2014
Të Shërbyerit Tani që të Shërbejmë më Vonë
Tetor 2014


Të Shërbyerit Tani që të Shërbejmë më Vonë

Autori jeton në Jutë të SHBA-së.

“Shërbejini Zotit me të gjithë zemrën tuaj” (1 Samuelit 12:20).

“Unë do të bëj garë me ty rrugës për në kishë!” tha Mórmoni, duke treguar me gisht për te maja e kishës që dilte mbi pemët e palmave. Pastaj ai vrapoi sa më shpejt që mundi për t’ia kaluar vëllait të tij më të vogël, Morianit.

Djemtë dhe prindërit e tyre tashmë kishin ecur gati 1.6 km nga shtëpia e tyre, por Mórmoni dhe Moriani ishin ende duke garuar fort kur arritën te porta e hekurt jashtë shtëpisë së mbledhjes së lagjes së tyre. Ata ndaluan për të marrë frymë.

Përpara se të mund të vendosnin se kush fitoi, një djalë u thirri atyre: “Doni të luani futebol?”

Mórmoni e donte futebolin por ai dhe familja e tij do të pastronin ndërtesën e lagjes, që të mund të ishte gati për kishë ditën tjetër.

Mórmoni tundi kokën. “Jo tani – ndoshta më vonë!” ia ktheu ai.

Shpejt Mórmoni dhe Moriani ishin duke punuar fort. Mórmoni lëvizte karriget dhe fshinte dyshemetë me babin e tij ndërsa Moriani lante dyshemetë me mamin.

Më vonë djemtë po lanin së bashku pasqyrat në banjë. “Nuk mendoja se do ta pëlqeja pastrimin e kishës por qenka argëtuese”, tha Moriani. “Po ti, Mórmon? Për këtë arsye erdhe në vend që të luash futebol?”

Mórmoni mendoi për të atin. Ai ishte peshkopi i lagjes së tyre, por prapëseprapë gjeti kohën për të ndihmuar për pastrimin e shtëpisë së mbledhjes.

“Jam këtu sepse dua të jem si babi”, tha Mórmoni.

Pastaj ai mendoi për misionarët e lagjes së tij. Ata ishin të zënë duke trokitur nëpër dyer dhe duke ndarë Librin e Mormonit me të tjerë. Ata i ftonin njerëzit të vinin në kishë, te ndërtesa që po pastronin djemtë.

“Jam këtu sepse një ditë dua të shërbej edhe në një mision”, mendoi Mórmoni. “Mund t’i ndihmoj misionarët duke e bërë kishën gati.”

Mórmoni mendoi rreth të nesërmes, kur ai dhe vëllai i tij do të ngriheshin në 6:00 të mëngjesit, të ecnin për në kishë me këmishët dhe kollaret e tyre të bardha dhe të përgatitnin karriget dhe librat e këngëve në dhomën e Fillores.

“Jam këtu sepse dua të shërbej në një thirrje në Kishë”, mendoi ai.

Mórmoni mendoi rreth mënyrës se si së shpejti ai do të ishte një dhjak. Ai do të shpërndante sakramentin dhe do të bënte shumë gjëra të tjera për të shërbyer.

“Jam këtu sepse vitin që vjen unë do të marr priftërinë dhe dua të bëj gjithçka që mundem tani për t’u bërë gati.”

Mórmoni e kishte bërë tashmë diçka që të përgatitej për priftërinë: ai kishte fituar çmimin e tij Besim në Perëndi. Ai tashmë po mësonte të jetonte ungjillin dhe t’u shërbente të tjerëve.

Më në fund, ai pa reflektimin e të vëllait në pasqyrë dhe buzëqeshi.

“Jam këtu sepse unë e dua Zotin”, tha ai “dhe sepse të shërbyerit tani do të më ndihmojë të bëhem gati për të shërbyer më vonë.”

Ilustrime nga Adam Koford