2014
Kthimi në Besim dhe Ndryshimi në Kili
Tetor 2014


Pionierë në Çdo Vend

Kthimi në Besim dhe Ndryshimi në Kili

Pagëzimet e para ndodhën në vitin 1956. Tani Kisha ka 1 tempull, 9 misione, 74 kunje dhe pothuajse 600.000 anëtarë në Kili.

Pamja
Día de Templo. A woman and a young girl playing on a wall outside the Santiago Chile Temple.

Gjatë 58 viteve të historisë së tyre, anëtarët e Kishës në Kili kanë treguar aftësinë e tyre për ta ndryshuar drejtimin, duke e përshtatur jetën e tyre më mirë ndaj udhërrëfimit të treguar nga profetët. Ky shpirt ka luajtur rol në rritjen e jashtëzakonshme të Kishës atje gjatë gjysmëshekullit të kaluar. Sot, Kili ka rreth 600.000 anëtarë, duke bërë që 1 në çdo 30 kilianë të jetë anëtar i Kishës.1

Një Apostull Viziton Kilin

Në vitin 1851, Plaku Parli P. Prat (1807–1857), i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, arriti në Valparaíso me synimin e ngritjes së Kishës. Megjithatë, ai dhe shokët e tij nuk flisnin spanjisht, kishin fare pak burime financiare dhe vendit i mungonte liria fetare, kështu që nuk ishin në gjendje ta ngrinin Kishën.

Plaku Prat i rekomandoi Presidentit Brigam Jang (1801–1877): “Libri i Mormonit dhe disa botime që nuk kushtojnë shumë, duhet të përkthehen në spanjisht e të shtypen dhe më pas të hapet puna te këto kombe, ndërkohë që një Priftëri e gjallë shoqërohet nga diçka që ata ta lexojnë – madje ato shkrime që kanë premtimet e Perëndisë, lutjet dhe besimin e të lashtëve, dhe fuqinë dhe Shpirtin e Perëndisë për të punuar me ta në rivendosjen e shtëpisë së Izraelit”2.

Kisha Vendoset

Pavarësisht nga përpjekjet e hershme të Plakut Prat, më shumë se 100 vjet kaluan përpara se Kisha të vendosej në mënyrë të përhershme në Kili. Në vitin 1956, Pleqtë Xhozef Bentli dhe Vërll Ollred u dërguan nga Misioni i Argjentinës për të predikuar ungjillin në Kili, që tani gëzonte tolerancë më të madhe fetare. Në Santiago, këta misionarë patën përkrahjen e familjes Fotheringëm, anëtarë të cilët kishin ikur nga Panamaja dhe po shpresonin që të vinin misionarët.

Pamja
photo of first baptism in Chile in 1956 First missionaries in Chile, Joseph C. Bentley and Verle M. Allred.

Pagëzimet e para në Kili u kryen më 25 nëntor 1956, në një pishinë te një klub lojërash në Santiago. Plaku Ollred kujton: “Shkuam te klubi i lojërave përpara se të lindte dielli dhe patëm një shërbesë me lutje dhe biseda të shkurtra. U futa në ujë me Vëllain Garsia; unë e pagëzova atë fillimisht dhe më pas tetë njerëz të tjerë pas tij. Ky ishte një rast shumë i veçantë. Ajo që ne të gjithë ndiem, është e paharrueshme. … Këta anëtarë do të ishin pionierët e Kishës në Kili dhe unë besoj se çdonjëri prej tyre mbeti besnik deri në vdekje: Garsiat, Saldanjot dhe Motra Lansaroti.”3

Thirrja e Udhëheqësve

Në shkurt të vitit 1959, Spenser W. Kimballi (1895–1985), i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, vizitoi Kilin dhe theksoi nevojën për të zhvilluar udhëheqjen vendore. Një prej udhëheqësve të parë vendorë ishte Karlos Sifuentes, i cili ishte këshilltar për presidentin e misionit, Robert Bërtën. Plaku Hulio Haramijo, i cili më pas u bë I Shtatëdhjetë Zonal dhe president tempulli, tregoi këtë përvojë: “Pata përshtypjen time të parë për Plakun Sifuentes kur u ftova në një mbledhje të priftërisë pas pagëzimit tim. Kur filloi mbledhja, ai u ngrit te foltorja dhe e vetmja gjë që pashë, ishin thonjtë e tij të ndotur, të zinj. Mendova: ‘Si mund të drejtojë ky burrë një mbledhje përkrah presidentit të misionit, nëse ka duar të ndotura?’ Ajo ishte derisa ai filloi të fliste dhe unë e harrova gjithçka tjetër kur e ndjeva shpirtin e tij. Me fjalë të thjeshta, ai na zbuloi koncepte të thella. Ai ishte një mekanik për makineri të rënda dhe të shtunave punonte deri vonë, më pas do të lante duart, por me mjetet e pakta të disponueshme në dyqanin e tij, ishte e pamundur ta hiqte të gjithë grason. Atje dhe atëherë mësova të mos i gjykoja njerëzit nga pamja e jashtme, por në vend të saj t’i vlerësoja për atë që janë në të vërtetë.”4

