2014
Kundërshtimi ndaj Misionit Tim
Tetor 2014


Kundërshtimi ndaj Misionit Tim

Autori jeton në Manaus të Brazilit.

Presidenti i kunjit tim, pasi më intervistoi për të shërbyer në një mision, më tha: “Gjëra të çuditshme do të ndodhin në jetën tënde, në përpjekje për të ta ndryshuar mendjen”.

Pamja
illustration of worried-looking young man

Ilustrim nga Greg Newbold

U bashkova me Kishën në moshën 15-vjeçare dhe katër vite më vonë dorëzova aplikimin për misionar. Në intervistën me presidentin e kunjit, ai më përgëzoi që vendosa t’i shërbeja Zotit si një misionar kohëplotë. Më pas, ai udhëheqës i frymëzuar, tha diçka që la një përshtypje të thellë tek unë: “Vëlla, që tani e tutje, gjëra të çuditshme do të ndodhin në jetën tënde, në përpjekje për të ta ndryshuar mendjen rreth vendimit për t’i shërbyer Zotit”.

Ndërsa prisja thirrjen e misionit, unë po punoja si stazhier për kompaninë Xerox. Kjo punë bëri të mundur që të siguroja disa gjëra që do të më nevojiteshin për në terrenin e misionit dhe për ta ndihmuar nënën time për shpenzimet në shtëpi. Gjërat po shkonin shumë mirë.

Fatkeqësisht, filluan të ndodhnin “gjëra të çuditshme”. Së pari, nënën time e sulmuan dhe pothuajse vdiq nga plagët, por një Atë i dashur Qiellor e kurseu mrekullisht jetën e saj.

Në atë kohë, nëna ime, dy motra më të vogla dhe unë jetonim në një shtëpi të marrë me qira. Ne jetonim me rrogën time dhe një përfitim të vogël që merrte nëna për shkak të vdekjes së babait tim vite më parë.

Disa njerëz, përfshirë anëtarë të Kishës, do të pyesnin: “A do ta kesh kurajën ta lësh kështu nënën tënde dhe të shkosh në mision?” Të dëgjuarit e kësaj pyetjeje vazhdimisht, filloi të shkaktonte dyshime në zemrën time.

Një ditë, presidenti i kunjit më mori në telefon dhe më tha se kishte ardhur thirrja e misionit, dhe më kërkoi të shkoja në zyrën e tij atë mbrëmje që të më jepte zarfin e shumëpritur nga zyrat qendrore të Kishës. Isha edhe në ankth edhe i lumtur nga lajmi.

Në të njëjtën ditë, administratori im në punë kërkoi që të fliste me mua përpara drekës. Kur hyra në zyrën e tij, u përshëndeta në një mënyrë miqësore dhe biseduam për pak minuta rreth trajnimit tim dhe asaj që kisha mësuar në kompani. Pastaj, ai burrë i fuqishëm në organizatë tha diçka që ishte ëndrra e shumë prej njerëzve në qytet: “Ti ke bërë një punë të mirë këtu si stazhier dhe ne duam të të marrim në punë dhe të të mbajmë në ekip. Si mendon?”

Ky qe një nga vendimet më të vështira të jetës sime. Sekondat dukeshin si përjetësi. M’u duk sikur mund t’i dëgjoja njerëzit të më pyesnin nëse do ta braktisja nënën time pa një mbështetje financiare dhe të shkoja në terrenin e misionit.

Megjithatë, m’u kujtuan gjërat që kisha mësuar nga shkrimet e shenjta dhe udhëheqësit e mi të Kishës, dhe në një mënyrë shumë të shenjtë, e dija me një siguri të palëkundshme se Perëndia donte që unë të shërbeja si një misionar kohëplotë i Kishës së Tij. E dija se Ai do të kujdesej për familjen time, se mund t’i mirëbesoja Atij dhe se çdo gjë do të shkonte mirë.

Ia shpjegova situatën administratorit tim dhe përgjigjja e tij ende jehon në mendjen time: “Mendova se ishe një djalë me ide të qarta dhe ja ku je, duke hedhur poshtë mundësinë e jetës tënde”.

E falënderova nga thellësia e zemrës sime për ofertën e tij dhe, 28 ditë më vonë, unë raportova në qendrën e trajnimit të misionarëve në San-Paolo të Brazilit.

Gjatë misionit tim, Zoti siguroi për nevojat e familjes sime përmes miqve të Kishës dhe në mënyra mrekullibërëse. Nënës sime iu rikthye shëndeti dhe dolën mundësi të reja pune për atë dhe motrat e mia.

Ndodhin me të vërtetë “gjëra të çuditshme” kur zgjedhim t’i shërbejmë Zotit. Prapëseprapë, unë do t’ia shtoja dëshminë time dëshmive të mijëra të tjerëve që kanë hyrë në shërbimin e Perëndisë, se shërbimi misionar ka ndikuar thellësisht në jetën time.