2014
Në Mbrojtje të Asaj që Ne Besojmë
Tetor 2014


Në Mbrojtje të Asaj që Ne Besojmë

Ne jetojmë në një botë ku shumë veta e shohin të ligën si të mirë dhe të mirën si të ligë dhe ne duhet ta mbrojmë të mirën. Në vijim janë dëshmi të të rinjve në moshë madhore, të cilët i mbrojtën gjërat që ata i besojnë. Ata nuk debatuan ose reaguan me zemërim, ose pa mirësjellje. Ata treguan “si kurajë edhe mirësjellje”1 dhe, si rrjedhim, i forcuan të tjerët (shih 3 Nefi 12:44–45).

Vëllai Im Nuk Pranoi të Pinte Shampanjë

Pamja
Amber liquid in three of 4 wine glasses. All four glasses have red roses in them.

Në Francë, shërbimi ushtarak është i detyruar. Vëllai im më i ri 20-vjeçar, Loiku, vendosi të shkonte në shkollën e oficerëve rezervistë për t’u bërë toger. Në mbarimin e shkollës, pati një ceremoni betimi për oficerët e rinj. Secili, një nga një, duhet të përsëritë përmendsh parullën e regjimentit. Më pas ai duhet të pijë një gotë me shampanjë që mban brenda një trëndafil – duke i gëlltitur të dyja. Kjo traditë filloi me Napoleon Bonopartin dhe, që nga ajo kohë, nuk ka ndodhur asnjëherë që një oficer të mos marrë pjesë.

Loiku i tha kolonelit se parimet e tij fetare nuk e lejonin atë të pinte pije alkoolike. Një heshtje e akullt e ndoqi kërkesën e Loikut për një përjashtim. Koloneli u ngrit. Në vend që ta detyronte Loikun që të pinte shampanjën, ai e përgëzoi për mbajtjen e parimeve të tij pavarësisht nga trysnia, duke thënë se ai ishte krenar që po e mirëpriste një njeri me integritet moral në regjimentin e tij. Ata e zëvendësuan shampanjën dhe Loiku mori pjesë në ceremoninë e bërjes së betimit.

Pier Antian, Francë

Më Ftuan në një Festë të Shfrenuar

Pamja
Asian woman sitting at a desk looking very sad and emotional. She looks like she is ready to cry.

Pas kolegjit, motra ime Greis dhe unë punuam për një firmë, bashkë me disa shenjtorë të tjerë të ditëve të mëvonshme. Punëdhënësit tanë nuk ishin anëtarë të Kishës. Kur motra ime u fejua, punëdhënësja jonë planifikoi një festë surprizë për nusen. Shpresoja që ajo do t’i respektonte standardet tona por, në vend të kësaj, ajo porositi pije alkoolike, një kërcimtar mashkull dhe një video skandaloze.

Përpara festës për nusen, ndjeva pëshpëritjen e Frymës së Shenjtë brenda meje duke më nxitur që ta kujtoja pronaren lidhur me standardet tona. Mbërtheva me duar medaljonin e Të Rejave dhe mendova për gjithë përpjekjen dhe sakrificat që kisha bërë, kur isha në Të Rejat, për ta përfunduar përparimin tim personal. U luta që të udhëhiqesha për të qëndruar pak më lart në këtë kohë. I dërgova një mesazh me celular punëdhënëses sime për shqetësimet e mia, duke menduar se ajo mund të fyhej. Prapëseprapë, dëshira ime më e madhe ishte që të kënaqja Atin Qiellor.

Kur filloi festa, pronarja nuk më foli apo as që më buzëqeshi. Megjithatë, ajo e anuloi kërcimtarin dhe videon.

Në ditët pas festës, pronarja ime nuk fliste dhe qeshte më me mua, sikurse kishte bërë përpara festës. Megjithatë, unë ndihesha e qetë ngaqë e dija se Perëndia ishte i kënaqur me atë që kisha bërë unë. Rreth një javë më pas, marrëdhënia ime me pronaren time u kthye përsëri në gjendjen normale. E di se Perëndia e zbuti zemrën e saj dhe e ndihmoi të kuptonte se unë e jetoja atë që besoja.

Lemi Labitag, Lugina Kagajan, Filipine

Unë Dëgjova Gjuhë Fyese në Klasë

Pamja
High school sewing class full of young women.

Kur isha rreth 18 vjeçe, ndoqa një kurs për rrobaqepëse. Një ditë, pak metra larg meje, tri vajza filluan të përdorin fjalë fyese. Nuk dija nëse duhej t’i shpërfillja ato për të shmangur mosmarrëveshjen apo nëse duhej t’i mbroja standardet e mia dhe t’u kërkoja atyre të ndalonin. Më së fundi, thashë në një mënyrë sa më të mirësjellshme që munda: “Më falni, por a mund të tregoni kujdes me gjuhën që përdorni?”

Vajza më trupmadhe prej tyre ma nguli vështrimin dhe tha: “Do të flasim si të duam”.

Unë thashë: “Por, a duhet vërtet të shani? Ajo vërtet më fyen.”

Ajo tha: “Atëherë mos dëgjo”.

Fillova të zemërohem dhe thashë: “Është e vështirë të mos dëgjoj kur ju flisni me zë kaq të lartë”.

Ajo tha: “Jepi fund kësaj”.

U dorëzova. Isha e mërzitur me vajzat, por edhe më shumë e mërzitur me vetveten. Nuk munda ta besoj se e kisha lejuar tonin tim të bëhej kundërshtues. Vajzat ende shanin dhe tani ato ishin të gjitha të inatosura.

