2014
Kurajë për të Zgjedhur Thjeshtësinë
Tetor 2014


Kurajë për të Zgjedhur Thjeshtësinë

Nga një fjalim i mbajtur më 2 maj 2013 në Konferencën e Grave të Universitetit “Brigam Jang”.

Çfarë mund t’iu mësojmë bijve dhe bijave tona që t’i ndihmojmë të kenë kurajën për të zgjedhur thjeshtësinë në një botë që do të tallet me ta për zgjedhjet e tyre të virtytshme?

Pamja
Youth walking on Temple Square.

Përse është thjeshtësia kaq e rëndësishme? Përse do të kishte rëndësi për Zotin gjatësia e një fundi, masa e një dekolteje apo një bluzë që i mbulon supet? Unë jam nëna e pesë vajzave dhe dy djemve dhe, siç mund ta përfytyroni, tema e thjeshtësisë është diskutuar herë pas here në shtëpinë tonë. Por gjatë viteve, kam mësuar se thjeshtësia mësohet më mirë nëpërmjet dhënies mësim të doktrinës dhe dhënies së një shembulli të mirë. Doktrina do t’i ndihmojë fëmijët tanë të kuptojnë përse thjeshtësia është kaq e rëndësishme dhe shembulli ynë do t’u tregojë në mënyra të gëzueshme bekimet e thjeshtësisë.

Çfarë Është Thjeshtësia?

Thjeshtësia është një parim i dhënë nga Perëndia, që mund të na ndihmojë për t’i përdorur trupat tanë siç duhet këtu në vdekshmëri. Përkufizimi i thjeshtësisë tek Të Vërtetë ndaj Besimit është “mbajtja e një qëndrimi të përulur dhe të hijshëm në veshje, në zbukurim, në gjuhë dhe në sjellje”1. Thjeshtësia nuk është e kotë apo për t’u mburrur. Njerëzit që kanë thjeshtësi, nuk i përdorin trupat e tyre ose sjelljen e tyre për të kërkuar miratim nga bota apo për të tërhequr vëmendjen ndaj arritjeve të tyre të vërteta ose të hamendësuara apo ndaj tipareve të dëshiruara.

Ju lutem të kujtoni se parimet e thjeshtësisë, të treguara këtu, gjejnë zbatim si për burrat edhe për gratë, si për bijtë edhe për bijat, dhe kujtoni se edhe kur japim mësim për thjeshtësinë dhe e tregojmë me shembuj atë, ne kurrë nuk dënojmë ata që zgjedhin funde të shkurtra apo “flokët si ylber dhe vëthët e shumtë të shndritshëm”2. Ne gjithmonë japim shembullin e dhembshurisë dhe të dashurisë si e Krishtit për individin, ndërkohë që mbetemi besnikë ndaj standardeve që ka caktuar Zoti.

Unë dëshmoj se zgjedhjet që bëjmë për t’u paraqitur dhe për t’u sjellë me thjeshtësi, dërgojnë një mesazh të fuqishëm se ne e kuptojmë identitetin tonë si bij e bija të Perëndisë dhe se ne kemi zgjedhur të qëndrojmë në vende të shenjta.

Më pëlqen shumë ky shkrim i shenjtë: “A nuk e dini ju se jeni tempulli i Perëndisë dhe se Fryma e Perëndisë banon në ju? … Tempulli i Perëndisë, i cili jeni ju, është i shenjtë” (1 Korintasve 3:16–17). Trupat tanë janë tempujt e shpirtrave tanë. Është në këtë tempull trupor që ne e ftojmë shoqërimin e Frymës së Shenjtë. Unë besoj se, kur zgjedhim të veshim veshje të thjeshta dhe sillemi me një sjellje të thjeshtë, ne e bëjmë të dukshme dhe e jetojmë dëshminë tonë për Perëndinë, Atin e Amshuar, dhe Birin e Tij, Jezu Krishtin. Ne dëshmojmë nëpërmjet pamjes sonë fizike se jemi dishepuj të Krishtit dhe se e jetojmë ungjillin e Tij.

Përse Është e Rëndësishme Thjeshtësia?

Ne jetojmë në një botë të së mirës e të së ligës dhe trupi fizik mund të përdoret ose për qëllime të drejta ose për qëllime të liga. Por ne e dimë se trupat tanë të çmuar janë një dhuratë nga Perëndia për secilin prej nesh. Ata janë të shenjtë. Plaku Dejvid A. Bednar, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, na mësoi: “Për ata që e njohin dhe e kuptojnë planin e shpëtimit, përdhosja e trupit është një vepër rebelimi [shih Mosia 2:36–37] dhe një mohim i identitetit tonë të vërtetë si bij e bija të Perëndisë”3. Ne zgjedhim të kujdesemi për trupat tanë dhe t’i mbrojmë ata, me qëllim që të mund të jemi vegla në duart e Perëndisë për të plotësuar qëllimet e Tij të lavdishme (shih Alma 26:3). Nëse dëshirojmë që ta mbrojmë Shpëtimtarin dhe të bëjmë punën e Tij, ne duhet të pyesim veten: “Nëse Shpëtimtari do të na qëndronte në krah, a do të ndiheshim rehat me rrobat që kemi veshur?”

