2014
Sipër Mbi Ujëra
Tetor 2014


Sipër Mbi Ujëra

Autori jeton në Juta, SHBA.

I isha lutur Atit Qiellor që të ma hiqte ankthin dhe dëshpërimin tim por, pa këto sprova, unë nuk mund të arrija çfarëdo “toke të premtuar” drejt së cilës po më drejtonte Ai.

Pamja
Jaredite barges being tossed in the sea.

Rreth gjashtë muaj pas diplomimit nga kolegji, fillova të përjetoj goditje paniku, ndeshje ankthi dhe valë depresioni. Nuk e dija se nga erdhën këto ndjenja, por ato ishin të forta dhe dobësuese.

E pata të vështirë të qëndroja i përqendruar. Në punë, çdo detyrë e re solli kaq ankth sa nuk mund të rrija ulur pa lëvizur. Mendja ime do të punonte me shpejtësi dhe zemra ime do të rrihte kaq fort sa mendova se do të më dilte nga kraharori. Kjo do të vazhdonte për shumë ditë dhe pasi kthehesha në shtëpi nga puna çdo ditë, unë do të shembesha në divan. Përpara se ta kuptoja, mbrëmja kalonte dhe një tjetër ditë pune kishte filluar.

Këto ndjenja vazhduan për muaj, edhe pasi gjeta një punë të re dhe kërkova ndihmë nga specialistët.

Lutesha çdo mëngjes në rrugën për në punë për forcë që thjesht t’ia dilja ditës dhe të kthehesha në shtëpi te gruaja dhe bija ime. Nuk mund të shihja një mbarim për vështirësinë time dhe shpesh doja të dorëzohesha. Për shumë ditë iu përgjërova qiellit për ndihmë, ndërsa sytë më mbusheshin me lot. Lutesha me më shumë sinqeritet sesa e kisha bërë ndonjëherë më parë, duke iu përgjëruar Atit Qiellor të më ndihmonte ta kuptoja këtë sprovë dhe të ma hiqte prej meje.

Ndihesha i humbur në errësirë e dëshpërim, kur nuk e ndieja Shpirtin. Por kur Shpirti më ngrinte përtej mungesës sime të shpresës, unë gjeja vetëbesimin për të vazhduar – qoftë edhe veçse deri në lutjen time të ardhshme. Arrita të mbështetesha tek Ati im Qiellor për më shumë se thjesht një lutje në kohën e ngrënies apo një bashkëbisedim të rastit me Të natën. Si rrjedhim, unë u afrova më pranë Tij.

I Përplasur mbi Dallgët

Në mes të ankthit dhe dëshpërimit tim, unë rilexova tregimin e jareditëve duke kapërcyer “thellësinë e madhe” (Ethëri 2:25). Unë veç mund të imagjinoj pritjen e tyre plot ankth e padurim, ndërsa u futën në maunet e tyre. Udhëtimi i tyre mund të ishte i rrezikshëm, por ata e dinin se po drejtoheshin drejt “një tok[e të] zgjedhur mbi të gjitha tokat e tjera” (Ethëri 2:15).

Për udhëtimin e tyre, ne lexojmë:

“Dhe ndodhi që Zoti Perëndi bëri që të frynte një erë e tmerrshme mbi sipërfaqen e ujërave, në drejtim të tokës së premtuar; dhe kështu ata u shtynë nga era mbi valët e detit.

Dhe ndodhi që shumë herë ata u mbuluan në thellësinë e detit nga dallgët si male që binin mbi ta dhe gjithashtu nga stuhitë e mëdha dhe të tmerrshme që u shkaktuan nga furia e erës.

… Kur gjendeshin të rrethuar nga shumë ujë, ata e lutnin Zotin dhe ai i sillte përsëri sipër mbi ujëra.

Dhe ndodhi që era kurrë nuk pushoi së fryri në drejtim të tokës së premtuar, ndërsa ata ishin mbi ujëra; dhe kështu ata shtyheshin përpara nga era” (Ethëri 6:5–8).

Këto vargje u bënë të rëndësishme për mua. Ndjeva se unë isha brenda vetë maunes sime, me erërat e ankthit duke më goditur dhe me dallgët e dëshpërimit duke u ngritur mbi mua dhe duke më fundosur në thellësitë e dëshpërimit. Kur isha i “rrethuar” dhe do t’i bëja thirrje Zotit, unë do të çaja përmes sipërfaqes, por më pas do të zhytesha përsëri.

E lexova përsëri vargun 8: “Era kurrë nuk pushoi së fryri në drejtim të tokës së premtuar … dhe kështu ata shtyheshin përpara nga era” (theksimi i shtuar). Atëherë befas e kuptova. Pikërisht era, e cila shkaktoi dallgët si male që i përmbytën maunet, gjithashtu i bekoi jareditët në udhëtimin e tyre. I isha lutur Atit Qiellor që të m’i qetësonte erën dhe dallgët, por pa to, unë nuk mund të arrija çfarëdo “toke të premtuar” drejt së cilës po më drejtonte Ai.

Këto vargje ma ndryshuan këndvështrimin tim mbi jetën. Ankthi dhe dëshpërimi im e kishin shtuar mbështetjen time tek Ati Qiellor. Pa erën dhe dallgët, ndoshta unë mund të mos e kisha njohur kurrë Perëndinë sikurse e kam njohur – dhe jareditët mund të mos e kishin arritur kurrë tokën e premtuar.

Për tani, pak vite pas kësaj përvoje, erërat e mia të ankthit nuk po fryjnë më dhe dallgët e dëshpërimit kanë pushuar së më përpiri. Por në qoftë se furtuna kthehet dhe kur të kthehet, unë do t’i lutem Zotit dhe do të jem mirënjohës, duke e ditur që detërat e qetë nuk i çojnë maunet drejt tokës së premtuar – por detërat e trazuar i çojnë.

Ilustrimi nga Jerry Harston