Forcimi i Brezit të Ri

Gjatë viteve 1960 dhe 1970, Kisha në Kili u forcua jo vetëm nëpërmjet udhëheqësve vendorë me përvojë gjithnjë në rritje, por edhe nëpërmjet ndërtimeve dhe programeve të reja arsimore. Këto përfshinë ndërtimin e godinave kishtare së bashku me ngritjen e shkollave, seminareve dhe instituteve të Kishës.

Në mars të vitit 1964 u krijuan në Kili dy shkollat e para të fillores, të drejtuara nga Kisha. Përfundimisht u hapën disa shkolla dhe regjistrimi arriti në më shumë se 2.600 studentë. Nga fundi i viteve 1970 dhe fillimi i viteve 1980, shkolla publike të përshtatshme u bënë të disponueshme më gjerësisht dhe Kisha e shpalli mbylljen e shkollave në Kili.

Duke lavdëruar programin e arsimimit, Plaku Eduardo A. Lamartine, një ish-I Shtatëdhjetë Zonal dhe këshilltar i tanishëm për historinë e Kishës në Kili, vërejti: “Shkollat në Kili ishin një ndikim i madh në trajnimin akademik dhe shpirtëror të mijëra të rinjve dhe ato luajtën rol për përgatitjen e udhëheqësve dhe misionarëve gjatë viteve që pasuan”5.

Programi i seminareve dhe instituteve filloi në Kili në vitin 1972. Fillimisht, studentët morën pjesë në një program të studimit në shtëpi me orë mësimore javore. Më vonë, u organizuan orë mësimore më të shpeshta. Këto programe i bekuan të rinjtë e vendit dhe i ndihmuan ata të përgatiteshin për të shërbyer si misionarë kohëplotë. Plaku Eduardo Ajala, një ish-anëtar i Të Shtatëdhjetëve, ishte një prej mësuesve të parë të seminarit dhe më vonë punoi për Sistemin Arsimor të Kishës në Kili. Ai tha: “Zoti i zgjodhi të rinjtë që ishin atje në atë kohë, dhe shumë prej tyre janë misionarë të kthyer nga misionet dhe udhëheqës të mëdhenj me familje të mira. … Për mua, seminari dhe instituti ishin mjete të shpëtimit gjatë kohëve të kaq shumë grindjeve në vendin tonë dhe jam mirënjohës që u thirra të punoja me sistemin arsimor.”6

Pamja
Group photo of fourth grade students at Church school in Santiago known as Colegio A. D. Palmer and Chilean teachers at school. This photograph is one of a twenty-five-page photocopy of Flora Decker's photograph album containing snapshots she accumulated while serving in Chilean Mission during presidencies of Carl J. Beecroft and Robert H. Burton. Most images in album include some identifying information. Copies of twenty-seven images from album and index providing additional information about those items are also included

Kunji i Parë

Më 19 nëntor 1972, Plaku Gordon B. Hinkli (1910–2008), atëherë anëtar i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, organizoi Kunjin e Santiagos në Kili, me Karlos Sifuentesin si president.

Përgatitja për kunjin tregoi karakterin e shenjtorëve në Kili dhe gatishmërinë e tyre për t’i ndjekur profetët. Plaku Hinkli kishte arritur në Kili disa muaj më parë për të organizuar kunjin. Por pasi mbajti intervista, organizimi u shty. Në atë kohë, shumë njerëz po kalonin përmes problemesh financiare dhe disa anëtarë po përjetonin vështirësi në të jetuarin sipas ligjit të së dhjetës.

Plaku Hinkli shpjegoi: “U ktheva gjashtë muaj më vonë dhe, ndërsa po bëja intervistat, gjeta lulëzimin e besimit; ata, edhe njëherë, po ecnin në ndershmëri përpara Zotit, kunji u organizua dhe, që atëherë, ata janë rritur dhe gjallëruar”7.

Pionierë në Kufijtë

Sot ka dy kunje në Arikë, qyteti më verior në Kili. Historia e Gledis dhe Huan Benavides, të kthyerit e parë në besim në Arikë, përbën shembullin e shpirtit pionier dhe të ndikimit hyjnor në krijimin e Kishës kudo nëpër Kili.