Pasi u qetësova, vura re se vajzat kishin vështirësi me makinën e tyre të qepjes. E dija se çfarë nuk shkonte ngaqë e kisha pasur po atë problem më përpara. Kështu që u tregova atyre se si ta rregullonin. Pashë se shprehja ndryshoi në fytyrën e vajzës më trupmadhe. “Hej”, tha ajo, “na vjen keq.” Nuk mund ta besoja – ajo po kërkonte falje. “Edhe mua më vjen keq”, i thashë asaj. “Nuk duhej të isha zemëruar në atë mënyrë.”

U ktheva te makina ime e qepjes dhe nuk dëgjova asnjë fjalë tjetër sharjeje. Ajo përvojë më mësoi se fjalët tona mund të mos i ndryshojnë sjelljet e të tjerëve, por mirësia dhe shërbimi shpesh munden.

Keti Pajk, Juta, SHBA

Unë e Mbrojta Shërbimin në një Mision

U bashkova me Kishën kur isha 19 vjeç, i dyti i tre djemve dhe i vetmi shenjtor i ditëve të mëvonshme në familjen time. Pak kohë pasi isha pagëzuar, fillova të ndiej dëshirën për të shërbyer një mision. Pas një viti, Shpirti më tha se duhej të shkoja. Fola me nënën time, e cila e ndjeu se nuk duhej të shkoja. E shtyva dhe një vit tjetër, por dëshira për të shërbyer në mision kurrë nuk m’u largua. Gjatë atij viti, studiova shkrimet e shenjta, kurseva paratë e mia, përgatita dokumentet e mia, i bëra të gjitha vizitat mjekësore dhe – pasi u përfundua gjithçka tjetër – prita Zotin. Pa kaluar shumë kohë, unë mora thirrjen për të shërbyer në Misionin e Brazilit, Kampinas.

Prindërit e mi ende kundërshtuan. Agjërova dhe u luta haptazi, duke i treguar Atit Qiellor rreth tërë gjërave që kisha frikë. I kërkova Atij ta prekte zemrën e babait tim tokësor. Ai e preku. Për habinë time, babai im ishte i pranishëm në festën e lamtumirës që miqtë e mi kishin përgatitur për mua të shtunën para nisjes sime. Dhe atë të hënë, babai im më çoi në aeroport.

Gjatë misionit tim, e ndjeva dashurinë e Perëndisë teksa predikoja ungjillin. Mami nuk pushoi së qeni një nënë dhe, kur u ktheva në shtëpi, ajo ishte njeriu i parë që më përqafoi.

Mësova se shërbimi në mision është shumë më tepër se një detyrë; është një privilegj dhe një kohë e mrekullueshme rritjeje dhe mësimi.

Kleison Uellington Amorim Brito, Parajba, Brazil

Unë Dhashë Dëshmi për Perëndinë

Pamja
High school classroom. Oriental students

Si student në vitin e parë të universitetit më të mirë të vendit tonë, ndjeva shtytjen për të bërë më të mirën. Përndjekja erdhi dhe unë fillova të vë në dyshim besimin tim tek ungjilli, ndërkohë që shumë prej profesorëve të mi shpjegonin ato gjëra që ata i shpallnin të ishin “realitet”. Shumë prej shokëve të mi të klasës u ndikuan. Ky mjedis e bëri të vështirë që t’i përkrahja vlerat e krishtera. Mendova të largohesha, por vendosa se ishte më mirë të qëndroja. Arsyetova se, nëse kishte vetëm pak veta që kualifikoheshin për të hyrë në këtë universitet dhe në mes atyre pak njerëzve kishte vetëm pak shenjtorë të ditëve të mëvonshme, atëherë unë duhej të qëndroja dhe të mbroja të vërtetën.

Profesori im i biologjisë, një ateist i vetëshpallur, jepte mësime të shkencës pa asnjë bindje në një Krijues Suprem. Por sa më tepër që dëgjoja, aq më shumë më përforcohej bindja se ka një Qenie Supreme – Perëndia, Ati ynë – i cili i krijoi të gjitha këto gjëra. Të tjerë debatuan se kjo ide nuk kishte asnjë kuptim. Diskutimet tona u bënë më të zjarrta. Mezi prisja të ngrija dorën dhe të shpjegoja se unë besoj te Perëndia si Krijuesi.

Koha erdhi për të bërë komente. Në shkollën time, ishte e zakonshme për njerëzit që të duartrokitnin, të bërtitnin apo t’u fishkëllenin atyre që i paraqisnin idetë e tyre. U ngrita në këmbë dhe i thashë thjeshtësisht palës kundërshtuese: “Të besuarit te Perëndia mund të mos ketë kuptim për ju në këtë çast, por dita do të vijë kur gjithçka do të ketë kuptim për ju, me po aq qartësi sa ka kuptim për mua tani”.

Që nga ajo kohë, nuk kam marrë kurrë ndonjë fishkëllimë kur i mbroj bindjet e mia. Që nga ajo kohë e më pas, unë përparova nga ana akademike, shoqërore dhe shpirtërore. Fillova të marr pjesë aktivisht në veprimtaritë e studentëve dhe u zgjodha në disa pozita në shkollë.

Mësova se mbrojtja e së vërtetës, qoftë edhe një herë, i ndikon shumë vendimet tona të ardhshme.

Vins A. Molehan i Riu, Mindanao, Filipine

Shënim

  1. Shih Xhefri R. Holland, “Çmimi – dhe Bekimet – e të Qenit Dishepull”, Liahona, maj 2014, f. 6.