2014
Të Mësuarit më Shumë rreth Asaj që na Pret
Tetor 2014


Të Mësuarit më Shumë rreth Asaj na Pret

Autorja jeton në Oslo të Norvegjisë.

Të rinjtë në Oslo të Norvegjisë kaluan një ditë duke u përgatitur për jetën si misionarë kohëplotë.

Pamja
photos of a missionary preparation conference

Pamjet në korniza nga lukas_zb/iStock/Thinkstock

Që kur Presidenti Tomas S. Monson lajmëroi ndryshimin e moshës për shërbimin misionar, të rinjtë kudo në Kishë i janë përgjigjur me zell, jo vetëm ftesës për të shërbyer, por edhe ftesës që të përgatiten për të shërbyer. Dhe një mënyrë për t’u përgatitur është që të mësoni më shumë rreth asaj që ju pret kur bëheni një misionar kohëplotë.

Disa të rinj në Norvegji bënë pikërisht atë gjatë një dite të gjatë “Përvoje Misionare”, të drejtuar nga Lagjja e Fredrikshtadit të Kunjit të Oslos në Norvegji.

Hyrja në “QTM”

Të rinjtë u mblodhën në shtëpinë e mbledhjes, në një dhomë që përfaqësonte qendrën e trajnimit të misionarëve. “Ne morëm një detyrë për të mësuar rreth një vendi”, thotë Jakob R. nga Lagjja e Mosës. “Kjo na dha ndjesinë se si mund të jetë të marrësh një thirrje misioni dhe të dish se mund të thirresh në një vend që është i ndryshëm nga ai që je mësuar.”

Takimi me “Presidentin e Misionit”

“Pastaj ne shkuam te dera ngjitur për të takuar një misionar të kthyer, i cili luante rolin e një presidenti misioni”, thotë Simon W. nga Lagjja e Oslos. Misionari i kthyer dhe misionarë të tjerë të kthyer folën rreth asaj se çfarë të presësh ndërsa po shërben një mision. “Mendova se ishte e mrekullueshme të mësoje nga një misionar i kthyer se çfarë të presësh gjatë një misioni kohëplotë”, thotë Simoni. Pjesëmarrësit morën gjithashtu një etiketë emri, iu caktua një shok, dhe u udhëzuan të qëndronin me shokët e tyre gjatë gjithë kohës.

Zhvillimi i Aftësive

Trajnimet u mësuan të rinjve rreth zhvillimit shpirtëror, por edhe rreth trajtimit të nevojave të përkohshme të tilla si larja e rrobave, përdorimi i një buxheti dhe të qëndruarit në gjendje të mirë fizike.

“U kënaqa veçanërisht me trajnimin rreth mënyrës se si të fillojmë biseda për ungjillin”, thotë Inger Sofi J. nga Lagjja e Oslos. “Është diçka që mund të filloj ta bëj që tani.”

“U kënaqa me diskutimin se si të përdorim udhëzuesin Predikoni Ungjillin Tim”, thotë Karl Frederik O. nga Lagjja e Fredrikshtadit. “Kisha menduar gjithmonë se misionarët kishin listën e tyre të shkrimeve të shenjta për të mësuar, por zbulova se ajo që po bëj tashmë në seminar, do të më ndihmojë si misionar dhe po kështu do të më ndihmojë ajo që po studioj te udhëzuesi Predikoni Ungjillin Tim.

Shumë të rinj thanë se një nga trajnimet më të paharrueshme përfshiu përvojën praktike të hekurosjes së një këmishe të bardhë. “Më kujtoi se ka plot aftësi praktike me të cilat mund të punoj për t’u përgatitur për një mision kohëplotë”, thotë Jakobi.

“Mësova se ka shumë gjëra që mund t’i bëj tani, që të bashkohem me misionarët kohëplotë të cilët po shërbejnë këtu, që të gjithë të jemi pjesë e të njëjtit ekip”, thotë Sara R. nga Lagjja e Sandvikas. “Anëtarët janë edhe misionarë.”

Si një kujtues se misionarët shërbejnë kudo në botë, pijet dhe ushqimet nxirrnin në pah receta nga një mori kombesh. “Kjo më kujtoi se unë duhet të provoj ushqime të reja tani, kështu që të mësohem të provoj gjëra që nuk i ha gjithë kohën. Kjo do të më ndihmojë të përshtatem më shpejt nëse thirrem në një vend ku ata hanë gjëra me të cilat nuk jam mësuar”, thotë Simoni.

Bërja Gati

“Në fund të ditës, pasi dëgjuam dëshmitë e dy të rinjve dhe dy misionarëve të sapokthyer, ne kënduam himnin ‘Thirrur na Kanë’”, thotë Lis Andrea O. nga Lagjja e Fredrikshtadit. “Ndjeva që, nëse vazhdoj ta këndoj këtë himn gjatë gjithë kohës, unë do të kem një kujtues të vazhdueshëm se, kur jemi misionarë, ne jemi duke i shërbyer Atit Qiellor dhe Ai do të na bekojë.”

Në fund të ditës, të rinjtë në kunj kuptuan se jo vetëm që po përgatiten për një përvojë misionare kohëplotë, por se ata mund të kenë përvoja misionare që tani dhe gjatë gjithë jetës së tyre.