Vëllait Benavides iu paraqit Kisha në vitin 1961 kur era i fryu disa letra në drejtimin e tij: “Ato ndodhën të ishin fletë të Përzgjedhjeve të Reader’s Digest me një artikull të zgjeruar rreth ‘Mormonëve’, duke përshkruar jetën dhe besimet e tyre”, tha ai.

Pak kohë më pas, atij iu shfaq një sëmundje e rëndë që kërkoi trajtim mjekësor në Santiago. “Ndërsa ndodhesha atje, vizitova motrën time dhe mësova se ajo ishte bërë anëtare e Kishës”, tha ai. “Ajo më ftoi te një konferencë e veçantë. Ndërsa dëgjoja lutjen e hapjes dhe me mendje i ndiqja fjalët, ndjeva gëzim të madh nëpër tërë trupin tim dhe e dallova ndikimin e Shpirtit të Shenjtë. Në fund të konferencës, misionarët më morën që të takohesha me autoritetin vizitues, Plakun Ezra Taft Benson (1899–1994), atëherë anëtar i Kuorumit të Të Dymbëdhjetëve.”

Plaku Benavides u kthye në Arikë dhe i tregoi për përvojën e tij të dashurës së tij, Gledis Agilarit, e cila tani është bashkëshortja e tij. Pak ditë më pas, Gledisi i pa dy misionarë të kalonin pranë shtëpisë së saj. “Ne me të shpejtë shkuam në kërkim të tyre”, tha Vëllai Benavides. “Më 1 korrik 1961, ne u pagëzuam, së bashku me familjen e gruas sime. Sot kemi fëmijë dhe nipër e mbesa në Kishë. I jam kaq mirënjohës Zotit për vrullin e erës që e fryu informacionin rreth Kishës në duart e mia.”8

Një Periudhë Sprovuese

Në zgjedhjet e vitit 1970, Dr. Salvador Ajende u bë president dhe krijoi një qeveri marksiste. Anëtarët e Kishës vuajtën vështirësi për shkak të mungesës së ushqimeve dhe ilaçeve, të keqtrajtimit të vazhdueshëm të misionarëve dhe të vëmendjes negative të medias.

Në vitin 1973, kriza financiare dhe shoqërore bëri të ndodhte një grusht shteti ushtarak dhe të vendosej diktatura që zgjati deri në vitin 1990. Edhe pse Kili sot është një demokraci në lulëzim, ato dy dhjetëvjeçarë ishin një periudhë e vështirë për anëtarët. Grupe që e kundërshtonin diktaturën ushtarake, i sulmuan godinat e kishave dhe anëtarët ngaqë mendonin se Kisha përfaqësonte interesat e qeverisë së Shteteve të Bashkuara. Plaku Ajala, president kunji në atë kohë, tha: “Ne do të takoheshim me Autoritetet e Përgjithshme dhe ata do të na thonin: ‘Ju lutemi, vini në përdorim urtësinë, lutuni shumë, bëni gjërat e drejta, me qëllim që anëtarët të ruajnë rregull në mbledhjet e bashkësive’.”9

Pavarësisht nga vështirësitë financiare të vendit dhe kundërshtimit politik që e përçau shoqërinë kiliane në fillimin e viteve 1980, Kisha u rrit me të shpejtë. Midis viteve 1970 dhe 1985, numri i anëtarëve në Kili u zgjerua nga 15.728 deri në 169.361.

Tempulli i Santiagos

Pamja
The Santiago Chile Temple

Në vitin 1980, shenjtorët u bekuan me shpalljen që një tempull do të ndërtohej në Santiago në Kili.

Kur Presidenti Spenser W. Kimball e përkushtoi vendin e tempullit, ai ishte shumë i dobët fizikisht; por prania e tij atje tregoi dashurinë e tij për shenjtorët në Amerikën e Jugut, me të cilët kishte punuar që nga viti 1959. Motra Adriana Guerra de Sepulveda, e cila po përkthente për Motrën Kimball gjatë ngjarjes, tha: “Kur e pashë profetin, një burrë i imët me një fytyrë engjëllore, fillova të qaj dhe nuk mund të gjeja fjalë që t’ia thoja atij. Ishte hera e parë për mua që të isha në krah të një profeti të gjallë. Ta shihja zëdhënësin e Zotit këtu në tokë dhe në atdheun tim ishte diçka e mrekullueshme.”10

Tempulli u përkushtua në vitin 1983, duke u bërë tempulli i dytë në Amerikën e Jugut dhe i pari në një vend që flet spanjisht.

Plaku Xhefri R. Holland në Kili

Në gusht të vitit 2002, Presidenca e Parë caktoi dy anëtarë të Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve që të kryesonin mbi dy zona të Kishës: Plaku Dallin H. Ouks u caktua në Filipine dhe Plaku Xhefri R. Holland në Kili. Shërbesa dhe ndikimi i Plakut Holland, ndërsa ishte në Kili, janë të pamatshme dhe frytshmëria e tyre do të ndihet nëpër breza.

