2014
Shtëpia: Vatra e të Nxënit
Tetor 2014


Shtëpia: Vatra e të Nxënit

Kur të nxënit në kishë e mbështet të nxënin në shtëpi, ju ndërtoni një themel të fortë të të jetuarit të ungjillit.

“Ju lutem, sigurohuni që ta kryeni leximin e caktuar për mësimin e javës së ardhshme.” A ju duken të njohura këto fjalë? Shpesh ato vijnë nga një mësues përgjërues në fund të një ore mësimore në kishë.

Dhe ndërsa është pa dyshim e rëndësishme të jeni i përgatitur për mësimet tuaja të së dielës, a e ndieni ndonjëherë se synimi juaj kryesor për të studiuar e përsiatur është që të mund të jeni plotësisht i gatshëm për të dielën?

Në fakt, duhet të jetë e kundërta.

Të gjithë “mësime[t], programe[t] dhe aktivitete[t e Kishës] përqendrohen te shtëpitë dhe mbështeten nga Kisha”1. Kjo do të thotë që mbledhjet tona në Kishë vërtet kanë qëllim të mbështetin të nxënit vetjak dhe familjar. Siç dha mësim Peshkopi Kryesues Geri E. Stivenson: “Vendi parësor i mësimdhënies dhe i të nxënit është shtëpia”2. Kur të nxënit dhe mësimdhënia përqendrohen në shtëpi, ato mbartin fuqi që mund të çojë në kthimin në besim.

Ky është mesazhi i trajnimit të përvitshëm të organizatave ndihmëse për vitin 2014, Learning and Teaching in the Home and the Church [Të Nxënit dhe Mësimdhënia në Shtëpi dhe në Kishë], e mundësuar në internet në annualtraining.lds.org. “Askush prej nesh nuk po e ul vlerën e mësimdhënies në godinë kishtare, në shtëpi mbledhjesh”, thotë Plaku Xhefri R. Holland, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve. “Ne të gjithë e kemi bërë atë gjatë gjithë jetës, por do të donim që të ishte 24 orë në ditë, 7 ditë në javë në jetën që po jetojmë.”3 Teksa e përfshini atë të nxënë 24 orë në ditë 7 ditë në javë në çastet e përditshme në jetën tuaj familjare, ju mund të vendosni një themel të fuqishëm për një “shtëpi mësimi” (DeB 88:119) që do t’ju sigurojë strehë dhe mbrojtje shpirtërore juve dhe familjes suaj.

Të Nxënit në Shtëpi

Ju mund të mos shihni gjithmonë rezultate të menjëhershme, por kur përfitoni nga çastet e thjeshta për të nxënë dhe dhënë mësim në rutinën tuaj të përditshme, kjo mund të ketë një ndikim të fuqishëm. Ja se si disa familje e kanë vënë re atë ndikim në jetën e tyre.

Çaste të Thjeshta

Pamja
A father and son carrying skateboards as they walk down a wet road.

“Ka çaste kur mund të ndihemi ngushtë për të pasur biseda formale për disa tema të lidhura me ungjillin. Çaste mësimdhënieje joformale vërtet na kanë bekuar për t’u dhënë mësime të rëndësishme fëmijëve tanë. Gjithashtu, ka shumë më tepër çaste mësimdhënieje joformale në ditë sesa çaste mësimdhënieje formale, kështu që ne vërtet i rrëmbejmë ato mundësi për t’u mësuar parime të rëndësishme fëmijëve tanë. Për shembull, unë u mësoj për ndershmërinë teksa blejmë te dyqani i ushqimeve. Fëmijët e mi i mësojnë më lehtë parimet kur e shohin se si t’i zbatojnë ato.”

Mona Vijanueva, Filipine

Udhëtime Vajtje–Ardhje dhe Biseda

Pamja
A mother and her young daughters sitting together on a sofa. They are looking at a magazine.

“Unë i çoj në shkollë me autobus çdo mëngjes bijat e mia, kështu që kemi shumë mundësi për të biseduar. Në një rast së fundmi, vumë re një bashkëshort e bashkëshorte që kishin një mosmarrëveshje. Bijat e mia u kthyen shpejt nga unë dhe pritën që unë të bëja një koment. Në vend të kësaj, i pyeta ato se si ndiheshin për atë çfarë ndodhi. Më thanë se mendonin se një burrë nuk duhet t’i flasë kurrë gruas së tij në atë mënyrë. Pas asaj, ne bëmë një bisedë mbi martesën dhe marrëdhëniet. Udhëtimi ynë 30–minutësh me autobus rezultoi shumë frymëzues dhe lartësues moralisht.”

Mario Lorenc, Guatemalë

Lidhje Shpirtërore gjatë Vakteve të Ndërmjetme

Pamja
Mother and children making cookies.

