2014
I Dëgjova Fëmijët
Tetor 2014


I Dëgjova Fëmijët

Xhoi Kromër, Kaliforni, SHBA

Pamja
illustration of child praying by his bed

Depresioni klinik ishte diçka me të cilën kurrë nuk dëshiroja të ndeshesha përsëri. Por pasi kisha qenë e çliruar prej tij për 12 vjet, ai u kthye.

Isha e frikësuar dhe e shqetësuar. E pyeta Atin Qiellor dhe u luta për forcën që t’ia dilja mbanë sprovës sime. Gjithashtu iu përgjërova Atij që depresioni im nuk do të zgjaste pesë vjet, siç kishte zgjatur herën e fundit.

Bashkëshorti im dhe unë kemi tre fëmijë, dy djem dhe një vajzë, të cilët na kanë bekuar me 13 nipër e mbesa. Duke e ditur dëshpërimin që po hasja, bija ime e organizoi familjen për një ditë agjërimi e lutjeje. Të gjithë nipërit e mbesat, mosha nga 1 deri në 10 vjeç, donin të luteshin për gjyshen dhe tre që ishin pagëzuar, donin të agjëronin. Ishte një ngushëllim i madh të dija se bashkëshorti im, fëmijët e mi dhe nipërit e mbesat e mia do të agjëronin e luteshin për hirin tim.

Të nesërmen, kur u zgjova nga një dremitje, ndjenja e depresionit nuk dukej dhe aq e fuqishme. Të nesërmen u largua edhe më shumë. Pas ditës së pestë, depresioni im u largua tërësisht. Atë mbrëmje, ndërsa po mendoja thellë rreth mënyrës se si kishte ndodhur kjo mrekulli, një zë ma preku qenien time dhe më tha: “I dëgjova fëmijët”. Ati Qiellor i kishte dëgjuar ata në pafajësinë e tyre dhe iu ishte përgjigjur lutjeve të tyre të përulësisë, besimit dhe dashurisë.

Shpëtimtari na mësoi:

“Në qoftë se nuk ktheheni dhe nuk bëheni si fëmijët e vegjël, ju nuk do të hyni fare në mbretërinë e qiejve.

Kush, pra, do të përulet si ky fëmijë i vogël, do të jetë më i madhi në mbretërinë e qiejve” (Mateu 18:3–4).

Kam pasur letërkëmbim me nipërit dhe mbesat e mia dhe i kam falënderuar për agjërimin dhe lutjen për hirin tim. U thashë atyre se sa shumë i dua. U thashë se Ati Qiellor i kishte dëgjuar ata dhe iu përgjigj lutjeve të tyre.

Ndërsa nipërit dhe mbesat e mia rriten në ungjill, shpresoj që ata do ta kujtojnë kohën kur Ati Qiellor i tha gjyshes së tyre: “I dëgjova fëmijët”. Dhe shpresoj që ajo përvojë do ta forcojë dëshminë e tyre dhe do t’i ndihmojë të qëndrojnë të fortë në ungjill.

Të gjithë nipërit e mbesat, mosha nga 1 deri në 10 vjeç, donin të luteshin për gjyshen dhe tre që ishin pagëzuar, donin të agjëronin.