2014
Si të Gjeni Forcë dhe Sukses
Tetor 2014


Si të Gjeni Forcë dhe Sukses

Nga një mbrëmje rreth vatrës në Universitetin “Brigam Jang”, e mbajtur më 2 mars 1997.

Disa prej jush e dinë se çfarë dëshirojnë të jenë e ku dëshirojnë të shkojnë me jetën e tyre, dhe disa prej jush nuk e dinë. Disa prej jush duket se kanë kaq shumë bekime dhe kaq shumë zgjedhje të mrekullueshme përpara tyre. Të tjerë prej jush ndihen, për njëfarë kohe dhe për çfarëdo arsye, më të pafat dhe me shtigje më pak tërheqëse që shtrihen pikërisht përpara tyre.

Por cilido qofshi dhe kudo që ta gjeni vetveten, ndërsa kërkoni udhën tuaj në jetë, unë ju ofroj “udh[ën], [të] vërtet[ën] dhe jet[ën]” (Gjoni 14:6). Kudo tjetër që mendoni se mund të shkoni, unë ju kërkoj të “[vi]ni tek [Ai]” (shih Mateu 11:28–30) si hapin e parë, të menjëhershëm që të arrini atje, që të gjeni lumturinë e forcën dhe suksesin tuaj individual.

Kur Andrea dhe Filipi fillimisht e dëgjuan Krishtin të fliste, ata ishin kaq të prekur, kaq të magjepsur sa e ndoqën Atë teksa Ai largohej nga turma. Duke e ndier se po ndiqej, Krishti u kthye dhe i pyeti të dy burrat: “Ç’kërkoni?” (Gjoni 1:38). Përkthime të tjera e japin atë thjesht: “Ç’dëshironi?”

Ata u përgjigjën: “Ku banon?” ose “Ku jeton?”

Dhe Krishti tha: “Ejani e shikoni”. Vetëm pak kohë më vonë Ai i thirri formalisht Pjetrin dhe të tjerë prej Apostujve të rinj me të njëjtën frymë të ftesës: “[Ejani], ndiqmëni” (shih Mateu 4:19).

Më duket mua se thelbi i jetës sonë zbulohet pikë-pikë nga këto dy pjesë përbërëse të shkurtra në këto skena të fillimit të shërbesës së Shpëtimtarit në vdekshmëri. Një pjesë përbërëse është pyetja, drejtuar çdonjërit prej nesh: “Ç’kërkoni? Ç’dëshironi?” Pjesa e dytë është përgjigjja e Tij lidhur me mënyrën se si ta fitojmë atë. Kushdo që jemi dhe cilatdo qofshin problemet tona, përgjigjja e Tij është gjithmonë e njëjtë, përherë: “Ejani tek unë”. Ejani e shikoni atë që bëj dhe si e kaloj kohën time. Mësoni rreth meje, ndiqmëni dhe, gjatë procesit, Unë do t’ju jap përgjigje lutjeve tuaja dhe prehje shpirtrave tuaj.

Miqtë e mi të rinj, të dashur, unë nuk njoh asnjë mënyrë tjetër për ju që të jeni të suksesshëm ose të lumtur apo që të jeni të sigurt. Nuk di asnjë mënyrë tjetër për ju që të jeni në gjendje t’i mbartni barrët tuaja apo që të gjeni atë që Jakobi e quajti “ajo lumturi që është përgatitur për shenjtorët” (2 Nefi 9:43). Kjo është arsyeja përse ne bëjmë besëlidhje solemne bazuar mbi flijimin shlyes të Krishtit dhe kjo është arsyeja përse ne marrim mbi vete emrin e Tij.

Jezusi është Krishti, Biri i Perëndisë së gjallë. Kjo është Kisha e Tij e vërtetë dhe e gjallë. Ai dëshiron që ne të vijmë tek Ai, ta ndjekim Atë, të ngushëllohemi prej Tij. Më pas Ai dëshiron që ne t’u japim ngushëllim të tjerëve. Paçim besim të mjaftueshëm për ta pranuar mirësinë e Perëndisë dhe mëshirën e Birit të Tij të Vetëmlindur. Ardhshim tek Ai dhe tek ungjilli i Tij e u shërofshim.