2014
Lakra prej Nefriti
Tetor 2014


Ne Flasim për Krishtin

Lakra prej Nefriti

Autorja jeton në Juta, SHBA.

Pamja
A cabbage sculpted out of jade.

Në misionin tim në Tajvan, shoqja ime dhe unë kaluam pak kohë gjatë një dite përgatitore në Muzeun e Pallatit Kombëtar në Taipei. Tërheqja më e madhe është për një vepër arti të quajtur Lakra prej Nefriti. Kaq shumë njerëz po e admironin atë, por gjithçka që pashë unë ishte një lakër e gdhendur në gur nefriti. Ishte e bukur, pa dyshim, por duhet të kishte pasur diçka që po më shpëtonte.

Kur mbaruam në muze, e pyeta shoqen time: “Çfarë mendimi ke për Lakrën prej Nefriti?”

“E adhuroj atë vepër arti!”

“Përse?” e pyeta unë. “Është thjesht një lakër.”

“Po bën shaka? Lakra prej Nefriti është një metaforë për jetën time!”, thirri ajo.

“Lakra?”

“Po! Nuk e di historinë?”

“Me sa duket jo.”

Ajo ma tregoi historinë. Dhe ajo kishte të drejtë. Ajo u bë metafora e misionit tim dhe e jetës sime.

Në mënyrë që një gdhendje në gur nefriti të ketë vlerë të madhe, nefriti duhet të ketë një ngjyrë të plotë. Gdhendjet e bëra nga gurë nefriti të përsosur shiten me çmime të larta sepse është thuajse e pamundur që të gjesh një gur nefriti të përsosur. Lakra prej Nefriti është e gjelbër në njërin skaj dhe e bardhë në tjetrin dhe ka plasaritje e gunga. Asnjë gdhendës i aftë nuk do ta çonte kohën dëm me një copë nefriti të tillë, derisa u shfaq dikush të cilin kinezët e quajnë gdhendësi mjeshtër.

Nëse ky gur do të fliste, mund ta përfytyroj bisedën që do të bënte me gdhendësin e tij të ri. E përfytyroj gdhendësin duke e marrë në dorë këtë copë nefriti.

“Çfarë dëshiron?”, do të pyeste guri i nefritit.

“Po kërkoj një gur nefriti për ta gdhendur”, do të thoshte gdhendësi.

“Atëherë gjej një copë tjetër. Unë nuk kam vlerë. Kam dy ngjyra të ndryshme kaq të ndërthurura sa që nuk do t’i ndash dot kurrë. Kam plasaritje dhe gunga brenda vetes. Nuk do të kem kurrë asnjë vlerë. Mos e ço dëm kohën tënde.”

“O, ti gur nefriti i vogël, i marrë. Mirëbeso tek unë. Unë jam një gdhendës mjeshtër. Do të të bëj një kryevepër arti.”

Ajo që e bën Lakrën prej Nefriti kaq të mahnitshme, është fakti që ky gdhendës mjeshtër i paemër përdori dobësitë e nefritit – dy ngjyrat, plasaritjet dhe gungat – për ta bërë lakrën të gjithën si më të gjallë. Ana jo e tejdukshme e bardhë u bë kërcelli i lakrës dhe plasaritjet e gungat i bëjnë gjethet të duken të gjalla. Po të mos ishin “dobësitë” e këtij guri nefriti, ai nuk do të dukej kaq i vërtetë.

Nga bukuria e kësaj vepre arti, ajo u bë dhuratë për një nga pjesëtarët e familjes mbretërore në Kinë dhe zbukuroi sallonet e pallateve të bukur aziatikë derisa përfundoi në muzeun e Tajvanit.

Kjo më kujton Ethërin 12:27: “Dhe në qoftë se njerëzit vijnë tek unë, unë do t’u tregoj atyre dobësinë e tyre. … Dhe hiri im është i mjaftueshëm për të gjithë njerëzit që përulen para meje; pasi në qoftë se ata përulen para meje dhe kanë besim tek unë, atëherë unë do të bëj që gjërat e dobëta, të bëhen të forta në ta.”

Pasi e pashë Lakrën prej Nefriti, fillova ta shihja këtë shkrim nën një dritë të re. Ne të gjithë jemi si copa e nefritit, përveç faktit që jemi të gjithë në gdhendje e sipër. Ne duhet të mirëbesojmë te gdhendësi mjeshtër, Jezu Krishti, i cili do t’i marrë dobësitë tona e do t’i bëjë ato [pika] të forta. Ne, në këndvështrimin tonë të papërsosur, ndonjëherë përqendrohemi te papërsosmëritë tona dhe më pas dëshpërohemi sepse mendojmë se nuk do të jemi kurrë në lartësinë e duhur. Por, Shpëtimtari ynë, Jezu Krishti, na sheh ashtu si mund të bëhemi. Teksa e lejojmë Shlyerjen e Tij që të veprojë në jetën tonë, Ai do të na japë formë për të na bërë kryevepra të cilat një ditë do të jetojnë me Mbretin e mbretërve.