Thjeshtësia në veshje, pamje, mendim dhe sjellje është provë se ne e kuptojmë që besëlidhjet që kemi bërë, na bekojnë, na mbrojnë dhe na fuqizojnë në përgatitjen tonë për t’u kthyer në praninë e Tij. Kur u pagëzuam, ne hodhëm hapat për të dalë nga bota dhe për të hyrë në mbretërinë e Perëndisë. Gjithçka duhet të jetë e ndryshme për ne. Plaku Robert D. Hejls, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, na mësoi: “Duke zgjedhur të jemi në mbretërinë e Tij, ne e veçojmë – nuk e izolojmë – vetveten nga bota. Veshja jonë do të jetë e thjeshtë, mendimet tona të dëlira, të folurit tonë i pastër.”4

Thjeshtësia është një parim i cili do të na ndihmojë të qëndrojmë të sigurt në shtegun e besëlidhjes, ndërkohë që përparojmë në praninë e Perëndisë. Thjeshtësia në të veshur e pamje dhe në mendim e sjellje do të na ndihmojë të përgatitemi që të bëjmë e të mbajmë besëlidhje të shenjta të tempullit. Për t’i bekuar e mbrojtur Adamin dhe Evën, Perëndia u dha atyre rroba lëkure për t’i veshur ata përpara se t’i dërgonte jashtë kopshtit. Në mënyrë të ngjashme, Perëndia na ka dhënë një mbulesë besëlidhjesh në vdekshmëri, të simbolizuar nga veshjet e shenjta të brendshme të tempullit.

Cilat Janë Bekimet e Thjeshtësisë?

Çfarë mund t’iu mësojmë bijve dhe bijave tona që t’i ndihmojmë të kenë kurajën për të zgjedhur thjeshtësinë në një botë që do të tallej me ta dhe do t’i përqeshte për zgjedhjet e tyre të dëlira dhe të virtytshme? A na shohin ne duke i përdorur trupat tanë për të tërhequr vëmendje apo për të përlëvduar Perëndinë?

Pamja
A smiling family standing on a lawn. Shot in Australia.

Thjeshtësia në mendim, fjalë, pamje të jashtme dhe sjellje na ndihmon të fitojmë tri bekime fuqizuese dhe fisnikëruese.

1. Thjeshtësia fton shoqërimin e vazhdueshëm të Frymës së Shenjtë. Plaku Hejls ka thënë: “Thjeshtësia është thelbësore për të qenë të denjë për Shpirtin”5.

Le t’i ndihmojmë fëmijët tanë të kuptojnë se ata nuk do të duan të bëjnë ndonjë gjë për t’ia mohuar vetvetes “dhuratë[n e] papërshkrueshme të Frymës së Shenjtë” (DeB 121:26). I ndihmoni të dinë se dhurata të çmuara dhe të fuqishme shpirtërore i bashkëngjiten shoqërimit të Tij të shenjtë. Perëndia ka premtuar: “Unë do të të jap nga Shpirti im, që do të ndriçojë mendjen tënde, që do ta mbushë shpirtin tënd me gëzim; … Me anë të kësaj ti do të dish, gjithë gjërat, cilatdo që dëshiron prej meje, të cilat çojnë në gjërat e drejtësisë, me besim, duke besuar në mua se do të marrësh” (DeB 11:13–14). Dituri, urtësi dhe dëshmi; gëzim, paqe dhe lumturi – këto janë disa nga bekimet e mëdha që mund t’ua premtojmë fëmijëve tanë teksa i ftojmë të jetojnë me thjeshtësi dhe të jenë të denjë për Frymën e Shenjtë.

Një prej sfidave të veshjes me thjeshtësi është që modat dhe sjelljet e pranuara shoqërisht ndryshojnë rregullisht. Standardet e Zotit nuk ndryshojnë kurrë. I mësoni të rinjtë dhe të rejat të jenë të ndjeshëm ndaj Shpirtit, ndërkohë që bëjnë zgjedhje rreth gjërave që veshin, thonë dhe bëjnë. Kur jetojnë pranë Shpirtit, ata nuk kanë nevojë të jenë si bota.

Fëmijët tanë kanë marrë dhuratën e Frymës së Shenjtë dhe po udhëtojnë në shtegun e besëlidhjeve, i cili çon drejt tempullit dhe do t’i kthejë ata drejt pranisë së Perëndisë. Ata kanë nevojë për ne që t’u japim siguri dhe të japim për ta shembullin, se ata do të udhëhiqen, mbrohen, ngushëllohen dhe dëlirësohen kur jetojnë të denjë për Frymën e Shenjtë.

