është “mjeti më i madhërishëm të cilën na e ka dhënë Perëndia për ta kthyer botën në besim”4. Ky vëllim i shkrimit të shenjtë për Rivendosjen është gurthemeli i fesë sonë dhe është thelbësor në sjelljen e shpirtrave te Shpëtimtari. Libri i Mormonit është një tjetër dëshmi e Jezu Krishtit – një dëshmi jetike që pohon natyrën hyjnore të Shëlbuesit në një botë që bëhet gjithnjë e më shumë laike dhe cinike. Zemrat ndryshohen kur individët e lexojnë dhe studiojnë Librin e Mormonit dhe luten me qëllim të vërtetë rreth vërtetësisë së librit.

Shpirti i Elijas është “një shfaqje e Frymës së Shenjtë që jep dëshmi për natyrën hyjnore të familjes”5. Ky ndikim karakteristik i Frymës së Shenjtë jep dëshmi të fuqishme për planin e Atit për lumturinë dhe i tërheq njerëzit që të kërkojnë e t’i duan paraardhësit e tyre dhe anëtarët e familjes së tyre – si të së shkuarës dhe të tanishmes. Shpirti i Elijas i ndikon njerëzit, si brenda ashtu edhe jashtë Kishës, dhe i bën zemrat të kthehen tek etërit.

Koha ka ardhur për ne që të përfitojmë në mënyrë më frytdhënëse nga ndërthurja e fortë e ndryshimit të fuqishëm të zemrës, të bërë të mundur kryesisht me anë të fuqisë shpirtërore të Librit të Mormonit, dhe kthimit të zemrave tek etërit, të arritur nëpërmjet shpirtit të Elijas. Një dëshirë e madhe për lidhjen me të shkuarën tonë mund ta përgatitë një individ që të marrë virtytin e fjalës së Perëndisë dhe ta forcojë besimin e tij ose të saj. Një zemër e kthyer tek etërit e ndihmon në mënyrë të pashoqe një individ që t’i bëjë ballë ndikimit të kundërshtarit dhe që ta forcojë kthimin në besim.

Shikoni videon e dytë për të parë një histori që e tregon konkretisht këtë parim.

Parimet

Tani unë dëshiroj të përcaktoj katër parime rreth fuqisë shpirtërore që rrjedh nga ndryshimi dhe kthimi i zemrave.

  1. Zemrat dhe kthimi në besim. Kthimi tek etërit e zgjon dhe përgatit një zemër për ndryshimin e fuqishëm. Kështu, shpirti i Elijas ndihmon në kthimin në besim.

    Shikoni videon e tretë për të parë një histori që e tregon konkretisht këtë parim.

  2. Zemrat dhe mbajtja në besim. Kthimi tek etërit i mbështet dhe i forcon zemrat që e kanë përjetuar ndryshimin e fuqishëm. Kështu, shpirti i Elijas ndihmon në mbajtjen në besim të të kthyerve të rinj.

    Shikoni videon e katërt për të parë një histori që e tregon konkretisht këtë parim.

  3. Zemrat dhe riaktivizimi. Kthimi tek etërit e zbut një zemër që është ngurtësuar pasi e përjetoi ndryshimin e fuqishëm. Kështu, shpirti i Elijas është thelbësor në riaktivizimin.

    Shikoni videon e pestë për të parë një histori që e tregon konkretisht këtë parim.

  4. Zemrat dhe misionarët e guximshëm. Një misionar që ka përjetuar si ndryshimin e fuqishëm edhe kthimin e zemrës, do të jetë një shërbëtor më i kthyer në besim, më i përkushtuar dhe më i guximshëm.

    Shikoni videon e gjashtë për të parë një histori që e tregon konkretisht këtë parim.

