2014
Ai Ju Do
Tetor 2014


Ai Ju Do

Elis Viktoria Uestën-Sherud, Arkansas, SHBA

Isha ulur në cepin e dhomës çelestiale, pranë organos, gjatë përkushtimit të Tempullit të Memfisit në Tenesi. Presidenti Xhejms E. Faust (1920–2007), anëtar i Presidencës së Parë nga viti 1995 deri në vitin 2007, kishte ardhur për të përkushtuar tempullin. Ai dhe disa udhëheqës të tjerë ishin të ulur prapa mikrofonit. Një kor i Kishës nga zona hyri brenda në rreshta dhe qëndroi pas tyre.

Një grua e re në moshë, të cilën unë e vizitoj si mësuese vizitore, ishte anëtare e korit. Gjatë gjithë mbledhjes, u luta që ajo të merrte atë për të cilën kishte ardhur. Ajo më kishte thënë në mirëbesim se erdhi në përkushtimin e tempullit atë ditë për të mësuar se ku qëndronte ajo me Zotin. Ajo kishte kryer mëkate të rënda në të shkuarën dhe, edhe pse ishte penduar, ende nuk arrinte të ndihej mirë për veten e saj dhe madje të ndihej mirë rreth të kënduarit në kor.

Ia ngula vështrimin Presidentit Faust, duke e ndier se ai, si përfaqësues i Zotit në Presidencën e Parë, mund të ishte në gjendje të bënte diçka. Por si mund t’ia thoja atij dhe si mund të bënte ai ndonjë gjë? Pas mbledhjes, ai do të dilte nga dhoma në po të njëjtën mënyrë si kishte hyrë dhe nuk do të kishte as prezantime, as shtrëngime duarsh dhe as fjalë të shkëmbyera. E kuptoja që ai ishte i zënë me punë dhe i kishte gjërat të përgatitura për udhëtimin, por përsëri u luta.

Presidenti Faust, i zhytur në mendime, hodhi vështrimin tek unë për njëfarë kohe – muskujt në vetullat e tij ishin të lidhura së bashku. Kur mbledhja mbaroi, një shprehje e lumtur e mbushi fytyrën e tij me dritë.

E hodhi vështrimin tek unë përsëri dhe pastaj, papritur, u ngrit në këmbë, u kthye dhe e zgjati drejt krahun e tij aq sa mund të arrinte. Ai tregoi me dorë pikërisht drejt mikeshës sime. Pastaj ai tha me një zë të vendosur dhe të lartë: “Zoti të do ty!”

Gjesti i Presidentit Faust ishte i vogël dhe i thjeshtë, por përsëri kaq i fuqishëm sa ç’mund të kishte ardhur vetëm prej Frymës së Shenjtë, duke i komunikuar atij atë që unë nuk mundesha. Ato pak fjalë e bekuan mikeshën time dhe vazhdojnë ta mbështetin besimin tim se Zoti tregon kujdes për hollësitë e jetës sonë dhe “se nëpërmjet gjërave të vogla dhe të thjeshta gjëra të mëdha bëhen” (Alma 37:6).