2014
Liri e Lirë e Zgjedhjes apo Liri Morale e Zgjedhjes?
Tetor 2014


Liri e Lirë e Zgjedhjes apo Liri Morale e Zgjedhjes?

Përdorimi me urtësi i lirisë së zgjedhjes i mban zgjedhjet tona të mundura dhe e përmirëson aftësinë tonë për të zgjedhur siç duhet.

Pamja
composite of 2 photos of a young man in casual clothes and him in a suit.

ILUSTRIME ME FOTO NGA Christine Smith; Ilustrime nga Bryan Beach

Ende më kujtohet sa i shqetësuar isha kur po përgatitesha për t’u takuar me peshkopin tim rreth shërbimit në një mision. Vrisja mendjen nëse isha i mirë sa duhej. Sikurse Profeti Jozef Smith, unë nuk isha “fajtor për mëkate të mëdha ose të liga” (Joseph Smith – Historia 1:28), por isha njësoj i shqetësuar.

Isha i shqetësuar ngaqë nuk mund të mos mendoja rreth mikut tim, Denit (emri është ndryshuar). Për muaj Deni kishte folur se me sa dëshirë po e priste shërbimin në mision. Por ajo ndryshoi pasi u takua me peshkopin.

Ngaqë Deni ishte përfshirë në sjellje të padenja me disa vajza të reja, siç më tha ai më vonë, nuk ishte kualifikuar për shërbim kohëplotë misionar. Ai nuk ishte më i lirë që të zgjidhte një mision.

Deni, sipas fjalëve të Presidentit Bojk K. Paker, Presidentit të Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, kishte rënë nën tundimin e Satanit për “ta keqpërdor[ur] lirinë [e tij] të zgjedhjes [morale]”1.

Liria e vërtetë, sikurse na mëson broshura Për Forcën e Rinisë, vjen kur e përdorim lirinë tonë të zgjedhjes për të zgjedhur bindjen. Humbja e lirisë, sikurse e mësoi Deni, vjen kur zgjedhim mosbindjen.

“Ndërsa jeni të lirë të zgjidhni drejtimin e jetës suaj, ju nuk jeni të lirë të zgjidhni pasojat. Qoftë për mirë apo për keq, pasojat vijnë si një përfundim i natyrshëm i zgjedhjeve që ju bëni.”2

Veprues për Vetveten

Ngaqë shkrimet e shenjta na mësojnë se jemi “të lirë të zgjedhi[m]”, “të lirë të vepro[jmë]” dhe të lirë për të bërë gjëra “me vullnetin [tonë] të lirë” (2 Nefi 2:27; 10:23; DeB 58:27; Helamani 14:30), ne shpesh përdorim shprehjen “liri e lirë e zgjedhjes”.

Por a e dinit se fraza “liri e lirë e zgjedhjes” nuk shfaqet në shkrimet e shenjta? Në vend të saj, shkrimet e shenjta na mësojnë “që çdo njeri të mund të veprojë në përputhje me doktrinën dhe parimin … lidhur me lirinë morale të zgjedhjes që unë i kam dhënë atij, që çdo njeri të mund të jetë i përgjegjshëm për mëkatet e veta” (DeB 101:78; theksimi i shtuar).

Plaku D. Tod Kristoferson, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, na ka mësuar: “Shprehja liri e zgjedhjes shfaqet [në shkrimet e shenjta] ose më vete ose me përcaktuesin moral. … Kur e përdorim shprehjen liria morale e zgjedhjes, ne po e theksojmë siç duhet përgjegjshmërinë që është pjesë thelbësore e dhuratës hyjnore të lirisë së zgjedhjes. Ne jemi qenie dhe veprues moralë për veten tonë, të lirë të zgjedhim, por edhe përgjegjës për zgjedhjet tona.”3

Presidenti Paker shton: “Liria e zgjedhjes përcaktohet në shkrimet e shenjta si ‘liri morale [e] zgjedhjes’, që do të thotë se ne mund të zgjedhim midis së mirës dhe së ligës”4. Kjo dhuratë e dhënë nga Perëndia do të thotë që ne jemi “të lirë të zgjedhim lirinë dhe jetën e përjetshme, nëpërmjet Ndërmjetësit të madh të të gjithë njerëzve, ose të zgjedhim robërinë dhe vdekjen, sipas robërisë dhe fuqisë së djallit” (2 Nefi 2:27).

Lufta e Satanit kundër Lirisë së Zgjedhjes

Ngaqë liria morale e zgjedhjes luan një rol të rëndësishëm në planin e shpëtimit, Satani kërkoi ta shkatërronte atë në botën para lindjes. Ai u dëbua për rebelimin e tij dhe tani bën përpjekje “për të mashtruar dhe verbuar njerëzit dhe për t’i bërë ata robër të vullnetit të tij” (Moisiu 4:3–4).

Satani dëshiron që ne të bëjmë zgjedhje të cilat e kufizojnë lirinë tonë, na çojnë drejt zakoneve e varësive të këqija dhe na lënë të pafuqishëm për t’iu bërë ballë tundimeve të tij. Bukuria e ungjillit është se ai na bën të ndërgjegjshëm për zgjedhjet tona dhe për pasojat e atyre zgjedhjeve. Përdorimi me urtësi i lirisë së zgjedhjes i mban zgjedhjet tona të mundura dhe e përmirëson aftësinë tonë për të zgjedhur siç duhet.

Shembulli i Shpëtimtarit

Kur plani i shpëtimit u paraqit në Këshillin e Madh në Qiell, Shpëtimtari na tregoi se si ta përdornim siç duhet lirinë tonë morale të zgjedhjes. Ai tha: “Atë, vullneti yt u bëftë dhe lavdia qoftë e jotja përgjithmonë” (Moisiu 4:2). Ngaqë Ai ishte i gatshëm të bënte vullnetin e Atit në atë kohë dhe më pas në Kopshtin e Gjetsemanit e në kryq (shih Mateu 26:39; Lluka 22:42), Jezusi e pagoi çmimin për zgjedhjet tona të këqija dhe siguroi nëpërmjet pendimit një udhë për ne që të faleshim.

Nëse e ndjekim shembullin e Shpëtimtarit, në vend që të themi: “Unë bëj atë që dua”, ne vërtet do të shpallim: “Unë bëj atë që do Ati”5. Përdorimi në këtë mënyrë i lirisë sonë morale të zgjedhjes do të na sjellë çlirim dhe lumturi.

Kur shkova të takohesha me peshkopin tim për intervistën time të parë për mision, isha mirënjohës që kisha bërë zgjedhje të mira. Pak muaj më vonë po i shërbeja Zotit në Guatemalë – duke i mësuar të tjerët rreth planit të shpëtimit dhe rolit jetik që luan liria morale e zgjedhjes në atë plan.

Shënime

  1. Bojd K. Paker, “Këto Gjëra Unë i Di”, Liahona, maj 2013, f. 8.

  2. Për Forcën e Rinisë (2011), f. 2.

  3. D. Todd Christofferson, “Moral Agency,” Ensign, qershor 2009, f. 47.

  4. Bojd K. Paker, “Këto Gjëra Unë i Di”, f. 8.

  5. Shih Wolfgang H. Paul, “The Gift of Agency”, Liahona, maj 2006, f. 35.