2014
Lutja Ime në Detin e Veriut
Tetor 2014


Lutja Ime në Detin e Veriut

Olaf Torlif Xhensen, Juta, SHBA

Pamja
drawing for LDS Voices

Ilustrimet nga Bradley H. Clark

Kur isha 17 vjeç, ne jetonim në një ishull në Norvegjinë jugore, të quajtur Andabeloj. Babai im u bashkua me Kishën në Andabeloj dhe u pagëzua në oqean atje.

Unë isha peshkatar në atë kohë dhe kisha mjaft përvojë në manovrimin e një anijeje. Babai më ngarkoi përgjegjësinë e shërbimit tonë si taksi detare që përdorej nga banorët e zonës.

Një ditë në vitin 1941, morëm një telefonatë nga doktori në Flekefjord, në veri. Një grua, e cila jetonte rreth dy orë larg me anije, kishte nevojë për vëmendje të menjëhershme mjekësore. Dr. Hofman pyeti nëse unë mund ta çoja për ta parë atë, por prindërit e mi ishin të shqetësuar për një stuhi që vazhdonte plot tërbim në Detin e Veriut. Vendosëm të luteshim, duke i kërkuar Atit Qiellor se çfarë të bënim. Ne morëm përgjigje se duhej të vazhdoja.

Kur e zbrita në det Trygun, anijen time të peshkimit 10 metra të gjatë, moti ishte i keq dhe valët ishin të mëdha. Pasi e mora doktorin, u nisa përmes fjordit drejt detit të hapur. Ne duhej të udhëtonim drejt një komuniteti pikërisht në veri të Listas, të vendosur në bregdetin jugor e shkëmbor të Norvegjisë – të famshëm për motin me stuhi dhe mbytjen e anijeve.

E drejtova anijen përmes stuhisë derisa arritëm te një gji shkëmbor, rreth 12 metra i gjerë, i cili të çonte drejt vendmbërritjes sonë. Valët, aq të larta sa nuk mund ta kontrolloja anijen përmes gjirit, po vërsuleshin brenda gjirit dhe po përplaseshin kundrejt shkëmbinjve.

“Çfarë duhet të bëjmë?” pyeti doktori nëpër stuhi.

“Duhet të lutemi rreth saj”, u përgjigja.

Ndalova dhe u luta, duke i kërkuar Atit Qiellor udhëzim. Sapo kisha thënë amen, një përgjigje më erdhi me qartësi. Papritur m’u kujtua një ngjarje që më kishte treguar një peshkatar i moshuar. Ai ishte duke peshkuar në të njëjtën zonë gjatë një stuhie të rëndë dhe nuk mund të arrinte në breg. Ndërsa po priste të largohej stuhia, vuri re një model në valët që vinin. Pasi derdheshin tri valë tepër të mëdha, pasonte një periudhë e shkurtër qetësie – mjaftueshëm e gjatë sa ai të hynte brenda gjirit.

Kisha peshkuar shumë herë në këtë zonë, por asnjëherë nuk e kisha vënë re një model valësh. Prapëseprapë, e solla anijen në hyrje të gjirit, ku pritëm dhe vëzhguam teksa erdhën tri valët e mëdha. Dhe sigurisht, pasoi një qetësi e papritur. E lëviza anijen përpara mbi ujin e qetësuar të gjirit të brendshëm dhe e çova Dr. Hofmanin të sigurt në breg. Ai nxitoi për te gruaja e sëmurë, ndërkohë që prisja në anije, mirënjohës që Ati Qiellor i ishte përgjigjur lutjes sime.

Kur doktori u kthye rreth një orë më vonë, ai shpalli: “Ia shpëtuam jetën asaj!”

I lehtësuar nga lajmi dhe moti i përmirësuar, unë e drejtova anijen për në shtëpi pa asnjë aksident.

Unë jap dëshmi se, kur kemi nevojë për ndihmë, ne duhet të lutemi. E di se Ati Qiellor do të përgjigjet.

Valët ishin aq të larta sa nuk mund ta kontrolloja anijen përmes gjirit.