2. Ne mund t’u mësojmë bijve dhe bijave tona se pamja e jashtme dhe sjellja me thjeshtësi ndihmojnë që të na mbrojnë nga ndikimet shkatërruese të botës. Një prej veprave më mashtruese, të përdorura kundër ne të gjithëve, është sjellja e pranuar shoqërisht se moralshmëria ka dalë nga moda. Thjeshtësia është një mbrojtje kundrejt ndikimeve të tilla të liga dhe një ruajtje e dëlirësisë dhe virtytit. Dëgjoni këto fjalë nga broshura Për Forcën e Rinisë: “Përpara martesës … mos bëni asgjë … që zgjo[n] emocionet seksuale”6. Pamja e jashtme dhe sjellja pa thjeshtësi shpesh do të zgjojnë emocione seksuale dhe do të copëtojnë pengesat mbrojtëse, dhe do të ftojnë tundim në rritje për ta shkelur ligjin e dëlirësisë.

Plaku Hejls na mësoi: “Thjeshtësia është në qendër të qenies të pastër e të dëlirë, si në mendim dhe në veprim. Prandaj, meqë ajo i udhëheq dhe i ndikon mendimet, sjelljen dhe vendimet tona, thjeshtësia është në thelb të karakterit tonë.”7 U mësoni thjeshtësinë dhe jepni shembuj për të, që t’i ndihmojmë të rinjtë dhe të rejat tona të përgatiten për t’i mbrojtur e ruajtur fuqitë krijuese brenda tyre. I ndihmoni ata që ta mbajnë të shenjtë dhe ta ruajnë shprehjen e dashurisë midis një bashkëshorti dhe një bashkëshorteje për martesën.

3. Thjeshtësia na aftëson që të “qëndro[jmë] si dëshmitarë të Perëndisë në të gjitha kohërat” (Mosia 18:9). Shpëtimtari na mësoi: “Mbani lart dritën tuaj që të ndriçojë tërë botën. Vini re, unë jam drita që ju duhet të mbani lart” (3 Nefi 18:24). Ne kemi një mandat hyjnor për të qenë një fanar për botën, për të demonstruar gëzimin e të jetuarit të ungjillit, për t’u mësuar drejtësinë dhe për të ndërtuar mbretërinë e Perëndisë mbi tokë. Secili prej nesh pasqyron Dritën e Krishtit kur jemi të thjeshtë e të dëlirë dhe i mbajmë urdhërimet. Thjeshtësia është një dëshmim i dëshmisë sonë për Shpëtimtarin dhe për ungjillin e Jezu Krishtit.

Sa të bukur dhe sa të bekuar janë ata që udhëhiqen nga Fryma e Shenjtë, të cilët e mbrojnë vetveten nga të qenit si bota dhe të cilët i qëndrojnë botës si dëshmitarë të Perëndisë. Dhe të bekuar janë ata që u japin shembull dhe mësim për doktrinën e thjeshtësisë të gjithë bijve dhe bijave të Sionit.

Përderisa kemi bërë besëlidhje ta ndjekim Shpëtimtarin dhe dëshirojmë të marrim plotësinë e bekimeve të Shlyerjes së Tij në jetën tonë, gjendet në të vërtetë vetëm një kostum që është i rëndësishëm. Moroni shënon: “Zgjohu dhe ngrihu nga pluhuri, … po, dhe vish rrobat e [tua të] bukura, O bijë e Sionit; … që besëlidhjet e Atit të Amshuar … të mund të plotësohen” (Moroni 10:31; theksimi i shtuar).

Rrobat e bukura janë rrobat e drejtësisë, të veshura prej atyre që i kanë mbajtur besëlidhjet e tyre. A po i përgatitim fëmijët tanë që t’i veshin këto rroba të bukura?

Unë dëshmoj se shpëtimi është në Krishtin dhe se ata që i kanë mbajtur besëlidhjet e tyre, do të “kenë njohuri të përsosur të gëzimit të tyre dhe të drejtësisë së tyre, duke qenë të veshur me pastërti, po, madje edhe me rrobën e drejtësisë” (2 Nefi 9:14).

Shënime

  1. Të Vërtetë ndaj Besimit: Një Referim për Ungjillin (2004), f. 106.

  2. Xhefri R. Holland, “Izrael, Izrael, Perëndia po Thërret”, takim shpirtëror i Sistemit Arsimor të Kishës, 9 shtator 2012, cesdevotionals.lds.org.

  3. Dejvid A. Bednar, “Ne Besojmë në Qenien të Dëlirë”, Liahona, maj 2013, f. 43.

  4. Robert D. Hales, “The Covenant of Baptism: To Be in the Kingdom and of the Kingdom”, Liahona, janar 2001, f. 8.

  5. Robert D. Hales, “Modesty: Reverence for the Lord”, Liahona, gusht 2008, f. 18.

  6. Për Forcën e Rinisë (2011), f. 36.

  7. Robert D. Hales, Liahona, gusht 2008, f. 19.