2014
Helm Tepër Tërheqës
Tetor 2014


Helm Tepër Tërheqës

Alison L. Rendëll, Juta, SHBA

Pamja
illustration of ants in a garden

Kur dola nga dera kryesore për të marrë gazetën, pashë një pamje të pakëndshme. Një pirg dheu i kuqërremtë i milingonave të zjarrta ishte formuar gjatë natës, duke u ngritur përmes të çarës midis lëndinës dhe trotuarit.

Edhe pse bashkëshorti im dhe unë nuk kishim jetuar gjatë në Teksas të SHBA-së, e dija nga përvoja e dhembshme se thumbimi i milingonave, jo ngjyra e tyre, ua kishte vënë atë nofkë. U drejtova për në garazh, ku mbanim pesticidin. Pastaj i lexova udhëzimet në etiketë.

“[Ky pesticid] është tepër tërheqës për milingonat e zjarrta”, lexonte. “Ato do ta çojnë brenda në pirgun e tyre të dheut, do t’ia japin si ushqim mbretëreshës së tyre dhe kolonia do të vdesë.” Etiketa më udhëzoi të hidhja disa kokrra mbi pirg dhe përreth tij. Milingonat do të bënin pjesën tjetër.

Isha në mëdyshje. Milingonat e zjarrta më dukeshin tepër të zgjuara, të afta për të ndërtuar pirgje të larta brenda një nate të vetme. Dyshoja se ato do të gënjeheshin nga helmi i maskuar, por megjithatë e hodha mbi pirg.

Pak kohë më pas, e gjeta pirgun duke zhurmuar nga veprimi. E ruajta largësinë, por u përkula që të shihja trazirën. Ato ishin të gëzuara në kulm sikur sapo kishte rënë mana nga qielli. Ato po i ngrinin kokrrat e bardha me pincat e tyre të vogla dhe po përplaseshin me njëra-tjetrën nga nxitimi që ta fusnin helmin brenda pirgut të tyre.

Vështrova e tmerruar nga habia. Ato me dëshirë po e çonin helmin në shtëpinë e tyre. Siç dukej, fjalët “tepër tërheqës” nuk ishin të tepruara. Në njëfarë mënyre firma e pesticideve kishte qenë në gjendje ta bënte diçka të keqe – madje vdekjeprurëse – të dukej jashtëzakonisht e mirë.

Nuk kisha parë kurrë një shembull më të habitshëm të mënyrës se si e keqja mund të bëhet të duket e mirë. Më bëri të mendoja për mënyrën se si Satani bën të njëjtën gjë. U ngushëllova të kuptoja që, edhe pse ai mund ta spërkatë helmin e tij të maskuar përreth shtëpisë sime, ai nuk mund ta sjellë atë brenda – në qoftë se unë nuk e lejoj atë. Pra, si mund ta mbaj atë jashtë?

Më erdhi në mendje një nga shkrimet e mia të shenjta të parapëlqyera: “Pasi vini re, Shpirti i Krishtit i jepet çdo njeriu, që ai të dallojë të mirën nga e keqja”. Me atë Shpirt, shpjegon Mormoni, ne “mund të di[më] me një njohuri të përsosur” nëse diçka është nga Perëndia apo nga Satani (Moroni 7:16).

Ajo përvojë e vëzhgimit të atyre milingonave të dënuara më mbushi me mirënjohje që bashkëshorti im dhe unë mund të gjykonim dhe të dinim me siguri nëse do ta lejonim diçka brenda shtëpisë sonë. Detyra jonë ishte t’i mësonim fëmijët tanë ta ndiqnin Shpirtin e Krishtit, që të mund ta njihnin helmin kur ta ndeshnin atë.

Teksa u përkula atje, duke parë ato insekte që transportonin çdo kokërr të fundit brenda pirgut të tyre të dheut, unë u betova që të bëja gjithçka mundesha për ta mbajtur helmin jashtë shtëpisë sime.

Etiketa më udhëzoi të hidhja disa kokrra mbi pirg dhe përreth tij. Milingonat do të bënin pjesën tjetër.