2014
Mashtrimet
Tetor 2014


Kur Prapë të Takohemi

Mashtrimet

Nga “O, Ai Plani Dredharak i të Ligut”, Liahona, nëntor 2010, f. 108–110.

Pamja
illustration of a man fishing in a river

Ilustrimet nga J. Ken Spencer

Vjeshta është një kohë veçanërisht emocionuese për peshkatarët që gjuajnë me karrema artificialë, pasi kjo është koha kur troftat nxiten nga një uri pothuaj e pashtershme për t’u ushqyer, në mënyrë që të fuqizojnë trupin ndaj mungesës së ushqimit dimëror.

Qëllimi i një peshkatari të tillë është që ta zërë troftën nëpërmjet një mashtrimi të zotë. Peshkatari i aftë studion sjelljen e troftës, motin, rrymën ujore dhe llojet e insekteve që ha trofta, si dhe kohën kur çelin insektet. Ai shpeshherë do t’i përgatitë me dorë karremat që përdor. Ai e di se këto insekte artificiale, ku kanë futur grepa të imët, duhet të jenë një mashtrim i përkryer, sepse trofta do të dallonte edhe të metën më të vockël dhe nuk do ta pranonte karremin.

Ç’rrëqethje është të vështrosh një troftë të çajë sipërfaqen e ujit, ta rrufisë karremin dhe të rezistojë derisa më në fund të lodhet dhe të tërhiqet me rrotëz. Prova qëndron te vënia përballë e njohurisë dhe e aftësisë së peshkatarit kundrejt troftës fisnike.

Përdorimi i karremave artificialë për ta gënjyer peshkun dhe për ta zënë atë, është një shembull i mënyrës si Luciferi shpeshherë na tundon, na mashtron e përpiqet të na fusë në kurth.

Sikurse peshkatari i karremave artificialë, i cili e di që troftat nxiten nga uria, Luciferi e njeh “urinë” ose dobësitë tona dhe na tundon me karrema të rremë të cilët, nëse i marrim, mund të shkaktojnë shkëputjen tonë nga përroi i jetës për te ndikimi i tij i pamëshirshëm. Dhe ndryshe nga peshkatari i karremave artificialë, i cili e zë dhe e lëshon sërish peshkun të padëmtuar në ujë, Luciferi nuk do të na lëshojë me vullnetin e tij. Synimi i tij është që t’i bëjë viktimat e tij po aq të mjera sa është vetë.

Një nga mënyrat kryesore që ai përdor kundër nesh, është aftësia e tij për të gënjyer e mashtruar, që të na bindë se e keqja është e mirë dhe e mira është e keqe. Që nga fillimi vetë, në këshillin e madh të qiellit, Satani “kërkoi të shkatërronte lirinë e njeriut për të zgjedhur, të cilën, unë, Zoti Perëndi, ia kisha dhënë atij” (Moisiu 4:3).

Beteja mbi lirinë e zgjedhjes dhënë njeriut nga Perëndia vazhdon sot. Satani dhe shërbëtorët e tij kanë karremat e tyre kudo rreth nesh, duke shpresuar që ne të lëkundemi dhe të marrim karremat artificialë të tij, në mënyrë që të na tërheqë me mjete të falsifikuara.

Vëllezër dhe motra, qofshim ne të gjithë të vetëdijshëm për karremat artificialë që na paraqiten nga peshkatari i shtirë i njerëzve, Luciferi. Paçim urtësinë dhe mprehtësinë shpirtërore për t’i dalluar e kundërshtuar ofertat e tij të shumta e të rrezikshme.

E për ata prej jush të cilët kanë rënë pre e ndonjë lloj varësie, ka shpresë, sepse Perëndia i do të gjithë fëmijët e Tij dhe sepse Shlyerja e Zotit Jezu Krishti i bën të mundura të gjitha gjërat.