2014
Dëshmia Ime e Gërshetuar
Tetor 2014


Ungjilli në Jetën Time

Dëshmia Ime e Gërshetuar

Autorja jeton në Singapor.

Për mua, vërtetësia e ungjillit të Jezu Krishtit dhe vërtetësia e Librit të Mormonit janë të gërshetuara. Nëse ungjilli është i vërtetë, atëherë Libri i Mormonit është i vërtetë.

Misionarët ia mësuan ungjillin familjes sime në shtëpinë tonë në Singapor. Ati im nuk u bashkua me Kishën, por nëna ime u bashkua. Ajo na mësoi për Jezu Krishtin dhe për ungjillin e Tij. Që kur isha fëmijë, unë me krenari u thoja shoqeve të mia se isha një shenjtore e ditëve të mëvonshme.

Gjithmonë pata besim te mësimet e nënës sime. Por kur u bëra një e re në moshë madhore, një misionar më pyeti se sa herë e kisha lexuar Librin e Mormonit. Kjo pyetje më ishte bërë edhe më parë, por këtë herë e kuptova se, ngaqë nuk e kisha lexuar Librin e Mormonit, unë nuk e dija nëse ishte i vërtetë.

Një Fakt i Pamohueshëm

Nuk mund t’i shmangesha më gjatë një fakti të pamohueshëm: vërtetësia e ungjillit të Jezu Krishtit dhe vërtetësia e Librit të Mormonit janë të gërshetuara. Nëse ungjilli është i vërtetë, atëherë Libri i Mormonit është i vërtetë. Ngaqë nuk e dija nëse Libri i Mormonit ishte i vërtetë, tani u ndjeva e pasigurt për gjithçka që kisha besuar duke u rritur. Pështjellimi ma mbushi mendjen dhe pyetja – “A është Libri i Mormonit i vërtetë?” – më mbeti në zemër.

Marrëdhënia ime në rritje me Shpëtimtarin, Jezu Krishtin, gjithashtu më çoi drejt një dëshire për të vërtetën. Dita kur e kuptova se nuk mund të mësoja mjaftueshëm rreth Jezu Krishtit pa e lexuar seriozisht Librin e Mormonit, ishte dita që thellësisht dëshirova të di nëse ishte i vërtetë.

E Thirrur si Mësuese

U luta për udhërrëfim. Gjatë kësaj kohe, presidenti im i degës më thirri që të jepja mësim rreth Librit të Mormonit në klasën e Doktrinës së Ungjillit. E pranova thirrjen, sepse e ndjeva që mund të ishte përgjigjja e Zotit për të më ndihmuar të dija të vërtetën e Librit të Mormonit dhe për të më afruar më pranë Shpëtimtarit.

Mësimdhënia ishte e vështirë. Pas disa të dielave të para, e dija se kurrë nuk do të isha frytdhënëse derisa të besoja në Librin e Mormonit.

Historitë u Shpalosën Kapitull pas Kapitulli

Fillova ta studioja Librin e Mormonit çdo javë dhe shpejt gjeta gëzim në leximin tim. Historitë në Librin e Mormonit u shpalosën kapitull pas kapitulli dhe më afruan më pranë Jezu Krishtit.

Lexova për lindjen e Krishtit, të cilën Nefi e pa në një vegim:

“Dhe unë vura re qytetin e Nazaretit; dhe në qytetin e Nazaretit unë pashë një virgjëreshë dhe ajo ishte jashtëzakonisht e këndshme dhe e bardhë. …

Dhe [engjëlli] më tha mua: Vër re, virgjëresha që ti shikon është nëna e Birit të Perëndisë, sipas mënyrës së mishit” (1 Nefi 11:13, 18).

Lexova për planin e lumturisë dhe mësova se besimi në Jezu Krishtin është i nevojshëm për shpëtimin tonë. Amuleku na mësoi:

“Unë e di se Krishti do të vijë mes fëmijëve të njerëzve, për të marrë përsipër shkeljet e popullit të tij dhe se ai do të shlyejë për mëkatet e botës; pasi Zoti Perëndi e ka thënë atë.…

Pasi, sipas planit të madh të Perëndisë së Amshuar, duhet të bëhet një shlyerje, përndryshe i tërë njerëzimi do të mbarojë patjetër” (Alma 34:8–9).

Lexova për Jezu Krishtin duke u kryer shërbesë deleve të Tij të tjera në Amerikën e lashtë dhe e dija se Ai është Perëndia i të gjitha kombeve. Ai u tha nefitëve: “Ju jeni ata për të cilët thashë: Dele të tjera unë kam që nuk janë të kësaj vathe; ato gjithashtu duhet t’i sjell, dhe ato do ta dëgjojnë zërin tim; dhe do të ketë një vathë dhe një bari” (3 Nefi 15:21).

Dëshmia Ime Erdhi Pak nga Pak

Ndërsa lexoja Librin e Mormonit, u ndriçua besimi im te Jezu Krishti dhe u zgjerua kuptimi im për planin e Tij (shih Alma 32:28).

Unë dëshmoj se Libri i Mormonit është gurthemeli i besimit tonë. Fryma e Shenjtë më ka zbuluar se Jozef Smithi është një profet i vërtetë, i cili rivendosi Kishën e Perëndisë mbi tokë dhe i cili përktheu Librin e Mormonit nga fletët e arta. Libri i Mormonit dëshmon për Jezu Krishtin dhe vepron krah për krah me Biblën. Së bashku ata dëshmojnë se Jezu Krishti është me të vërtetë Biri i Perëndisë dhe se Ai është Perëndia i të gjitha kombeve, jo vetëm i një kombi.