Me një forcë misionare që po rritet me shpejtësi dhe të përgatitur më mirë, ne thjesht nuk mund të mbështetemi vetëm në sukseset e shpërndarjes së ungjillit të së kaluarës për të përcaktuar drejtimin tonë dhe metodat tona për të ardhmen. Zoti ka frymëzuar teknologji e mjete që na aftësojnë për të përfituar nga uniteti i punës misionare dhe punës në tempull e të historisë familjare më shumë sesa në ndonjë kohë të mëparshme në këtë periudhë të kujdestarisë ungjillore. Dhe nuk është rastësi që këto shpikje kanë ardhur pikërisht në kohën që nevojiten kaq shumë, për ta çuar përpara punën misionare anembanë tokës. Puna e Zotit është një punë e mrekullueshme, e përqendruar te zemrat që ndryshojnë dhe kthehen, në besëlidhjet e shenjta dhe te fuqia e perëndishmërisë që shfaqet nëpërmjet ordinancave të priftërisë.

Përmbledhja dhe Dëshmia

Zoti shpalli: “Jam në gjendje të bëj punën time” (2 Nefi 27:21) dhe “Unë do ta përshpejtoj veprën time në këtë kohë” (DeB 88:73). Ne jemi dëshmitarë të përshpejtimit prej Tij të punës së Tij.

Ne jetojmë dhe shërbejmë në periudhën e kujdestarisë ungjillore të plotësisë së kohëve. Njohja e rëndësisë së përjetshme të periudhës karakteristike të kujdestarisë ungjillore në të cilën jetojmë, duhet ta ndikojë gjithçka që bëjmë dhe përpiqemi të bëhemi. Puna e shpëtimit që do të përmbushet në këto ditë të fundit, është madhështore, e pafundme, thelbësore dhe urgjente. Sa mirënjohës duhet të jetë secili prej nesh për bekimet dhe përgjegjësitë e të jetuarit në këtë stinë të veçantë të periudhës përfundimtare të kujdestarisë ungjillore. Sa të përulur duhet të jemi ngaqë e dimë se “atij që shumë i është dhënë, shumë i kërkohet” (DeB 82:3).

Predikimi i ungjillit dhe kërkimi i të vdekurve tanë janë dy përgjegjësi plotësuese të një pune të madhërishme – një vepre të dashurisë që ka për qëllim të ndryshojë, kthejë dhe pastrojë zemrat e kërkuesve të ndershëm të së vërtetës. Vija kufizuese, artificiale, që ne kaq shpesh e vendosim midis punës misionare dhe punës në tempull e të historisë familjare, po fshihet; kjo është e njëjta punë e madhërishme e shpëtimit.6

A mund të fillojmë ta kuptojmë rolin e punës në tempull dhe të historisë familjare për ta ndihmuar një kërkues ose një anëtar më pak aktiv që të fitojë kuptueshmëri më të thellë për planin e shpëtimit? A e pranojmë se një nga ndikimet më të mëdha të mbajtjes në besim të të kthyerve është shpirti i Elijas? A mund ta vlerësojmë në mënyrë më të plotë rëndësinë e çasteve të kthimit të zemrave, të bërë të mundur nëpërmjet tregimit të ngjarjeve familjare si një mjet për të gjetur njerëz që të mësohen si nga anëtarët ashtu edhe misionarët? A mund t’i ndihmojmë ata, të cilëve u shërbejmë, që t’i përdorin më shpesh fuqitë e perëndishmërisë duke marrë pjesë me denjësi në ordinanca, të tilla si sakramenti dhe pagëzimet e konfirmimet për të vdekurit?

Shikofshi qartësisht, dëgjofshi në mënyrë të pagabueshme dhe gjithmonë kujtofshi rëndësinë e shërbimit tuaj në punën e Zotit për ndryshimin, kthimin dhe pastrimin e zemrave.

Shënime

  1. Mësimet e Presidentëve të Kishës: Jozef Smith (2007), f. 349.

  2. Mësime: Jozef Smith, f. 508.

  3. Shih Predikoni Ungjillin Tim: Një Udhëzues për Shërbimin Misionar (2004), f. 1.

  4. Ezra Taft Benson, “A Mighty Change of Heart”, Ensign, nëntor 1984, f. 7.

  5. Russell M. Nelson, “A New Harvest Time”, Liahona, maj 1998, f. 34.

  6. Shih Spencer W. Kimball, “The Things of Eternity – Stand We in Jeopardy?” Ensign, janar 1977, f. 3.

Pamja e kutive me përzgjedhje nga Peshkova/iStock/Thinkstock