“Çaste mësimdhënieje joformale më kanë ndihmuar të kem një marrëdhënie më të mirë me fëmijët e mi. Kur ulemi në tavolinën e kuzhinës duke ngrënë diçka të lehtë pas shkolle, ne diskutojmë për atë që ka ndodhur gjatë ditës së tyre të shkollës. Shpesh njëri prej tyre do të thotë diçka që tha një shok, apo se si ai ose ajo u ndje kur dikush tha ose bëri diçka. Atëherë unë mund të tregoj një dëshmi vetjake dhe të diskutoj se si u ndje fëmija im për atë situatë. Mendoj se, duke pasur diskutime të hapura kur fëmijët janë të çlodhur, ata janë më të gatshëm të diskutojnë çështje të rëndësishme kur të lindë nevoja sepse ata kanë një nivel mirëbesimi, duke e ditur se prindërit e tyre do t’i dëgjojnë.”

Alison Frost, Greqi

Një Rreth Përkujdesjeje

Pamja
Young family in New Zealand. The parents are holding their two boys.

“Gruaja ime dhe unë e kuptojmë se është së pari përgjegjësia jonë t’u japim mësim fëmijëve tanë dhe jo përgjegjësi e udhëheqësve, por jemi mirënjohës për atë që bëjnë ata, dhe ne ndihmojmë aty ku mundim. Lagjja jonë ka udhëheqës të shkëlqyer që vërtet përqendrohen te rinia e fëmijët dhe bëjnë aq sa mundin për t’i ndihmuar ata që ta kuptojnë potencialin e tyre të plotë bazuar në atë çfarë kanë bërë prindërit. Jam takuar në disa raste me peshkopin dhe kam komunikim të mirë me udhëheqësit e rinisë, dhe shpesh pyes për fëmijët e mi dhe përparimin e tyre. Fakti që komunikojmë shpesh mbi përparimin e fëmijëve tanë, na ndihmon të gjithëve që të kuptojmë se si ta ndihmojmë secilin prej tyre.”

Xhese N. Arumugam, Afrika e Jugut

Forcë në Shkrimet e Shenjta

Pamja
Man studying the scriptures.

“Studimi i shkrimeve të shenjta më ndihmon të mësoj për Krishtin dhe cilësitë e Tij, kështu që të mund të bëhem si Ai. Gjithashtu më jep bollëk më të madh të Shpirtit, gjë që më udhëheq e më mëson se si mund t’i zbatoj ato gjëra që kam mësuar, që të mund të jem i përgatitur për të përballuar sfidat e jetës dhe tundimet që Satani hedh mbi mua. Pa këtë bekim në jetën time, e di se nuk do ta arrija potencialin tim si një bir i Perëndisë.”

Nejthën Uduord, Angli

Të Nxënit në Kishë: 10 Parime që Duhet t’i Dijë Çdo Mësues

Përveç forcimit të fuqisë së të nxënit dhe mësimdhënies në shtëpi, ne gjithashtu mund të forcojmë përvojën e klasës në kishë. Teksa mësuesit i zbatojnë këto 10 parime, ata do të ushqejnë kthimin në besim në jetën e atyre që u japin mësim.

  1. Këshillohuni me prindërit, të cilët kanë rolin parësor si mësues, që të dalloni nevojat e pjesëtarëve të klasës dhe pastaj jepni mësim sipas atyre nevojave.

  2. Përgatituni dhe jepni mësim me anë të Shpirtit. Dalloni pyetje dhe veprimtari mësimore që do të sigurojnë diskutime të udhëhequra nga Shpirti dhe do t’i ushqejnë shpirtërisht pjesëtarët e klasës.

  3. Jepuni mësim njerëzve, jo thjesht shpjegoni mësime.

  4. Përqendrohuni te doktrinat thelbësore të ungjillit.

  5. Merruni thellësisht me një apo dy parime në vend që të përpiqeni të trajtoni të gjithë materialin e mësimit.

  6. Ftoni Shpirtin duke e lënë gjithsecilin të marrë pjesë (shih DeB 88:122).

  7. Përfshini një ftesë të fuqishme për të vepruar – jo thjesht diçka për të shkuar në shtëpi e për ta lexuar, por diçka për të shkuar në shtëpi e për ta jetuar.

  8. Jepni dëshminë tuaj për doktrinën – në fund të orës mësimore dhe kurdoherë që ju nxit Shpirti.

  9. Jetoni ungjillin dhe “vendos[ni] në rregull” vetë shtëpinë tuaj (shih DeB 93:43-44, 50).

  10. Gjeni mënyra për ta lënë mësimdhënien të vazhdojë nëpërmjet çasteve joformale në jetën e përditshme.

Shënime

  1. Manuali 2: Administrimi i Kishës (2010), 1.4

  2. Gary E. Stevenson, në “The Ward Council—We’re All in This Together” [“Këshilli i Lagjes – Ne Jemi të Gjithë së Bashku në Këtë”] (video e trajnimit të organizatave ndihmëse 2014), annualtraining.lds.org.

  3. Jeffrey R. Holland, në “Learning and Teaching in the Home and the Church—the Home” [“Të Nxënit dhe Mësimdhënia në Shtëpi dhe në Kishë – Shtëpia” (video e trajnimit të organizatave ndihmëse 2014), annualtraining.lds.org.