2014
Shikoni Lart
Tetor 2014


Shikoni Lart

Nga “Shikoni Lart”, Liahona, nëntor 2013, f. 102.

“Prandaj rrini zgjuar dhe lutuni kurdoherë” (Lluka 21:36) .

Kur isha tetë vjeç, unë dhe dy kushërinj të mi u dërguam në një qytet aty afër për të marrë ushqime. Duke vështruar pas, mahnitem nga besimi i madh që kishin te ne gjyshja ime, halla dhe ungji im. Qiejt e mëngjesit ndriçonin e shkëlqenin ndërsa u nisëm me tre kuajt tanë.

Në mes të stepës, vendosëm të zbritnim dhe të luanim me guralecë. Ne ishim kaq të përpirë nga loja, saqë nuk shikuam lart për të parë retë e errëta që po mbulonin qiellin. Kur e kuptuam se po vinte një stuhi, ne nuk kishim kohë t’u hipnim kuajve. Shiu i dendur dhe breshëri na goditën kaq fort saqë gjithçka që mund të bënim, ishte t’i hiqnim shalat e kuajve dhe të fshiheshim nën mbulesat e tyre. Më pas kuajt tanë ia mbathën.

Pa kuaj, të lagur dhe të ftohur, ne filluam të ecnim sa më shpejt të mundeshim drejt një qyteti aty pranë. Ishte vonë kur gjetëm një shtëpi dhe trokitëm në derë. Familja atje na thau, na ushqeu me burritos të shijshëm me fasule dhe pastaj na vuri të flemë në një dhomë me dysheme prej dheu.

Unë dhe kushërinjtë e mi u ngritëm në mëngjes, me një diell të shndritshëm dhe qiell të bukur. Një burrë trokiti në derë duke kërkuar tre djem të humbur. Unë nuk do ta harroj kurrë atë që pamë rrugës për në shtëpi – një mori njerëzish që kishin qenë duke na kërkuar gjatë gjithë natës. Në krye të të gjithëve, ishin gjyshja ime e dashur, ungji dhe halla ime. Ata na përqafuan dhe qanë, të gëzuar se i kishin gjetur fëmijët e tyre të humbur.

Ati ynë Qiellor është i kujdesshëm ndaj nesh. Ai po e pret me padurim kthimin tonë në shtëpi. Ka shenja të stuhive shpirtërore kudo rreth nesh. Le të shikojmë lart e ta përgatitim veten tonë duke i forcuar dëshmitë tona çdo ditë.

Ilustrimi nga Shawna Tenney