Qëllimi kryesor i Plakut Holland ishte të siguronte një shembull të udhëheqjes sipas mënyrës së Zotit. Ai ndihmoi në trajnimin e udhëheqësve të rinj dhe mbikëqyri riorganizimin, ndërprerjen dhe shkrirjen e qindra lagjeve dhe të duzinave të kunjeve. Ky riorganizim dhe trajnim ishin të nevojshëm për shkak të rritjes së shpejtë të Kishës në vend. Udhëheqja e tij ndihmoi për t’i forcuar njësitë dhe për ta përgatitur Kishën në Kili për të ardhmen.

Përveç kësaj, Plaku Holland bëri disa lidhje të rëndësishme në Kili. Plaku Karl B. Prat, i Të Shtatëdhjetëve, këshilltar në atë Presidencë të Zonës, përshkroi disa prej këtyre marrëdhënieve të rëndësishme: “Plaku Holland vendosi një marrëdhënie të ngushtë me Rikardo Lagosin [presidentin e Kilit] dhe gruan e tij; ata kryen mjaft projekte të ndihmës humanitare. Plaku Holland arriti të njihte Nuncin Apostolik [një zyrtar katolik të shkallës së lartë] dhe personalitete të tjera të rëndësishme në Kili.”11

Mirëbesimi tek e Ardhmja

Përpjekjet e Pleqve Parli P. Prat dhe Xhefri R. Holland, sakrificat e misionarëve të parë që arritën në Santiago, përkushtimi i udhëheqësve si Karlos Sifuentes dhe të pionierëve të tjerë të hershëm në Kili, të ndërthurura me besimin dhe përkushtimin e qindra mijërave që janë bashkuar me Kishën gjatë më shumë se një gjysmë shekulli, kanë ndërtuar një themel të fortë për Kishën në Kili. Sot Kili është vendndodhja e një tempulli (me një tjetër të shpallur), e një qendre për trajnimin e misionarëve, 9 misioneve dhe 74 kunjeve. E ardhmja është e pakufizuar në punën shpirtërore duke i ftuar të gjithë të vijnë te Krishti.

Shënime

  1. Shih Deseret News 2013 Church Almanac, f. 454.

  2. Autobiography of Parley P. Pratt, red. Scot Facer Proctor dhe Maurine Jensen Proctor (2000), f. 504.

  3. Verle Allred, në Néstor Curbelo, LDS in South America: Chile Sur, vëll. 1 (2008), f. 6.

  4. Julio Jaramillo, në Néstor Curbelo, LDS in South America: Chile, vëll. 1 (2006), f. 4–5.

  5. Eduardo Adrian Lamartine Aguila, përmbledhje historike e dhënë nga autori, nëntor 2013.

  6. Eduardo Ayala, në Néstor Curbelo, LDS in South America: Chile, vëll. 1 (2006), f. 44, 45.

  7. Gordon B. Hinckley, në Rodolfo Acevedo A., Alturas Sagradas: Templo de Santiago de Chile, f. 100.

  8. Néstor Curbelo, “Blossoming in the Desert”, Church News, 9 nëntor 1996, f. 8–9.

  9. Eduardo Ayala, në Néstor Curbelo, LDS in South America: Chile, vëll. 1 (2006), f. 33.

  10. Adriana Guerra de Sepúlveda, në Néstor Curbelo, LDS in South America: Chile (2006), f. 16.

  11. Carl B. Pratt, në Néstor Curbelo, Colombia: investigación histórica, vëll. 1 (2010), f. 16.

  12. Jorge F. Zeballos, në një letër të dërguar autorit, janar 2014.

Shumë fotografi në këtë artikull janë me mirësinë e Néstor Curbelo; majtas, lart: fotografi nga filipefrazao/iStock/Thinkstock; poshtë: fotografi nga kavram/iStock/Thinkstock

Mësuesit dhe studentët e tyre të klasës së katërt në shkollën e sponsorizuar nga Kisha, Kolegio A. D. Palmer, rreth vitit 1966.

Instituti i fesë në Temuko është një nga 50 institute të tilla në Kili.

Majtas: fotografi nga Flora Decker Donaldson; fotografi e Plakut Melvin J. Ballard nga S. W. Ecker © IRI

Presidenti Gordon B. Hinkli u drejtohet 48.000 shenjtorëve kilianë të ditëve të mëvonshme në vitin 1996 në një konferencë në Santiago.

Në përgjigje të tërmetit të vitit 2010, të rinj dhe të rritur kilianë, Duart Ndihmëtare Mormone, ambalazhojnë paketa higjienike.

grafik nga Marcelo Silva/iStock/Thinkstock