2014
Lutja me Besim
Tetor 2014


Mesazhi i Presidencës së Parë

Lutja me Besim

Pamja
A young woman kneeling by her bed in prayer. There is a copy of the Book of Mormon on the bed in front of her.

Lutja është më shumë se fjalë që ne ia themi Perëndisë. Ajo është një komunikim i ndërsjellë midis Perëndisë dhe fëmijëve të Tij.

Kur lutja funksionon siç duhet, ne i shprehim ndjenjat e zemrave tona me fjalë të thjeshta. Ati Qiellor zakonisht përgjigjet duke vënë mendime në mendjen tonë të shoqëruara me ndjenja. Ai e dëgjon gjithnjë lutjen e sinqertë që bëjmë kur lutemi me zotim për t’iu bindur Atij, cilado qoftë përgjigjja e Tij dhe kurdo që ajo të vijë.

Zoti u bën këtë premtim të gjithë atyre që e lexojnë dhe luten për Librin e Mormonit:

“Dhe kur ju t’i merrni këto gjëra, unë do t’ju këshilloja që të pyesni Perëndinë, Atin e Amshuar, në emrin e Krishtit, në qoftë se këto gjëra nuk janë të vërteta; dhe në qoftë se ju do të kërkoni me një zemër të sinqertë, me qëllim të vërtetë duke pasur besim në Krisht, ai do t’ju tregojë të vërtetën, nëpërmjet fuqisë së Frymës së Shenjtë.

Dhe nëpërmjet fuqisë së Frymës së Shenjtë, ju mund të dini të vërtetën e të gjitha gjërave” (Moroni 10:4–5).

Ai premtim është i sigurt. Miliona njerëz e kanë provuar dhe vërtetuar atë premtim të mrekullueshëm rreth lutjes duke marrë një bekim që ua ka mbushur jetën me gëzim dhe lumturi që zgjat. Ai premtim zbatohet për të gjitha lutjet tona për të ditur mendjen dhe vullnetin e Perëndisë për ne. Ne mund ta zbatojmë atë sa herë që marrim këshillë nga një shërbëtor i Perëndisë, i cili është i autorizuar të na japë drejtim. Për shembull, ne mund të mbështetemi tek ai kur kemi dëgjuar një predikim në konferencën e përgjithshme. Mund ta zbatojmë atë kur marrim mësim nga misionarë të përulur të thirrur nga Perëndia nëpërmjet profetit të gjallë. Ai zbatohet edhe për këshillën që marrim nga peshkopi ose presidenti ynë i degës.

Në mënyrë që lutja të funksionojë në jetën tonë, rregullat janë të thjeshta. Ne duhet të pyesim për të ditur se çfarë është e vërtetë duke iu lutur Atit, në emrin e Jezu Krishtit. Duhet të pyesim me një zemër të sinqertë, që do të thotë se duhet të kemi një qëllim të ndershëm për të bërë çfarëdo që të kërkojë prej nesh përgjigjja e Perëndisë. Dhe qëllimi ynë i vërtetë duhet të lulëzojë nga besimi ynë te Jezu Krishti.

Kërkuesi që e lexon Librin e Mormonit përpara se të pagëzohet e të konfirmohet, duhet të marrë edhe një siguri që libri është i vërtetë edhe një dëshmi se Jozef Smithi e përktheu atë nëpërmjet fuqisë së Perëndisë. Pasi jemi konfirmuar një anëtar i Kishës, ne mund ta kemi Frymën e Shenjtë si shoqëruesin tonë për të na pohuar të vërteta të tjera. Pastaj, sa herë që lutemi me besim, ne mund të presim që Fryma e Shenjtë të na dëshmojë se Jezusi është Krishti, se Perëndia, Ati, jeton dhe se Ata na duan ne e të gjithë fëmijët e Atit Qiellor.

Ajo është një arsye përse ka një premtim në Librin e Mormonit që ne do të kemi dashuri hyjnore në zemrat tona teksa Fryma e Shenjtë na jep dëshmi se Jezusi është Krishti: “Nëse qoftë se një njeri është i bindur dhe i përulur në zemër dhe pohon me anë të fuqisë së Frymës së Shenjtë se Jezusi është Krishti, ai duhet të ketë dashuri hyjnore” (Moroni 7:44).

Ka një mundësi të madhërishme për t’u rritur shpirtërisht çdo të diel agjërimi. E diela e agjërimit mund të na ndihmojë t’u përqasemi përvojave të Almës dhe bijve të Mosias, të cilët u lutën dhe agjëruan për të ditur të vërtetën e përjetshme në mënyrë që të mund t’u jepnin mësim lamanitëve me fuqi, autoritet dhe dashuri (shih Alma 17:3, 9).

Të dielën e agjërimit ne ndërthurim lutjen dhe agjërimin. Për bekimin e të varfërve, ne i japim një ofertë agjërimi bujare peshkopit ose presidentit të degës që është e barabartë me vlerën e dy vakteve që nuk hamë. Mendimet dhe lutjet tona drejtohen te Shpëtimtari dhe tek ata të cilëve Ai do të donte që t’u shërbenim nëpërmjet trajtimit të nevojave të tyre shpirtërore dhe materiale.

Kështu lutjet dhe dëshirat tona i afrohen më shumë ngjasimit me lutjet dhe dëshirat e Shpëtimtarit teksa agjërojmë për t’u bërë më të butë, më të mësueshëm e më të dashur. Dhe ashtu sikurse bëri Ai, ne lutemi për të ditur vullnetin e Atit për ne dhe për ta bërë atë.